E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dyfishohen kreditë e këqija, kriza e re për financat e Qeverisë

Autori i Lajmit: Silvana Balliu
Qeveria ka pranuar për herë të parë publikisht se kredia e marrë në tregun ndërkombëtar dhe kriza financiare botërore kanë vënë në presion financat e Qeverisë, duke rritur ndjeshëm interesat e borxhit publik.
“Shërbimi i borxhit publik për vitin 2010 përbën një sfidë ndaj jemi përgatitur, që në pranverë Shqipëria të dalë në tregun ndërkombëtar për të financuar nevojat e vendit për para me një kosto shumë më të mirë”, u shpreh Bode. Deklaratat, ministri i Financave i ka bërë në komisionin kuvendor të ekonomisë, ku ka filluar diskutimi i projektbuxhetit, këtë vit si rrallë herë pa praninë e opozitës. Ministri thotë se për të dalë nga kjo situatë Qeveria do të zbatojë një strategji të re duke kërkuar ndihmën e institucioneve ndërkombëtare për financimin e projekteve të mëdha publike. “Ministria e Financave ka nisur negociatat me BERZH, BEI dhe BB që projektet madhore të infrastrukturës të mund të udhëhiqen nga këta donatorë”, u shpreh ministri Bode. Por, pavarësisht vështirësive financiare, qeveria nuk e ka zbehur optimizmin e saj dhe u mbetet parashikimeve se ekonomia shqiptare do të vazhdojë të rritet me ritme te larta.

Kredia me probleme

Pas një rënie drastike të dhënies së kredisë nga bankat e nivelit të dytë, duket se gjendja ka ndryshuar në kahun e kundërt. Ministria e Financave, në projektbuxhetin e vitit 20010 pranon se krahas rritjes së kredisë në përgjithësi është rritur edhe kredia e keqe. Madje, kjo është dyfishuar krahasuar me vitin 2008. Ekspertët e financave, janë optimistë, megjithëse kredia e keqe zë rreth 6.5 për qind të totalit të huasë për ekonominë. Kjo shifër më parë shënonte vetëm 3.3 për qind. Në projektbuxhetin e vitit 2009 raportohet se totali i kreidisë për ekonominë u zgjerua, por krahasuar me një vit më parë rritja është me ritme më të ulëta. Kështu, e shprehu në shifra për tremujorin e parë ritmi i zgjerimit të kreidë u rrit me 5.1 për qind, por krahasuar me një vit më parë, rritja do të ishte në shifrat e 7.6 për qind. Pjesën më të madhe të huadhënies në ekonomi e zë, kryesisht biznesi, por ky i fundit ka preferuar të marrë kredi, edhe për shkak të mungesës së parave për të qarkulluar, të domosdoshme për biznesin e tyre.

Shoqata e bankave

Sipas të dhënave të Shoqatës së Bankave, pesha e kredive jo të rregullta nga 10.2 % në gusht të vitit 2008 për qind u rritën në 16.7 për qind deri në gusht të këtij viti, kundrejt totalit të kredisë. Bankat i ndajnë kreditë me probleme në katër grupe sipas rrezikut që ato kanë për të mos u kthyer më. Në fund të gushtit kreditë e këqija ku përfshihen, huatë e humbura përfundimisht, ato të dyshimta dhe huatë nën standarde ishin 9.5 për qind e totalit. Por, ka edhe një grup tjetër kredish, që bankat i quajnë kredi nën standarde, të cilat edhe pse nuk klasifikohen si kredi të këqija kanë probleme në shlyerje dhe rrezik për tu humbur. Huatë nënstandarde arriten në gusht në 31.3 miliardë leke ose rreth 7.3 për qind e totalit nga 6.1 që ishin në gusht të 2008-ës. Grupi që po ndihen më tepër vështirësi për të shlyer kreditë janë bizneset që sipas Bankës së Shqipërisë zënë 63 për qind të totalit të borxhit të keq në banka. Ndërkohë, familjarët zënë rreth 33 për qind dhe pjesa tjetër prej 4 për qind e zë sektori shtetëror. Të dhënat historike tregojnë se Shqipëria ka qenë një nga vendet me nivelin më të ulët të kredive me probleme në rajon, por vitin e fundit cilësia e portofolit të kredisë është përkeqësuar, kryesisht për shkak të krizës ekonomike, por edhe zhvlerësimit të Lekut ndaj Euros, pasi më shumë se 70 për qind e kredive në Shqipëri janë në Euro.

Ky lajm është publikuar: 17/11/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›