25 të vdekur pas një aksidenti hekurudhor në Belgjikë
Dy trena janë përplasur sot në periferi të kryeqytetit të Belgjikës, Bruksel, me ç’rast kanë humbur jetën së paku 20 persona, kanë njoftuar zyrtarët belgë.
Trenat janë përplasur në afërsi të stacionit në Buizingen, rreth orës 08:30 të mëngjesit.
“Sipas informatave të fundit kemi 25 të vdekur. Këtë e bazojnë në informatat e policisë dhe të zjarrfikësve”, deklaroi prefekti i qytetit, Dirk Pieters.
Fillimisht nuk kishte të dhëna për numrin e të lënduarve. Kanali televiziv, VRT, theksoi se disa të lënduar janë dërguar në spital, ndërsa të tjerët janë trajtuar në një kompleks të sportit, i cili gjendet në afërsi të vendit të aksidentit.
Kompania e trenave, Eurostar, raportoi se si pasojë e aksidentit ka ndërprerë shërbimet brenda dhe jashtë Brukselit, duke theksuar se qarkullimi mund të suspendohet gjatë tërë ditës.
Zëdhënësja Patricia Baars theksoi se përkohësisht është ndërprerë edhe trafiku ndërmjet Brukselit, Parisit dhe Amsterdamit, pasi që ai qarkullon nëpër binarët, në të cilët ka ndodhur përplasja mes dy trenave.
Zyrtarët nuk ofruan ndonjë informatë më të hollësishme për shkakun e aksidentit.