Clinton kërkon ndihmë për Iranin
Zyrtarë të lartë amerikanë po bëjnë përpjekje diplomatike për ta bindur Kinën që të mbështesë një qëndrim më të ashpër ndaj ambicieve bërthamore të Iranit.
Zëvendëspresidenti amerikan, Joe Biden, thotë se ka besim që Kina do ta ndryshojë qëndrimin dhe do të mbështesë vendosjen e sanksioneve të saj.
Përpjekja kryesore diplomatike pritet sot, gjatë vizitës në Arabinë Saudite të Sekretares amerikane të shtetit, Hillary Clinton.
Zyrtarët amerikanë kanë sugjeruar që sauditët, të cilët janë ndër furnizuesit kryesorë të Kinës me naftë, mund të luajnë një rol shumë të rëndësishëm për ta bindur Pekinin që të mbështesë një regjim më të ashpër sanksionesh ndaj Teheranit.
Hillary Clinton ka udhëtuar në shumë vende në mbarë botën, por kjo është vizita e parë në Mbretërinë e Arabisë Saudite.
Ish- zonja e parë ka bërë për vete shumë udhëheqës, por me sauditët nuk është kaq e lehtë, ata nuk pëlqejnë të rrezikojnë politikisht, thotë korrespondentja e BBC-së në Departamentin e Shtetit.
Në shumë drejtime, vizita e presidentit Obama në Riad vjet përfundoi pa frute dhe ai u kthye duarbosh në Amerikë.
Washingtonit ende i duhet ndihma e Arabisë Saudite në dy çështje kyçe: atë të Iranit dhe të paqes rajonale me Izraelin.
SHBA do që sauditët ta bindin Kinën që të mbështesë aksionet ndaj Iranit.
Washingtoni po ashtu do që ata t'i japin bekimin politik presidentit palestinez, Mahmoud Abbas teksa ai shqyrton mundësinë e nisjes së negociatave me Izraelin.