E Shtunë, 31 Tetor 2026

Iraku grind Cheneyn me Bidenin

Kur zëvendëspresidenti i SHBA-së, Joe Biden, thotë se lufta në Irak mund të dëshmohet si një prej të arriturave më të mëdha të presidentit Barack Obama, paraardhësi i tij, Dick Cheney, kërkon që meritat t’i përshkruhen atij që duhet: administratës së George Bushit.

Obama në vitin 2003 ka kundërshtuar luftën në Irak, ndërsa në vitin 2007, si senator nga Illinoisi, ka kundërshtuar edhe vendimin për shtimin e numrit të ushtarëve amerikanë në Irak.

Në vitin 2002, Biden, si senator nga Delavare, ka votuar për të autorizuar përdorimin e forcës në Irak, por më vonë theksoi se lufta në Irak bie ndesh me interesat e SHBA-së dhe më pas e kundërshtoi edhe shtimin e numrit të ushtarëve, duke e cilësuar këtë aksion si “dështim”.

Në një intervistë dhënë javën e kaluar, Biden tha:”Jam shumë optimist kur bëhet fjalë për Irakun. Mendoj se kjo mund të jetë një nga të arriturat më të mëdha të kësaj administrate”.

I pyetur për komentet e Bidenit, Cheney tha:”Po të kishim dëgjuar ata dhe po të kishim ndjekur politikën e tyre, Saddam Husseini ende do të ishte në pushtet në Bagdad”.

Pas komenteve të Cheneyt, Biden tha se administrata e Obamës nuk po dëshiron të merr përsipër meritat për luftën. “Ne është dashur të marrim përsipër përgjegjësinë. Morëm përsipër përgjegjësinë, për rrëmujën që e kemi trashëguar”, tha Biden.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›