25-vjeçari nën pranga, vodhi 10 milionë lekë
Mëngjesin e së hënës, policia e Fierit i ka vënë prangat një 25-vjeçari nën akuzën e vjedhjes. Sipas të dhënave të policisë ai rezulton të jetë dhëndri i një ish-efektivi të uniformave blu. Operacioni i arrestimit të shtetasit Enton Tahiri është realizuar vetëm disa orë pas kryerjes së vjedhjes. Sipas burimeve zyrtare policore, mësohet se Tahiri, lindur e banues në Fier, është vënë nën pranga rreth orës 08:30 të paradites së të hënës. Ai ka qenë në banesën e tij, ndërkohë që policia ishte vënë në kërkim të 25-vjeçarit prej disa orësh. Po sipas burimeve policore bëhet e qartë për gazetën "Shqip" se Enton Tahiri ka hyrë në banesën e një shtetasi nga lagjja "Kastriot", pak metra larg policisë dhe ka marrë prej andej shumën e 10 milionë lekëve. Tahiri ka shfrytëzuar momentin kur në banesë nuk ndodhej askush. Me anën e një çelësi të kopjuar, si dhe me sigurinë se në banesë nuk ndodhej njeri, por që kishte lekë, Enton Tahiri, rreth mesnatës ka mundur të hyjë në brendësi të banesës. Kjo e fundit ndodhej në katin e dytë të një pallati pesëkatësh dhe në dhomën e gjumit ka marrë shumën e lekëve. I dëmtuari ka treguar në polici pas denoncimit se shuma e të hollave të vjedhura ishte 10 milionë lekë. Gjurmët e gjetura në banesën e vjedhur dhe denoncimi i të dëmtuarit e ka çuar policinë drejt gjetjes së autorit dhe prangosjes së tij. Enton Tahiri, sipas policisë, mësohet se është dhëndri i ish-policit A.H. Ky i fundi ka dalë nga radhët e Policisë së Shtetit dy vjet më parë, si shkak i reformës. Policia, një pjesë të lekëve të vjedhura ja ka gjetur në shtëpi autorit të arrestuar, ndërkohë që po vijon marrjen në pyetje të tij, me qëllim gjetjen e shumës tjetër të parave të vjedhura, informacion që konfirmohet prej uniformave blu të qytetit të Fierit, ku dhe u bë arrestimi i Tahirit.