E Shtunë, 31 Tetor 2026

BE na këshillon: Statusi i kandidatit? Mos aplikoni

Bashkimi Evropian i kërkoi dje zyrtarisht Shqipërisë të shtyjë aplikimin për statusin e vendit kandidat. Zëdhënësja e komisionerit evropian për Zgjerimin, Kristina Nagy, dha një prononcim për mediat pas takimit mes Olli Rehn dhe ministrit shqiptar të Punëve të Jashtme, Lulzim Basha. "Qeveria e Shqipërisë bëri një zgjedhje të mençur për të mos nxituar drejt aplikimit për anëtarësim në Bashkimin Evropian", deklaroi ajo. Nagy deklaroi se qeveria e Shqipërisë është ftuar të koordinojë lëvizjet e saj me Presidencën, vendet anëtare dhe Komisionin Evropian. Për Shqipërinë, tha ajo, ashtu sikurse edhe për vendet e tjera që kërkojnë të aplikojnë, ky proces është rekord pozitiv në kuadër të implementimit të detyrimeve që rrjedhin nga Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit, dhe ky është një element thelbësor që BE-ja merr në shqyrtim për çdo aplikim anëtarësimi. "Përgatitja dhe zhvillimi i zgjedhjeve parlamentare 2009, në përputhje me standardet ndërkombëtare, është kusht kryesor për përparimin e mëtejshëm të Shqipërisë në rrugën drejt Bashkimit Evropian", u shpreh Nagy. Po sipas deklaratës së zëdhënëses, mësohet se në takimin mes komisionerit për Zgjerimin, Olli Rehn, dhe kreut të diplomacisë shqiptare, është folur edhe për ligjin e shumë debatuar të pastrimit të figurave dhe zyrtarëve të lartë të shtetit. "Rehn përshëndeti vendimin e Gjykatës Kushtetuese për të pezulluar zbatimin e tij", sqaroi zëdhënësja Nagy. Posaçërisht për këtë ligj, deklarimet e ndërkombëtarëve kanë qenë të shumta. Në disa reagime të mëparshme, Presidenca e radhës e Bashkimit Evropian lëshoi kritikat e forta për projektin e miratuar nga qeveria në Kuvend. Ambasadorja çeke në kryeqytetin shqiptar tha se vihen re nene që bien ndesh me Kushtetutën e Shqipërisë. Ky ligj tanimë, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, i është dërguar Komisionit të Venecias për t‘i kërkuar një mendim. Pasi të jetë kryer kjo etapë, do mund të kalohet në një vendim përfundimtar të Kushtetueses. Ministria e Punëve të Jashtme, përmes një njoftimi për shtyp, dha versionin e saj për takimin. "Më datën 23 shkurt 2009, ministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë, Lulzim Basha, zhvilloi një takim pune në Bruksel, me komisionerin e Zgjerimit të Komisionit Evropian, Olli Rehn", thuhet në njoftim. Gjatë takimit, ministri Basha informoi komisionerin Rehn mbi ecurinë e reformave në Shqipëri, mbi zhvillimet ekonomike, për përgatitjet për zgjedhjet e 28 qershorit, si dhe vullnetin e qeverisë shqiptare për të thelluar reformat në çdo fushë. "Ministri Basha dhe komisioneri Rehn diskutuan gjerësisht rreth procesit të integrimit evropian të Shqipërisë dhe hapave të mëtejshëm në këtë drejtim, në kuadër edhe të koordinimit të veprimeve mes vendit tonë dhe vendeve anëtare dhe Komisionit Evropian", vijon njoftimi. Sakaq, bashkëbiseduesit u ndalën gjithashtu te procesi i liberalizimit të vizave me ç‘rast, ministri Basha informoi komisionerin Rehn mbi ecurinë e procesit të prodhimit dhe shpërndarjes së letërnjoftimeve dhe pasaportave biometrike. Sot, më datën 24 shkurt, ministri Basha do zhvillojë takimin vjetor me Trojkën e BE-së në kuadër të dialogut politik Shqipëri-BE. Aplikimi i Shqipërisë për statusin e vendit kandidat ishte një angazhim i ndërmarrë pak kohë më parë nga Kryeministri Sali Berisha dhe ministri i Jashtëm, Lulzim Basha. Një hap i tillë pritet të kryhej në fund të muajit prill ose në fillim të majit të këtij viti.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›