E Diel, 1 Nëntor 2026

"Bashkimi i ri do të dalë fitues më 28 qershor"

Peshkopia ishte ndalesa e radhës e kryetarit të PS për të takuar të rinjtë, të cilët i janë bashkëngjitur thirrjes për të qenë lajmëtarë të domosdoshmërisë për ndryshim. Në këtë takim me të rinj vullnetarë të PS por jo vetëm, është vënë theksi te ndryshimi i politikës për të sjellë rezultate reale në vetë qeverisjen e vendit. Kryetari socialist, Edi Rama, nga Peshkopia drejtoi gishtin në plagën e analfabetizmit, e cila është shtrirë masivisht sidomos në zonat e thella të vendit, qofshin këto në Veri apo në Jug të vendit. "Nuk mund të ketë një Shqipëri që shkon në shkollë dhe një Shqipëri që s‘di shkrim e këndim në shekullin e 21 në mes të Evropës, kur për faqen e zezë të politikës së vjetër të politikanëve është ringjallur dhe po përhapet analfabetizmi", u shpreh Rama. Sipas tij, qeveria e bashkimit të ri të qytetarëve, që do fitojë më 28 qershor, do të jetë qeveria e parë e këtij vendi që do t‘i shohë e do t‘i trajtojë fëmijët e qytetit dhe të fshatit në të gjithë territorin e Shqipërisë, si fëmijë të barabartë të Republikës së Shqipërisë. "Problemi ynë është për të mos e lënë Shqipërinë, për të mos e lënë gjeneratën e re, që Sali Berisha ta zhysë më keq në papunësi, korrupsion e varfëri", theksoi Rama. Nga Peshkopia, kreu i PS-së u bëri të qartë socialistëve se nuk u intereson një pazar kryetarësh, por një bashkim i ri qytetarësh. Në vlerësimin e tij janë pazaret e zanatçinjve të vjetër që e kanë lënë vendin prej 18 vjetësh në këtë gjendje, Ndaj dhe një herë, Rama shprehu vendosmërinë e tij për të ndryshuar vetë politikën dhe mënyrën e të bërit politikë, pasi qeveria, theksoi lideri i opozitës, duhet të jetë qytetarëve dhe jo e shumatores së kryetarëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›