Durrës, faturat e OSSH janë absurde dhe të papërballueshme
Aktivistë të lëvizjes G99 vizituan dje disa familje pensionistësh në qytetin e Durrësit, të cilat kanë ngritur shqetësimin ashtu si qindra familje të tjera në të gjithë Shqipërinë mbi faturat e OSSH. Këto fatura shënojnë shifra konsumi mbi 600 kilovat/orë në muaj, që duken absurde për një familje normale me pajisje modeste. Pensionistët rrëfejnë se ata e kanë të papërballueshme të paguajnë fatura të tilla dhe se ushqimet e ilaçet i marrin me lista dhe në bazë të njohjes në komunitet. Veliaj tha për mediat se "është e patolerueshme që një pensioniste që merr rreth 50 mijë lekë të vjetra në muaj të ketë një faturë që është mbi 70 mijë lekë të vjetra. Ishim bashkë prezentë ku faturat e tyre të gjitha shënonin 600 kilovatë/orë dhe nuk ka asnjë mënyrë që të gjitha këto gra të një shkalle të jenë koordinuar që të shpenzojnë njëlloj". Në qoftë se, vijoi ai, qeveria ka probleme dhe do të risë të ardhurat, të gjejë mënyra të tjera pa vjedhur qytetarët e ndershëm.