E Diel, 1 Nëntor 2026

I vdes gjyshja, 18-vjeçari tenton t‘i japë fund jetës

I lidhur fort emocionalisht, një 18-vjeçar nga Durrësi ka tentuar t‘i japë fund jetës së vet pas vdekjes së gjyshes së tij. Djali ka konsumuar një grusht medikamentesh mjekësore, të cilat i përdorte gjyshja e tij dhe familjarët e kanë gjetur në gjendje të rëndë shëndetësore. Ngjarja ka ndodhur në Lagjen 18 të Durrësit, ku shtetasi A.P., ka përdorur një sasi të konsiderueshme medikamentesh, duke dashur kështu të reagojë për humbjen e së afërmes. Familjarët e kanë dërguar me shpejtësi në Spitalin Ushtarak në Tiranë për të marrë ndihmë mjekësore. Paraprakisht është deklaruar se tentativa për vetëvrasje është pasojë e tronditjes që ka pësuar adoleshenti me vdekjen e gjyshes së tij disa ditë më parë. Megjithatë nuk përjashtohen as shkaqe të tjera që të kenë çuar në një gjendje të rëndë psikologjike të të riut. Gjithsesi, zyrtarisht është deklaruar se gjendja e tij e rënduar është shkaktuar nga vdekja e gjyshes dhe kjo e ka çuar 18-vjeçarin drejt konsumit të të gjitha medikamenteve që ajo përdorte para vdekjes për të mbajtur nën kontroll sëmundjet e pleqërisë. Burimet policore bënë të ditur se materialet për veprën penale të shkaktimit të vetëvrasjes së mbetur në tentativë i kanë kaluar për hetime të mëtejshme organit të akuzës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›