Alarm për tritol pranë shtëpisë së Topallit
Një pako e dyshimtë, vendosur në oborrin e shkollës jopublike 9-vjeçare, "Zera e Krishtit", në Shkodër, ka krijuar dje orë të tëra paniku. Gjatë gjithë paradites së djeshme, jo vetëm nxënësit e shkollës, por edhe qytetarët kalimtarë kanë përjetuar një moment frike. Informacionet e para ishin tepër konfuze, pasi fare pranë shkollës ndodhet dhe shtëpia e Kryeparlamentares Jozefina Topalli. Gjithçka ka nisur pas një telefonate nga mësuesit e shkollës në sallën operative, ku është informuar se fare pranë derës së shkollës gjendet një material i ngjashëm me eksploziv, në gjendje të pashpërthyer. Në fillim ka qenë roja i shkollës që ka parë lëndën shpërthyese, çka i ka ngjarë me material të laboratorit të fizikës. Roja ka lajmëruar mësuesit dhe këta të fundit kanë dhënë alarmin. Kaq është dashur dhe menjëherë janë vënë në lëvizje drejtuesit më të lartë të policisë, prokurorisë dhe SHISH-it, të cilët mbërritën të gjithë në vendngjarje. Në fillim, rreth orës 13:30 uniformat blu kanë nxjerrë të gjithë fëmijët e shkollës 9-vjeçare nga ambientet ku ishin. Më pas policia është treguar e kujdesshme që të mbajë sa më larg gazetarët, duke mos i lejuar të afrohen te vendi i ngjarjes për të filmuar dhe fotografuar objektin që shkaktoi panikun. E gjithë zona është mbajtur nën vëzhgim nga forca të shumta policie, të cilët kishin rrethuar vendin e ngjarjes në pritje të ekspertëve të RENEA-s, që do të çaktivizonin lëndën e cila mendohej se është eksploziv. Ngjarja është ndërlikuar më shumë pasi fare pranë vendit të ngjarjes ndodhej shtëpia e Kryetares së Parlamentit, Jozefina Topalli, e cila po sot ishte në Shkodër në një ceremoni mortore. Më pas, rreth orës 12:30 kanë mbërritur nga Tirana ekspertët e çaktivizimit të lëndëve plasëse, RENEA, të cilët ndërhynë menjëherë dhe bënë të mundur çaktivizimin e saj. Veprim që u krye përmes shpërthimit të kapsollave të vendosura në trupin e lëndës plasëse. Të gjitha këto veprime të policisë janë ndjekur nga kureshtarë të shumtë, të cilët ishin mbledhur në afërsi të vendit të ngjarjes për të parë nga afër se çfarë po ndodhte. Pas çaktivizimit të lëndës, e gjithë policia e Shkodrës, nëpërmjet një komunikimi me mediat, ka saktësuar se sipas grupit hetimor dhe ekspertëve të lëndëve plasëse është arritur në përfundimin se kemi të bëjmë me një imitim të lëndës plasëse tritol. Në fakt, lënda e dyshimtë, bazuar në versionin e policisë lokale, ishin fishekzjarrë, të cilat nuk kanë pasur asnjë rrezik për njerëzit e pranishëm. Pavarësisht se për fat të mirë qëlloi që të ishte e tillë, burime konfidenciale pohuan për gazetën se policia dhe strukturat e Shërbimit Informativ Shtetëror kanë nisur një hetim të imtësishëm në lidhje me ngjarjen. Qëllimi mbetet të zbulohet se kush dhe pse u vendosën fishekzjarrët e imituar si kallëp tritoli. Veprim që do të çonte në zbardhjen e plotë të ngjarjes.