E Diel, 1 Nëntor 2026

26 milionë euro për energji, 62 milionë për shpërblimet

16/12/2008  Qeveria vendos rialokimin e fondeve për KESH-in, pensionistët dhe administratën

Qeveria miratoi dje në një mbledhje jashtë radhe rialokimin e një fondi prej 26 milionë eurosh, i cili do të përdoret si kredi dhe subvencion për KESH-in dhe një fondi prej 62 milionë eurosh, që do të përdoret për shpërblime për pensionistët dhe punonjësit e administratës me rastin e Vitit të Ri. Dekreti qeveritar është vlerësuar nga Kryeministri Berisha si rezultat i një perfomance financiare më të mirë nga ç’ishte parashikuar, të cilat burojnë nga miradministrimi i borxhit dhe interesave të borxhit, si dhe nga ruajtja e fondit të kontingjencës. Ndërkohë burime qeveritare shprehen se një pjesë e konsiderueshme e fondeve që janë rialokuar kanë të bëjnë me mosrealizimin e investimeve në fushën e arsimit dhe shëndetësisë gjatë 10 muajve të vitit 2008. Të njëjtat burime shprehen se pamundësia për realizimin e këtyre projekteve deri në fund të vitit ka bërë rialokimin e fondeve në drejtim të KESH-it dhe dhënies së shpërblimeve për festat e fundvitit.

Deklarata e Berishës

Kryeministri Sali Berisha u shpreh dje gjatë mbledhjes së qeverisë se shpenzimet për personelin dhe shpenzimet e tjera janë shkurtuar në masën e 1.2 miliard lekëve, duke e vlerësuar këtë si një kursim shumë të rëndësishëm. Berisha u shpreh se si rezultat i realizimit të të ardhurave jobuxhetore në masën 2 miliardë lekë si dhe zhvendosjeve nga disa projekte në projekte të tjera, në tërësi është krijuar një fond prej 12 miliardë lekë. “Nga këto 12 miliardë 62 milionë euro janë shpërblimi që ne do t’u japim pensionistëve të vendit për Vitin e Ri dhe punonjësve të administratës, shumë kjo e konsiderueshme, sepse ne njëfarë mënyre kjo është e barabartë me rritjen qartësisht prej 5 % të pensioneve të fshatit mbi rritjen që kemi bërë në muajin korrik dhe rritja prej 3 % e pensioneve të qytetit mbi rritjen që kemi bërë në muajin maj”, - tha Berisha. Sipas tij, shpërblimi për punonjësit buxhetorë nis nga 100 mijë lekë deri në një rrogë. “Duhet të qartësojmë edhe njëherë drejtuesit e institucioneve se aty ku fondi i pagave lejon për të dhënë rrogën, rroga shtesë do t’u jepet e plotë punonjësve me rrogë të ulet dhe pjesa tjetër do të ndahet sipas përqindjes që kanë”, - tha Berisha. Ndërkohë në lidhje me rialokimin e fondeve për KESH-in Berisha theksoi se korporata ka zbatuar me rigorozitet direktivën e qeverisë për importin e sasive maksimale të mundshme të energjisë, duke u shkëputur kështu nga praktikat e kufizimit të energjisë. “Drejtuesit kanë qenë në krye 24 orë në 24 orë për të menaxhuar me turbinat dhe kanë përballuar situata mjaft kërcënuese në Vaun e Dejës dhe në Koman, por nuk është derdhur nga tunelet asnjë pikë ujë”, - tha Berisha. Sipas tij, importi i energjisë do të vazhdojë, në mënyrë që qytetarët të mos vuajnë nga ndërprerjet e programuara të energjisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›