E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS-ja ultimatum PD-së: Të mbyllet Kodi këtë javë

16/12/2008  Kuvendi vendos ringritjen e komisionit ad hoc për dekretin

Komisioni ka të drejtë të diskutojë dhe çështje të tjera për Kodin veç dekretit

Partia Socialiste do ti kërkojë Partisë Demokratike që brenda kësaj jave komisioni i posaçëm për reformën zgjedhore të përfundojë punën për dekretin e Presidentit mbi Kodin Zgjedhor. Një vendim i tillë u mor dje gjatë mbledhjes së grupit parlamentar socialist. Në këtë mënyrë, ligjvënësit socialistë qëndrojnë të palëkundur në vendimin e tyre për të mbyllur sa më shpejt dhe në mënyrë përfundimtare Kodin e ri Zgjedhor. Ndërkohë tashmë Kuvendi vendosi ringritjen e Komisionit për Reformën Zgjedhore. Por në këtë vendim nuk është i përcaktuar afati se sa do të zgjasë puna në këtë komision. Njëkohësisht ky vendim nuk kushtëzon diskutimin e çështjeve të tjera veç dekretit të Presidentit.

Vendimi i PS-së

Ligjvënësit socialistë do të insistojnë që diskutimi për ligjin elektoral të mbyllet brenda kësaj jave. Burime pranë PS-së bënë me dije se gjatë mbledhjes së djeshme grupi kuvendor socialist vendosi që t’i drejtojë PD-së një kërkesë të tillë, e cila më së shumti vjen si një ultimatum për kampin e djathtë. Kjo pasi në gjykimin e socialistëve është Partia Demokratike ajo që zvarrit marrjen e një vendimi mbi dekretin e Presidentit për Kodin Zgjedhor. Ndërkohë socialistët do të vijojnë të këmbëngulin dhe lidhur me një moment tjetër të punës së Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore. Konkretisht PS-ja nuk do të tolerojë që në këtë komision të diskutohen çështje të tjera, por vetëm dekreti i Presidentit për Kodin Zgjedhor. Arsyeja për të cilën kreu i shtetit Bamir Topi nuk e dekretoi këtë ligj lidhej me dispozitën e nenit 9, pika 2 e tij, rregullim që sipas vlerësimit të Presidentit binte ndesh me nenin 8 të ligjit të ardhur për shpallje. Në gjykimin e socialistëve një gjë e tillë mund të rregullohet përmes një dispozite kalimtare. Megjithatë, mbetet në vullnetin e të gjitha palëve në komision për ecurinë e një çështjeje të tillë.

Vendimi

Kuvendi me konsensus të të gjitha palëve vendosi ringritjen e Komisionit për Reformën Zgjedhore për të rishqyrtuar nenet e kontestuara nga Presidentit i Republikës. Vendimi i miratuar nga Kuvendi nuk përcakton asnjë datë si afat brenda të cilit ky komision do të ushtrojë mandatin e tij shtesë, pasi në afat është Rregullorja e Kuvendit ajo që i lë si afat tetë javë kohë para se të paraqesë në Kuvend raportin e tij. “Komisioni përgjegjës e shqyrton dekretin vetëm për çështjet e paraqitura nga Presidenti i Republikës dhe brenda 8 javëve nga data e fillimit të shqyrtimit paraqet raportin e tij”, - thuhet në Rregullore, në nenin 86 të saj. Ky komision përveç afateve të presidentit pritet të ridiskutojë edhe afatet për ngritjen e KQZ-së dhe paraqitjen pranë saj të listave të zgjedhësve, afate këto që skadojnë, po të llogaritet koha e shqyrtimit nga komisioni dhe hyrja në fuqi e këtij. Po sipas Rregullores, raporti i komisionit përgjegjës përmban edhe mendimin e komisionit dhe sipas rastit edhe propozime për nene të veçanta të ligjit. Futja e komisionit në diskutime jashtë dekretit të Presidentit, argument i mbrojtur fort sidomos nga Partia Socialiste, do t’i hapë rrugë në mënyrë automatike diskutimit të neneve që përcaktojnë pjesëmarrjen e partive në proceset administruese të procesit zgjedhor, ndryshe kërkesat e LSI-së dhe PDK-së.

Kritika për Leskaj

Ligjvënësit socialistë kanë shprehur pakënaqësi ndaj mënyrës se si drejtohet grupi parlamentar i PS-së. Gjatë mbledhjes së djeshme të këtij grupi deputetët socialistë nuk kanë ngurruar që të shprehin rezervat e tyre ndaj kryetares së grupit kuvendor socialist Valentina Leskaj. Sipas disa deputetëve të Partisë Socialiste, Leskaj nuk menaxhon si duhet kohën e vënë në dispozicion për të diskutuar në Kuvend.

Vendimi

Futja e në axhendën e diskutimeve në komisionin që do të shqyrtojë dekretin e Presidentit për Kodin e ri Zgjedhor edhe çështje të tjera lë rrugë të lirë që partitë e vogla në Parlament të paraqesin propozimet e tyre dhe më pas komisioni të vendosë mbi to. Në këtë mënyrë përmes këtij vendimi Parlamenti i hap në mënyrë automatike rrugë edhe diskutimit të neneve për administrimin e procesit zgjedhor.

Pretendimi

“Të vegjlit” qenë shprehur të bindur se rikthimi i Kodit në Kuvend nga ana e Presidentit erdhi për shkak të kontestimeve që këto parti kishin mbi këtë ligj. Kështu, LSI-ja e PDK-ja këmbëngulin në qëndrimin e tyre se Kodi Zgjedhor u kthyer për shkak të logjikës me të cilën është bërë ligji dhe mungesës së transparencës që e ka shoqëruar atë. Ndaj kërkon që PD-ja dhe PS-ja të reflektojnë ndaj kësaj çështjeje.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›