E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sllovakia - zyrë diplomatike në Tiranë

16/12/2008  Basha takon Svedan

Ministri i Jashtëm Lulëzim Basha vlerësoi dje rolin konstruktiv që ka luajtur Sllovakia për paqen dhe stabilitetin në rajonin e Evropës Juglindore. Gjatë takimit të zhvilluar me të ngarkuarin me punë të Republikës së Sllovakisë Ivan Sveda me rastin e hapjes së zyrës në Shqipëri, Basha e konsideroi si shumë pozitiv vendimin e qeverisë sllovake për njohjen e pasaportave të Kosovës. Ministri i Jashtëm u shpreh se janë të mirëpritura edhe qëndrimet e mëtejshme të Sllovakisë, që kontribuojnë për rritjen e sigurisë dhe qëndrueshmërisë në rajon. Basha shprehu gjithashtu mirënjohjen për mbështetjen që Sllovakia i ka dhënë Shqipërisë në proceset integruese euroatlantike dhe evropiane. Ministri i Jashtëm tha se përvoja sllovake në këto procese është një model i suksesshëm dhe frymëzues. Gjatë takimit Sveda i dorëzoi Bashës letrën e ministrit të Punëve të Jashtme të Sllovakisë Jan Kubis, me anë të së cilës njoftohet emërimi si i ngarkuar me punë i zyrës në Tiranë, që pritet së shpejti të shndërrohet në ambasadë të Republikës së Sllovakisë në Shqipëri. Ministri Basha shprehu besimin se ky është një hap që do të do të ndikojë në intensifikimin e mëtejshëm të marrëdhënieve shumë të mira mes dy vendeve në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›