E Shtunë, 31 Tetor 2026

27 maj 2008

  Mbledhja e Komisionit për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin   Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, në mbledhjen e datës 27 maj 2008, vazhdoi shqyrtimin  e projektligjit Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.9734, datë 14.5.2007, Për turizmin.
Ishin  të pranishëm në mbledhje Ministri i  Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ylli Pango dhe përfaqësueset e kësaj Ministrie, Alma Kokonozi dhe Ertenka Çabej, Zëvendësministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe  Energjetikës, Eno Bozdo, si dhe  operatorët e turizmit: Sadik Malaj dhe Zak Topuzi.
Fillimisht u dëgjuan  shpjegimet e Ministrit, Ylli Pango. Ai shpjegoi se ky amendament ka qëllim të merren masa ndaj atyre që kanë bërë shkelje në zonat turistike dhe  me anë të tij të bëhet e qartë sesi do të zhvillohet në të ardhmen  turizmi.   Zëvendësministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe  Energjetikës, Eno Bozdo u shpreh kundër tendencës së licensimit  të të gjithave aktiviteteve  turistike. Disa prej tyre mund t`i lihen konkurencës.Ai ftoi të  mbahet qëndrim sa më liberal ndaj këtyre aktiviteteve në zonat turistike.
Relatori i Komisionit për këtë projektligj, deputeti Pilo Keri u shpreh kundër në parim me  këtë projektligj, ndërsa operatorët e bisnesit kërkuan kohë që të njiheshin  me të.  Më tej,  u kalua në diskutimin në parim të projektligjit. Deputetët e opozitës  shprehën  bindjen se   në këtë projektligj vihet re tendenca e përthithjes së kompetencave të pushtetit vendor nga ai qendror, ndërsa deputetët e pozitës u shprehën se amendamenti në fjalë do të frenojë shkeljet e bëra në zonat turistike.
Shqyrtimi i  projektligjit  do të vijojë në   mbledhjen e ditës së hënë,  në  orën 10 00.
  (Për më shumë informacion kontaktoni me zyrën e Komisionit në numrin: + 355 27 82 93).   Mbledhja e Komisionit për Edukimin  dhe Mjetet e Informimit Publik   Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e informimit Publik në mbledhjen e Tij të datës 27 maj 2008, kishte parashikuar që të ishte i pranishëm Minsitri i Arsimit dhe i Shkencës Genc Pollo  për të informuar Komisionin për  dy çështje nga ana e tij:   1. Gjendja e Shkollave në përgjithësi e në vecanti për shkollën e mesme Pjeter Budi, të Matit.
2. Zbatimi i ligjit 9741,dt. 21 maj 2007 Për Arsimin e Lartë në Republikën e Shqipërisë të ndryshuar,sidomos nxjerrja e akteve nënligjore për nenin 51 të këtij ligji në të  cilin thuhet: Personeli akademik gëzon status të veçantë.   Duke qenë se Ministri nuk u paraqit në mbledhjen e sotme në Komision, meqë ishte në një takim të rëndësishëm, deputetët shprehën oipinionet e tyre duke kritikuar Ministrin për mospjesëmarrjen në këtë mbledhje për faktin se është mbledhja e tretë që ai nuk paraqitet në Komision.
Më pas Komisioni ridiskutoi rreth letrës së nënshkruar nga Kryetari i Shoqatës së Medias Elektronike, Aleksandër Frangaj, në të cilën flitet për shkelje, të nenit 14 papajtueshmëritë të   ligjit nr . 8410 dt. 30.09.1998, Për radion dhe televizionin publik dhe privat në Republikën e Shqipërisë, të ndryshuar,  nga  Frano Kulli, anëtar i KKRT-së.
Pas diskutimeve lidhur me këtë problem, Komisioni vendosi që në mbledhjen e tij datës 28 maj 2008 ora 10.00 të jetë i pranishëm z.Frano Kulli.
  (Për më shumë informacion kontaktoni me zyrën e Komisionit në numrin: + 355 27 82 96).
  Komisioni për Politikën e Jashtme dhe Marrëdhëniet Ndërkombëtare miraton katër projektligje
Në datën 27 maj  2008, u zhvillua mbledhja e Komisionit për Politikën e Jashtme për shqyrtimin e projektligjeve:
 
1. Propozimin e projektligjit Për ratifikimin e marrëveshjes së kontributit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe AL-DIWAN AL-EMIRIT, të shtetit të Kuvajtit, për financimin e projektit Rinovimi i sheshit Skëndërbej dhe restaurimi i xhamisë së Ethem Beut në Tiranë.
 
2. Propozimin e Projektligjit Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në konventën evropiane Për trajtimin doganor të paletave të përdorura në transportin ndërkombëtar
 
3. Propozimin e Projektligjit Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në marrëveshjen evropiane për zbatimin e nenit 23, të konventës së vitit 1949, për trafikun rrugor, në lidhje me përmasat dhe peshën e mjeteve, që lejohen të udhëtojnë në rrugë të caktuara të palëve kontraktuese.
 
4. Propozimin e Projektligjit Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në marrëveshjen e pjesshme, të zgjeruar, në sport.
 
 
Deputetët diskutuan dhe miratuan në unanimitet këto projektligje.
 
(Për më shumë informacion kontaktoni me zyrën e Komisionit në numrin: + 355 27 82 87).     Sektori i Marrëdhënieve me Mediat i Kuvendit
Tel/Fax: +355 4 23 74 18/ Tel: +355 4 26 48 95; e-mail: zyraeshtypit@parlament.al ;
pressoffice@parlament.al ; info@parlament.al .    

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›