29 maj 2008 - Kuvendi diskuton raportin e KSHC-së
Kuvendi u mblodh në seancë plenare ditën e enjte, më 29 maj 2008, ora 10:00, nën drejtimin e Kryetares Jozefina Topalli dhe, ndër të tjera, diskutoi mbi raportin vjetor të Komisionit të Shërbimit Civil. Fillimisht, gjatë diskutimeve jashtë rendit të ditës, deputetët u përqëndruan në probleme të sistemit shëndetësor, në çështjen e luftës ndaj korrupsionit, në reformat e Qeverisë, në çështjen e lirisë së medias, në probleme të zonave zgjedhore, etj. Kryetarja Topalli njoftoi ndërprerjen e seancës dhe ftoi deputetët në homazhet që u zhvilluan në mjediset e Qendrës Kulturore të Ushtrisë, në nder të oficerit të policisë Gjergj Mehmeti, i cili humbi jetën në vitin 1997. Pas rifillimit të seancës, Kuvendi mori në shqyrtim dhe miratoi projektligjin Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Mbretërisë së Danimarkës për ripranimin e personave me qëndrim të paautorizuar, si dhe projektligjin Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Mbretërisë së Danimarkës për lehtësimin e lëshimit të vizave.
Ndërkohë, me propozim të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike dhe Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, u vendos që të shtyhej shqyrtimi në seancë i projektligjit Për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore, që do të diskutohet edhe njëherë në komisione me qëllim gjetjen e konsensusit. Në vijim, deputetët dëgjuan raportin vjetor të Komisionit të Shërbimit Civil, që u paraqit nga Kryetarja e këtij Komisioni, Mimoza Hysenaj. Në fjalën e saj, zonja Hysenaj u përqendrua në punën e KSHC-së si arbitër i vendimeve të institucioneve mbi administratën publike. Ajo bëri një paraqitje të shkurtër në lidhje me respektimin e afateve të shqyrtimit për ankimet, si dhe në lidhje me statistikat për numrin e ankimeve. Gjithashtu, Kryetarja e KSHC-së paraqiti të dhëna mbi kontrollin e zbatimit të vendimeve të këtij institucioni, ndjekjen e rekomandimeve kundrejt institucioneve të tjera, etj. Më tej, deputetët vazhduan me diskutime mbi raportin e paraqitur nga zonja Hysenaj. Seanca plenare i mbylli punimet rreth orës 14:35, ndërkohë që Kuvendi do të mblidhet sërish në seancë plenare ditën e hënë, më 2 qershor 2008, ora 18:00.
Sektori i Marrëdhënieve me Mediat i Kuvendit Tel/Fax: +355 4 23 74 18/ Tel: +355 4 26 48 95; e-mail: zyraeshtypit@parlament.al ;
pressoffice@parlament.al ; info@parlament.al .