27 vendet e BE-së diskutojnë sot krizën në Greqi
Kriza financiare në Greqi pritet të jetë në qendër të debatit në takimin e udhëheqësve të 27 vendeve anëtare të Bashkimit Europian. Në takim do të diskutohen masat për të ndihmuar Greqinë për të tejkaluar krizën dhe për të lehtësuar defiçitin buxhetor. Në mesin e vendeve anëtare ekziston droja se kriza greke mund të kërcënojë vlerën e euros e në veçanti të ketë ndikim negativ në vende të tjera të eurozonës si Portugalia apo Spanja. Pak ditë më parë, kryeministri grek Jorgos Papandreu në një apel drejtuar kombit, shpalli masat emergjente të programit të tij të rreptë të kursimeve. Papandreu theksoi se masat do ta shpëtojnë "vendin nga gremina" dhe do ta vendosin ekonominë "në orbitë zhvillimi". Shkurtimet drastike të shpenzimeve publike dhe lufta kundër evazionit fiskal, ngrirja e pagave në sektorin publik si dhe rritja e taksës së karburantit ishin disa nga masat e shpallura prej tij. "Sot Greqia ndodhet në epiqendër të një loje spekulative më të gjerë që ka në shenjestër vetë euron", tha Papandreu duke fajësuar në radhë të parë për situatën e "pa precedentë" të ekonomisë greke, politikën vendase.
Kështu, për shpëtimin e Greqisë nga falimentimi diskutojnë sot në Bruksel kryetarët e qeverive dhe të shteteve anëtare të BE-së. Kriza e Greqisë, mund të infektojë 26 vendet e tjera, dhe nën presionin e shtimit të borxheve të shteteve të ndryshme anëtare, Europa ka gjasa të bjerë përsëri në krizë të plotë ekonomike dhe financiare, duke shkaktuar një situatë mjaft serioze. Një konfirmim i tillë bëhet i ditur nga ekspertët e ekonomisë në institucionet më larta financiare europiane. Kriza e re ekonomike mund të përhapet nga Greqia, e cila ka një deficit të lartë, në vendet si Spanja dhe Portugalia, me një rrezik të infektimit shumë të gjerë. Për këtë arsye, mendohet të vihen kredi në dispozicion nga shtetet individuale, në koordinim me grupin e 27 vendeve anëtare të BE-së për të mos lejuar kështu transportimin e krizës nga Greqia në shtete të tjera të Bashkimit Europian. Ndërkaq, për Bankën Qendrore Evropiane, një shqetësim të madh po paraqet edhe rënia gjithnjë e më shumë e vlerës së euros, e cila po ndryshon kuota minimale kundër dollarit.