E Shtunë, 31 Tetor 2026

28 Nëntor 1938: Themelohet Radio Tirana!

Nga Besnik Dizdari

Sot, në ditën e Pavarësisë, atë të 28 Nëntorit të vitit 2008, mbushen plot 70 vjet nga përurimi i Radio Tiranës, natyrisht e para në historinë e Shqipërisë. Siç kemi shkruar me kohë, mu më 1 shtator 1938, 30-vjeçari Anton Mazreku përmes zërit të tij asokohe të panjohur, mahniti shqiptarët duke iu dhënë për herë të parë në histori një ndeshje futbolli përmes Radios, çka e bënte Shqipërinë një nga vendet e para në Evropë për një transmetim radiofonik të drejtpërdrejtë! Atë ditë SK Tirana shkatërronte 7-0 skuadrën greke Iraklis të Kavallës, në Shallvaren e famshme të Tiranës dhe gazeta "Sporti Shqiptar" e kohës njoftonte se "Matchi u transmetua me radio nga ana e z. Anton Mazrekut dhe kjo asht e para herë që ngjet një gjë e tillë në vendin tonë".

Ka qenë 10-vjetori i Mbretërisë Shqiptare që u përcoll me festime të mëdha dhe që merrte bujë me përurimin e Radio Tiranës, afërsisht dy muaj mbas provës përmes transmetimit radiofonik të ndeshjes së Sportklub Tiranës kundër Iraklis të Kavallës të Greqisë, të cilën Riza Lushta me shokë e kishin mposhtë në një 7-0 të papërmbajtshëm.

Ai ishte një stacion që do të transmetonte në valë të shkurtra dhe të gjata dhe se ishte ndërtim i firmës “Ufficio Marconi” të Romës me fuqi 3 Kw dhe se kishte kushtuar 122.500 franga ari. Stacioni do të përfshinte tri valë të ndryshme: një valë në 40.066 metra, një tjetër në 30.04 dhe një tjetër 19.03.

Por nuk duam as të përsërisim dhe as të zgjatemi. Në kërkimet tona gjetëm këto dy foto të jashtëzakonshme në këte frontespic të gazetës “Drita” të 30 nëntorit 1938, ku duken duke përshëndetur pranë njeri tjetrit para mikrofonave të parë radiofonikë në Shqipëri, Mbreti Zog dhe Mbretëresha Geraldina. Ky fakt, këto foto të bëra të njohura për popullin shqiptar 48 orë mbas përurimit të Radio Tiranës, sot mbas 70 vjetëve përbëjnë për ne një lloj zbulimi, ndonëse ato aty kanë qenë. Mirëpo ahistoria i kishte varrosë kështu së bashku. Dhe të vjen tejet rëndë, kur pinjuej të Regjimit të rënë prej gati dy dekadash, shtrojnë pyetjen tashmâ “a duhet rishkruar historia?” Natyrisht për të nënkuptuar retorikën e mosrishkrimit të saj. Na duket fyese kjo pyetje për një vend i cili ende nuk e ka shkruar përsëmbari historinë e tij. Kësisoj, më parë na duhet ta shkruajmë historinë, e vetëm mandej ta rishkruajmë, nëse kjo do të ishte nevojshme, gjithnjë me kuptimin për të flakur tej rrénat që vazhdojnë t’i kemi nëpër këmbë, e që na ndalojnë të mbërrijmë tek e vërtet e pastër…

Por le t’i kthehemi kronikës së 28 Nëntorit 1938.

Në qendrën e sapongritur të Radiostacionit në Laprakë të Tiranës, atë ditë 28 Nëntori të 70 vjetëve më parë, çuditërisht ditë e një dielli pranveror, kishin ardhur autoritetet më të larta të vendit: Kostaq Kota, kryeministër e me radhë Pandeli Evangjeli, Hiqmet Delvina, Imzot Visarioni, përfaqësues të të gjitha prefekturave të Shqipërisë, i gjithë trupi diplomatik, dhe qindra qytetarë të Tiranës.

Mbas pak mbërrin Mbreti Zogu I, i shoqëruar nga Mbretëresha Geraldina, dhe në çast ekzekutohet Himni Kombëtar. Ndërkaq, Mbretëresha merr një tufë me lule që ia dorëzon zonja e Drejtorit të Përgjithshëm të Postelegrafeve, Ing. Ndoc Naraçi, i cili mban këte fjalë të hapjes:

“Nalt Madhni,

Administrata e Postave, telegrafave dhe telefonave asht e lumtun që N.M. e Juej ka denjue me marrë përsipër inaugurimin e Stasionit Radiofonik të ri në këte ditë të bukur të përvjetorit të pamvarësisë së kombit t’onë. Ky gjest i N.M. S’Uej na tregon në një mënyrë të kjartë kujdesin e palodhshëm që i kushtoni përherë përparimit të vendit t’onë në shkencë dhe kulturë. Kjo vepër moderne e realizueme prej vullnetit të N.M.S’Uej na provon sheshazi se Shteti Shqiptar nën regjimin glorioz të N.M. S’Uej ka arritë nji shkallë zhvillimi si në pikëpamje teknike ashtu edhe kulturore, aq sa me muejt me përfitue nga çpikja e mrekullueshme e Radios. Ky stasion prej tre K.W. me valë të shkurtëra i ngrehun prej shpis Marconi me famë botnore, asht fjala e fundit e teknikës së sotëshme edhe përveç se do të jetë mjeti ynë ma i fortë propagande kombëtare, plotëson njiheri edhe dy nevojat e tjera të vendit t’onë, d.m.th. telefoninë tregëtare dhe telegrafën e shpejtë me gjithë shtetet e botës.”

Mandej afrohet Mbreti Zog dhe prêt shiritin kuq e zi të përurimit të Radios. Ai i drejtohet kabinës së posaçme ku duket mikrofoni i parë i Radio Tiranës, pranë të cilit ndodhet drejtori i parë i paharrueshëm i Radio Tiranës, gazetari i madh Gjergj Bubani, i jati i gazetarit të mëpastajmë, kolegut tonë të shquar dhe gjithashtu të paharrueshëm, Dionis Bubani. Gjergj Bubani është zëri i parë që del në eter. Ai njofton dëgjuesit se Mbreti dhe Mbretëresha të pranishëm, do të përshëndesin përmes këtij mikrofoni drejtpërsëdrejti nga Radio Tirana e sapopëruruar. Dhe mandej fjala përshëndetëse e Mbretit Zog “me gjuhë të kulluet dhe za që ruen të gjitha shenjat e zgjedhmënis së shqiptimit t’onë”, siç bën këte përcaktim krejt origjinal shtypi i kohës, i dhënë germë për germë me drejtshkrimin e kohës, që natyrisht përmban gjithë stilin e publicistikës së 70 vjetëve më parë:

“Të dashtun Shqiptarë,

Në kët çast të lumtun që po festojm Përvjetorin e pamvarësisë s’Onë, ndjej një kënaqësi të veçantë që po mundem me ju drejtue urimet si dhe ndjesinat e përzemërta të Mijat dhe të kombit gjithë bijvet të racës Shqiptare mbrenda dhe jashtë, larg, tej kufivet t’Atdheut t’Onë.

Tue inaugurue stacionin radio-fonik të Tiranës, e quej të tepërt me theksue randësinë që ky përmban për shvillimin kulturuer dhe për vëllaznimin e racës Shqipëtare.

Në kët rast, dëshiroj me ju drejtue nji porosi, Si Kryetar Suprem i juej: “Ku do që të jini, shtrini dorën vllazënisht njani tjetrit, tue ju kushtue me nji vullnet të papremun punës e përparimit, se s’mjafton fitimi i pamvarësisë s’Atdheut, por, Na duhet me u përpjek pa prâ për vëllazënimin e gjithë Shqiptarëvet dhe për konsolidimin e lulzimin e lirisë.

Me këto ndjenja, ju dërgoj shprehjet e dashunisë s’Ime të thellë”.

Dhe menjëherë Mbretëresha Geraldina. siç shkruen shtypi: “duke i shqiptue me ambëlsi të gjitha thekset e gjuhës s’onë, tha tekstualisht”:

Motra dhe vëllazën Shqiptarë,

Përfitoj prej këtij rasti të bukur, edhe ju dërgoj me zemër të lumtun, përshëndetjet e Mija, gjithë Shqiptarëvet dhe Shqiptarkavet”.

Vetëm kaq. Një ceremoni që ka zgjatë vetëm 15 minuta, nga ora 11.00 deri në orën 11.15 të 28 Nëntorit 1938, 70 vjet më parë, kur Shqipëria përuronte kështu, radion e saj, atë që ka mbetë më histori si Radio Tirana përmes së cilës është përshkuar gjithë historia dramatike e 70 vjetëve të këtij populli. Dhe është interesante, se tri orë më mbas, në orën 14.20 deri në 16.00, Radio Tirana transmetoi ndeshjen ndërkombëtare të futbollit, atë Sportklub Tirana – Majstor S’Mora e Splitit 4-2, duke qenë kjo radikronika e dytë e futbollit në historinë e Shqipërisë mbas asaj të dy muajve më parë të ndeshjes me Iraklis të Kavallës.

Edhe për ne vetëm kaq. Pa komente e shumë “ide” që sundojnë më tepër se ç’duhet gazetarinë e historinë tonë të sotme. Për fat, kemi harruar të përkujtojmë duke treguar…

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›