E Diel, 1 Nëntor 2026

Kulisa ruso-franceze, SHBA dhe plani prej gjashtë pikash i OKB për Kosovën

Nga Olsi Baze

Një nga lojërat familjare më të përhapura dhe më popullore në botë është padyshim Monopoly. Qëllimi i lojës është të blihen rrugë të famshme të botës, stacione treni, kompani publike të dritave dhe ujit e më pas të ndërtosh në këto prona duke bërë të tjerët të paguajnë kur kalojnë në to, ose t’i shkëmbesh me pjesëtarët e tjerë të lojës për të realizuar një seri zotërimesh që të bëjnë të fitosh lojën, e cila mund të zgjasë me orë të tëra.

Loja bëhet akoma më shumë interesante, nëse në të marrin pjesë disa lojtarë, numri i të cilëve shkon deri në 5 ose 6.

Qëllimi është copëzimi dhe blerja sa më parë e të gjitha rrugëve e më pas të zotërosh disa kryesore për t’i ndaluar të tjerët të fuqizohen dhe duke i eliminuar nga loja.

Plani që paraqiti Sekretari i Përgjithshëm i OKB i ngjason shumë qëllimit të lojës Monopoly.

Ky plan supozon që serbët në një anë, shqiptarët në anën tjetër të zotërojnë nga një pjesë të Kosovës për të qenë i kënaqur përkohësisht. Duhet thënë në të vërtetë se plani i Ban Ki Moon nuk sjell ndonjë gjë të re në realitet, sepse misioni i OKB, UNMIK, as trupat ushtarake nuk kanë ushtruar asnjëherë autoritetin e tyre që iu njeh Rezoluta 1244 dhe Plani Ahtisaari në Veri të Kosovës. Që prej vitit 1999 asnjëherë trupat e NATO-s nuk kanë hyrë në veri të Mitrovicës, ku është krijuar një minishtet paralel, sipas modelit të ndarjes së Bosnjë-Hercegovinës.

Pra, ndërkombëtarët kanë lënë këtë plagë të qelbëzohet, që me kohë të justifikohen që nuk ka më shërim dhe kjo po ndodh sot. Të ngazëlluar shqiptarët u mjaftuan me një pavarësi të kushtëzuar, një status që i përngjan atij të vitit 1913, kur njohja e pavarësisë së Shqipërisë u shoqërua me copëzimin e territoreve të saj. Historia po përsëritet po me ushtri të ndryshme, me forma të ndryshme diplomacie.

Momenti në të cilin paraqitet plani në Këshillin e Sigurimit të OKB përkon me një fazë, në të cilën shumë shtete shpresojnë që fundi i presidencës Bush do të sjellë një formatim të marrëdhënieve ndërkombëtare duke i shndërruar ato nga një model unipolar në multipolar.

Më të interesuar për këtë riformatim janë Franca, BE dhe Rusia, të cilat duke përfituar nga hapësira boshe e politikës së jashtme që ka lënë administrata amerikane në ikje, po mundohen të imponohen si aktorë të pakonturueshëm në një botë që tashmë ato mendojnë që do të jetë multipolare dhe të aktivizojnë një diplomaci që vepron pa u menduar mirë.

Nëse analizojmë nga afër ngjarjet botërore që prej muajit shtator, do të shohim që Rusia ndërmori një sulm të paprecedent ndaj një shteti sovran, Gjeorgjisë, duke dashur të aplikojë në Oseti një skenar, të cilin ajo vetë e denoncoi, teksa Kosovës iu njoh pavarësia.

Duke i treguar muskujt botës dhe Evropës, Rusia futi në vallen diplomatike Bashkimin Evropian të drejtuar nga një president i ekzaltuar si Nicolas Sarkozy, i cili përfitoi nga kjo krizë për t’u imponuar si ndërmjetës mes SHBA dhe Rusisë, por duke e bërë BE një aktor të padiskutueshëm të marrëdhënieve ndërkombëtare, sepse BE gjeti zgjidhjen e konfliktit. Pra, BE u shpall fitimtare nga vetë Moska.

Sarkozy në rolin e një “mediatori” midis Rusisë e Amerikës, duke mbështetur në një anë politikën e amerikanëve për sa i përket pavarësisë së Gjeorgjisë dhe anën tjetër duke u shfaqur përkrah Medvedevit, duke kritikuar projektin amerikan për vendosjen e raketave mbrojtëse në Evropë, duke argumentuar se kjo gjë nuk do t’i sillte asgjë Evropës, provokoi jo vetëm krizë brenda BE, por edhe acarimin e amerikanëve ndaj vetes. Mediat amerikane shkuan deri aty, saqë e konsideruan atë një president që mediatikisht di të bëjë shumë zhurmë me projekte, të cilat nuk finalizohen kurrë. Mjafton të kujtosh projektet e tij për një Union Mesdhetar dhe atë për një qeverisje ekonomike evropiane, për të kuptuar që ai bën shumë zhurmë për gjëra që nuk kanë kurrfarë suksesi dhe që mediat amerikane kanë të drejtë, teksa e konsiderojnë të tillë.

Sarkozy duke qenë në krye të presidencës evropiane për gjashtë muaj, përfitoi nga kjo situatë politike në Kaukaz i ndihmuar edhe nga kriza ekonomike që përfshiu botën duke kritikuar hapur sistemin ekonomik amerikan që ai e kishte lavdëruar shumë para se të bëhej president, kaloi në një ofensivë politike duke kërkuar një presidencë të BE dhe për dy vjet të tjera duke u pozicionuar si shpëtimtar jo vetëm në kuadrin e zgjidhjes së krizës financiare, por edhe atë politikës evropiane.

Dhe rasti më i mirë për të treguar që politika e BE po funksion, është Kosova.

I ndihmuar nga Rusia, që do ta shohë sa më shumë të zvogëluar praninë amerikane në Evropë, hartoi një politikë të re të BE në Ballkan, specifikisht në Kosovë, duke dashur ta kthejë EULEX në një mision evropian, i veshur me atribute të reja. Qëllimi është të nxjerrë jashtë loje SHBA, madje edhe vetë NATO-n.

Fakti që ministri i Punëve të Jashtme, Bernard Kouchner, do të takonte Ban Ki Moon dhe shprehte mbështetje për planin e tij, i cili forconte së tepërmi pozicionin evropian në Kosovë dhe anashkalonte SHBA, mënyra se si ai i kërkoi palës kosovare ta pranonte planin, para se vendet e Këshillit të Sigurimit të njiheshin me të, flet hapur për një diplomaci të kulisave dhe një plan që Franca dhe BE e njihnin shumë mirë më përpara sesa Ban Ki Moon ta paraqiste, për të mos thënë që ia vunë nën sqetull.

Franca e kënaqur nga plani i sugjeruar nga diplomatët e saj, si duket i ofronte në këmbim të paraqitjes së tij nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB, një mbështetje Ban Ki Moon për një mandat të ri në krye të organizatës, të cilën ai drejton.

Rusia, e interesuar nga ana e saj që Evropa të kthehet në një fuqi e re e marrëdhënieve ndërkombëtare, sepse me të ajo zhvillon samite të rregullta duke gjetur madje edhe një aleate te disa vende që janë kundër projektit amerikan për vendosjen e raketave si mburojë në Poloni dhe Çeki, ecën në anën e saj me idenë se plani i Ban Ki Moon, jo vetëm që do të dobësojë praninë amerikane në Evropë, sepse de facto sot prania më e madhe ushtarake amerikane mbas mbylljes se bazës në Gjermani ndodhet në Kosovë, por duke mbështetur këtë plan 6-pikësh që riformaton misionin e EULEX, ajo nxit rolin e një aktori të ri, BE, e cila është shumë e varur energjetikisht nga Rusia.

Konfiguracioni i ri i marrëdhënieve ndërkombëtare që duan të vënë në jetë Rusia dhe BE i ngjan shumë lojës Monopoly, por në të vërtetë ato kanë harruar një detaj shumë të rëndësishëm: në këtë lojë nuk është parashikuar që një nga lojtarët ka të drejtë vetoje, siç e ka SHBA në Këshillin e Sigurimit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›