E Shtunë, 31 Tetor 2026

Festimet kombëtare të 28 Nëntorit, dita e Flamurit dhe e Çlirimit, më 28 nëntor 1944

Nga Dr. Vasfi Baruti

Përkundër vendeve të Lindjes e Perëndimit, ku secili ka dhe feston një ditë çlirimi nga nazifashizmi, shqiptarët e politika të ndarë më dysh, me dy ditfesta çlirimi: për 18 vjet forca politike e djathtë, në pushtet e në opozitë, kremton 29 Nëntorin, dita e Flamurit dhe e Çlirimit, kurse e majta socialiste në pushtet e në opozitë feston 29 nëntorin, në të njëjtën ditë që feston Serbia ditën e çlirimit, e njësuar nga E. Hoxha me ditën e çlirimit të Shqipërisë dhe publikuar prej tij në telegramin e urimit që i dërgonte Titos më 29 nëntor 1947. Presidenti Mejdani e Moisiu, kishin protokoll zyrtar në ceremonialin e 29 nëntorit, dhe përndryshe presidenti Topi, që vitin e kaluar ishte pa protokoll në ceremoninë e festës së 29 nëntorit (në tavolinë, një tufë dokumente arkivore, që i botova në TemA e 28 nëntorit). 64 dokumente arkivore e të tjera (në faksimile), që datojnë 26 nëntor ’44 – 28 nëntor ’45, me tre argumente të pakundërshtueshme: 28 nëntori, dita e Flamurit dhe e Çlirimit, është festuar në Tiranë e në çdo qendër administrative të rretheve të vendit më 28 nëntor 1944, dhe është e njohur e tillë, dita e Flamurit dhe e Çlirimit, nga 27 nëntori ’44 deri 28 nëntor ’45; gjermanët largohen pa luftë nga qyteti i Shkodrës në mbrëmjen e 28 nëntorit; 29 nëntori, festa e çlirimit: vendim politik për ta njësuar me festën kombëtare të Jugosllavisë.

Festimet e 28 Nëntorit!

Më 26 nëntor 1944, në mbledhjen e qeverisë, E. Hoxha fliste dhe për festimet e “Ditës së 28 Nëntorit, dita e shënjtë e Independencës”, në vendin e çliruar, dhe theksonte se: “Akoma ka elementë që vazhdojnë rrugën e gabueme, ka në Shkodër afro 1500 veta, ka e në malësi popull që shkon qorrazi.” Në Berat, udhëheqja e partisë dhe qeveria gëzonte festën e çlirimit të plotë të vendit, ndërsa në Tiranë ishte ngritur komision pluralist: “Komisioni për Organizimin e Festës së 28 Nëntorit”, i cili bëhej nga Dr. Omer Nishani, Mehmet Shehu, komandant i Garnizonit të Tiranës, prefekti dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, përgjegjësi i rinisë antifashiste, përgjegjësja e gruas antifashiste, kreu i kishës ortodokse e katolike të Shqipërisë, Kryepiskopi Kristofor Kisi, dhe kreu i Myslimanizmit. [Prefekti, kryetari i bashkisë e përgjegjësi i rinisë antifashiste do të likuidoheshin në muajt që erdhën pas, kurse Kristofor Kisi u gjet i helmuar në kishën e Shën Prokopit.]

“Programi për kremtimin e 28 Nëntorit” [faksimile 1] Pika e parë e programit është “Tedeum në Faltore” (Tedeum, hymn fetar, kompozuar nga Shën Ambrozi. Tedeum, nga latinishtja: Të falemi o Zot); kurse pika e 15 e programit: “Festimi i ditës së madhe të 28 Nëntorit që përkujton fitimin e Independencës Kombëtare më 1912 dhe që sivjet koinçidon me festën e çlirimit të Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë.” Fare qartë: 28 Nëntori, dita e Flamurit dhe e Çlirimit të Shqipërisë. Më 28 nëntor gazeta Bashkimi botohej në numër i posaçëm, me redaksionale, që kapte faqen e parë në titullin: “Dita 28 Nëntori Ditë Lirije, Pavarësie për popullin e kombin shqiptar”, dhe mbyllej: “Lindi e rilindi vetë kombi shqiptar.” E njëjta gazetë e me të njëjtën redaksionale ribotohej në mbasditën e 28 nëntorit. Kur qeveria hyri në Tiranë, E. Hoxha i gjendur para faktit të kryer nga Komisioni, që 28 Nëntorin e përcaktonte festa e Flamurit dhe e Çlirimit, në mitingun e 28 nëntorit me popullin e Tiranës, në përshëndetjen e tij që në fillim deklaroi: “Dita e Flamurit u bë dita dy herë e shënjtë, dita e çlirimit dhe e bashkimit të popullit shqiptar.”; dhe, që deklarata e Hoxhës ishte e detyruar nga vendimi i Komisionit të festës së 28 Nëntorit, përveç shumë fakteve burimore është dhe botimi i fjalimit të tij 24 vjet më vonë, që e redakton redaktonte kështu: “Dita e flamurit u bë dita dy herë e shënjtë, Dita e Pavarësisë dhe e bashkimit të popullit shqiptar”, duke i hequr togfjalëshin “dita e çlirimit”!

28 Nëntori, Dita e Flamurit dhe e Çlirimit, u festua në Tiranë dhe në të gjitha rrethet e vendit me të deleguar anëtarë të qeverisë dhe kuadro të larta. Më 28 nëntor nga Çorovoda i dërgohej telegram Këshillit të Përgjithshëm Antifashist të Beratit: “Populli i Skraparit u mblodh sot në çdo qëndër komune dhe festoi me manifestime më të nxehta të parin 28 nëntor që popullin shqiptar e gjen plotësisht të çliruar në çdo fushë të jetës së tij. ...” [Faksimile 2] Kryetari i Këshillit, Nënprefekti i Skraparit, Reshat Gërmenja.”

Festimin e 28 Nëntorit kurveleshasit e bënë në një bregore të Gusmarit, ku ishin mbledhur fshatarët e gjithë krahinës: “Në Kurvelesh 28 Nëntor 1944 u festua me entusiazëm, muar pjesë të gjithë katundet e katundarët që erdhë me buzëqeshjen e tyre të vrazhdët si e kanë zakon kurveleshasit... u dha rasti që shokët të vinin në dukje se u fitua lirija e Shqipërisë, u nxuarr Flamuri nga rrethimi i sëpatave e muzeumeve të fashizmit dhe si sot asnjëherë nuk valonte i lirë dhe i pavarur. Në mesë të këtij gazi të pafrenueshëm vlen të shënojmë episodin e vrasjes se vajzës 8 vjeçare nga Rexhini- në Rexhin nga një bombë e pa plasur. Arriti lajmi duke i thënë babës së vajzës: - DULE BABILIT- T’U VRA VAJZA. Ay tha: “KORBAN i FESTIMIT” dhe nuk pushoi vallet e këngët deri në orët e para të natës që katundarët të gjithë u larguan për në katundet e tyre me këngë e hare...” [Faksimile 3 ] Festime të 28 Nëntorit bëheshin dhe nga shqiptarë përtej kufijve, si në Ohër, me hollësi në gazeta Luftëtari 1945:12 dhjetor.

Radio Londra, në emisionin e mbrëmjes transmetonte përshëndetjen e Z. Hill, i transkriptuar nga Haki Stërmilli, në shtabin e E. Hoxhës: “Independencë! Liri! Këto fjalë tingëllojnë ëmbël në veshin e çdo shqiptari. ...Populli shqiptar feston ditën e independencës në tokë të lirë, si në shtëpinë e vet. Unë kujtoj tani flamurin shqiptar, të ngritur në qytete e katunde, që e përshëndetni me gëzim e entusiazëmë. Sa do të dëshiroja të merrja pjesë në gëzimin t’uaj. Ju e fituat lirinë me luftë, gjak e sakrifica. ...Rroftë Shqipëria e lirë.” [Faksimile 4] Përshëndetja është botuar dhe në Buletini i Luftës Nacional-Çlirimtare, të 30 nëntorit ’44, por është pak e lexueshme. Departamenti i Shtetit, të USA, më 27 nëntor, ora 8 shkruan një Konfidenciale nr. 583, ia dërgon Ministrisë Jashtme të Shqipërisë, më 28 nëntor, ku krahas vlerësimit të luftës së popullit shqiptar, vjen me refleksionin: Sot, në tridhjet e dy vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, ju [shqiptarët] i jepni fund çlirimit të vendit. Buletini Ngjarjet e muajit, nga Agencia e Informacionit të USA (1945) ka disa faqe me shkrime e foto për festimet e çlirimit të Shqipërisë, dhe Konfidencialia e Departamentit të Shtetit përkon me konstatimin e Agjencisë së Informacionit: “Për çudi çlirimi i plotë i Shqipërisë takoi pak ditë para Ditës së Flamurit dhe kështu shqiptarët e kremtuan këtë ditë madhështore me gëzim shumë më të madh pse ata kishin çliruar vendin e tyre nga Hunët e tmerrshëm. ...”

28 Nëntori, dita e Flamurit dhe e Çlirimit, u njoh e tillë nga 28 nëntori ’44 deri 28 nëntor 1945: u fut në programet dhe tekstet shkollore të Këndimit e Leximit, ishte pikë referime në shkrime e kronika në gazeta e revista, E. Hoxha në mbrëmjen e 27 nëntorit ’45 në valët e Radio Tiranës përshëndet popullin shqiptar, i referohet dhjet herë 28 Nëntorit e asnjëherë 29 nëntorit. Si e feston populli dhe politika sot ditën e çlirimit nga nazifashistët??

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›