E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta në Bruksel, takon Olli Rehn

Nga L.Progni

Komisioneri i BE për Zgjerimin, Olli Rehn, priti dje në Bruksel kryetarin e LSI, Ilir Meta. Zyra e shtypit e LSI njofton se “gjatë këtij takimi që zgjati rreth 40 minuta, z. Meta paraqiti para komisionerit Rehn shqetësimet mbi problemet që ka Kodi i ri Zgjedhor, mungesën e garancive për zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në Shqipëri, si dhe monopolizimin që kanë bërë dy partitë e vjetra, PD dhe PS, për administrimin e procesit zgjedhor, në kundërshtim me rekomandimet e OSBE-ODIHR, si dhe me dokumentet e rëndësishme ndërkombëtare për zgjedhjet.”

Mësohet se Rehn i përcaktoi zgjedhjet e ardhshme si kushtin kryesor të integrimit të Shqipërisë në BE.

Gjatë vizitës së tij në Bruksel, Meta zhvilloi një takim edhe me Sekretarin e Përgjithshëm të Partisë Socialiste Evropiane (PSE), Philip Cordery. “Jemi të shqetësuar për zgjedhjet e ardhshme në Shqipëri, të cilat duhet të zhvillohen përmes një procesi zgjedhor të lirë dhe të ndershëm, në përputhje me standardet dhe garancitë ndërkombëtare për zgjedhjet”, - tha Cordery.

Cordery ftoi Metën në Këshillin e PSE, që do të mbahet në Madrid në fillim të dhjetorit.

Ndërkohë, sot, LSI do mbajë një miting proteste në sheshin “Skënderbej” në mbrojtje të votës. Sekretari i Përgjithshëm i LSI, Petrit Vasili, iu bëri thirrje qytetarëve të bashkohen me protestën. “Ditën e enjte në sheshin “Skënderbej”, në orën 4 pasdite, mijëra e mijëra qytetarë, në mënyrë shembullore paqësore, ashtu siç demonstruan si asnjëherë tjetër në historinë e pluralizmit, duke shënuar edhe në këtë çështje një standard të ri të demonstrimit demokratik dhe paqësor, pra mijëra e mijëra njerëz do të manifestojnë pikërisht nën moton: “Vota është e shenjtë.”

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›