Informacioni publik si rrugë e parandalimit të krizave
Shoqata e Bankave, pas një konsultimi të gjerë që ndërmori me anëtaret e saj, vendosi të heshtte publikisht në lidhje me krizën ekonomike globale dhe me pasojat që mund të godasin botën financiare për shkak të një recesioni të pakontrollueshëm ekonomik.
Në Shqipëri vendimi u mor në unanimitet thuajse të plotë, duke konstatuar se shqiptarët - falë përvojave të hidhura të mëparshme - mund të jenë shumë mosbesues edhe ndaj mesazheve më pozitive dhe optimiste. Për më tepër, në Shqipëri, sipas analistëve të mirënjohur edhe ndërkombëtarë, kjo situatë kritike që goditi SHBA dhe disa vende evropiane, këtu nuk ka shans të vijë në shprehje. Ndaj, të flasësh publikisht rreth një krize, ‘është si të zgjosh ariun, i cili po fle’, - ishte vendimi i bankave dhe i shoqatës së tyre.
Pyetja ime e parë është, nëse vërtet ariu po fle. Kurse leximi i këtij vendimi i ngjan perifrazimit të gotës përgjysmë me ujë. Këndi i shikimit e bën diferencën.
Ajo që publiku ndjen sot është në tërësi një “merak” i paemër, më tepër një import ndjesish sesa një arsyetim realist apo i bazuar në lidhje me krizën. Shumica e lajmeve ndërkombëtare hapen e mbyllen me këtë çështje. Mjaft prej shqiptarëve kanë kontakte permanente me mjedisin jashtë vendit - duke përfshirë Amerikën e Veriut, dhe për këtë shkak, koncepti i getoizimit të debatit mbi këtë çështje nuk është fort realist.
Përballë kësaj, mosbesimi me theks përçmues që publiku përcjell për kapacitetet e strukturave shtetërore dhe në tërësi për sistemin vendas të shërbimeve e bëjnë ndërveprimin e palëve problematik. Duhet pranuar se në dallim nga shumica e vendeve të tjera, Shqipëria ende nuk ka miratuar një fond - qoftë edhe formal - si garanci për depozitat publike në rast të një “tronditjeje morale” (sepse arsye për një tronditje monetare të sistemit nuk ka). Bankat dhe Shoqata për Mbrojtjen e Depozitave kanë në këtë proces pjesën e tyre të përgjegjësisë.
Por në tërësi, kjo veç sa i jep peshë - në rastin e një krize besimi (dhe aspak monetare) zërave të verbër që do ta vrisnin në këtë rast sistemin bankar, ashtu si një plumb qorr vret edhe më vigjilentin e njerëzve.
Për këtë shkak, unë mendoj se parandalimi i krizës është një proces që nuk mund të shmanget nga bankat, edhe pse ato nuk vuajnë asnjë rrezik apo nuk përballen realisht me faktorë të brendshëm apo të jashtëm që mund të prodhonin kriza.
Për hir të rëndësisë së këtij debati, jam i detyruar ta përsëris se në Shqipëri nuk ka asnjë rrezik për bankat. Nuk ka asnjë rrezik, përveç rënies së shpejtësisë së rritjes ekonomike, dhe kjo kryesisht për shkak të rënies së remitancave nga emigrantët e shumtë dhe për arsye të ngushtimit të radhëve të investitorëve të huaj.
Media të caktuara i kanë mëshuar rritjes së papritur të përqindjes së kredive të këqija, por kjo çështje mbetet për t’u sqaruar. Unë nuk besoj se ato janë shtuar; ato thjesht u bënë të dukshme dhe bënë lajm, në kuadër të vigjilencës më të lartë të mediave dhe institucioneve përgjegjëse (nga ku rrodhi lajmi), falë situatës së tensionuar ndërkombëtare.
Publiku përdor aktualisht kanalet personale, njohjet, miqësitë, krushqitë dhe penetron brenda bankave për të marrë vesh sa të sigurta i ka paratë. Përballë këtij realiteti, bankat kanë vendosur të mos flasin. As edhe një fjalë. Dhe e kanë marrë këtë vendim në kolegjialitet, çka do të thotë se asnjëra prej tyre nuk mund ta shkelë atë.
Në këtë situatë unë mendoj ndryshe. Unë mendoj se publiku ka të drejtë të informohet pastërtisht dhe në mënyrë të përgjegjshme se i vetmi rrezik që mund ta kërcënojë sistemin financiar shqiptar është frika. Rreziku më i madh është krijimi i paarsyeshëm i ndjesive fataliste, që për t’u shumëfishuar nuk kërkojnë shkaqe, por modele ngjashmërie sociale, dhe që pranojnë si argument çdo gënjeshtër që qarkullon në kushtet e një krize paralele.
Këto fundosje fataliste jo rrallë përfshijnë masa të gjera njerëzish në prag të zhvillimeve të rëndësishme, siç janë p.sh., zgjedhjet, krizat politike, konfliktet e armatosura në rajone kufitare etj.
Një psikozë e verbër popullore për të tërhequr paratë nga bankat do të ishte rruga më e shkurtër për të rrëzuar të gjithë sistemin tonë financiar dhe për të prodhuar një kolaps tërësor ekonomik, ku viktima e parë do të ishin shumica e parametrave makroekonomikë të vendit.
Si institucione që kryejnë 90% të veprimtarisë me paratë e publikut-klient, bankat në këtë rast do të ishin padyshim në radhën e parë të goditjes.
Për këtë arsye, frika boshe është i vetmi rrezik që duhet parandaluar. Dhe kjo bëhet me një strategji të qartë të komunikimit, bëhet në bllok dhe jo veç e veç nga operatorët dhe modelohet në bashkëpunim me entet sipërore të kontrollit dhe politikave.
Nëse rreziku është frika, kjo frikë parandalohet, kur në mjedisin publik nuk lejohet të sundojë nervozizmi dhe kur gjërat janë të qarta dhe të lexueshme nga çdo kënd i leximit. Garancitë shtetërore formale janë gjithashtu si një levë Arkimedi, që prodhon jo aq efekte financiare sesa efekte morale pozitive dhe besueshmëri të shtuar.
Historia e muajve të fundit ka pasur shembuj shumë pozitivë për këtë.
Në Liban, banka më e madhe e vendit, e gjendur përballë një fluksi masiv klientësh që kërkonin të tërhiqnin depozitat, shpalli publikisht - duke përdorur deri edhe reklamën televizive - se do qëndronte 24 orë e hapur, për t’iu përgjigjur të gjithë atyre që kërkonin mbrapsht paratë e tyre. Në këtë komunikim ajo kishte mbështetjen formale të qeverisë, që po ashtu garantonte për këtë. Banka ripohoi në mënyrë të qëndrueshme se paratë ishin të sigurta. Pas 48 orësh në shërbim të klientëve që tërhiqnin depozita, grupi i atyre që i kishin tërhequr të hollat në fillim të ditës së parë nisi t’i kthente paratë mbrapsht në bankë, sepse e kuptoi se frika popullore ishte e pabazuar. Ky reagim ishte një plan veprimi në kushtet e krizës, i cili u zbatua në mënyrën më inteligjente, pikërisht sepse ishte i paramenduar.
E ritheksoj se në rastin e Shqipërisë situata nuk paraqet rreziqe dhe nuk mbart asnjë krisje. Por, nëse bankat kanë të drejtë të vendosin të mos flasin me publikun për të mos ta zgjuar ariun, a mendon Banka e Shqipërisë apo Këshilli i Sigurimit Kombëtar se në këtë rast, të paktën një plan rezervë ndaj krizës duhet të jetë i gatshëm?
Sistemi ynë financiar është i sigurt. Kjo është pak, po e sigurt. Por ai nuk mund të lihet në mëshirë të ndjesive publike, në mëshirë të informacioneve me origjinë farefisnore dhe të dobësisë së njeriut, që kushedi i ka humbur njëherë të gjitha kursimet, pikërisht se shqiptarët, më shume se pré e piramidave, ranë viktimë e ethes së përqindjeve të rritura befas nga një lojë mediesh, që me siguri e mbajnë mend atë që shkaktuan.
Publiku - e theksoj - ka të drejtë të mos ketë njohuri për sistemin bankar, që falë Zotit, në Shqipëri nuk paraqet asnjë rrezik, por ai duhet konsideruar partner, duhet informuar dhe duhet trajtuar në mënyrë të ndershme, të drejtë dhe parimore. Atëherë ai di të kuptojë, të mbështesë dhe të ruajë pronën e tij që në këtë rast është banka e tij, sistemi i financave të shtetit dhe krejt jeta ekonomike e vendit. Pa këtë pronësi publike nuk ka partneritet.