Buxheti dhe politika gjithçka për asgjë
Politikat ekonomike të qeverisë shqiptare me miratimin e buxhetit për vitin që vjen duket se u përmbyllën për mandatin katërvjeçar që ajo mori në vitin 2005. Nuk do të ketë pikëpamje dhe masa të tjera, por thjesht do të zbatohet ky buxhet. Gjatë këtyre viteve janë shpenzuar prej qeverisë rreth 13 miliardë dollarë për të mbajtur në funksionim shtetin dhe për t’i dhënë një drejtim ekonomik vendit që dëshpërimisht i mungonte. Ministri i Financave foli prerë për apogjeun që vendi ka arritur si pasojë e sukseseve të mëdha në ekonomi, ku janë rritur pagat për punonjësit e administratës me dy herë, janë rritur po kaq pensionet, janë rritur investimet me tri e katër herë krahasuar me periudhën e mandatit të qeverisë së mëparshme etj. Në përgjithësi fjalori i ministrit të Financave, por edhe përfaqësuesve të tjerë të qeverisë, kishte për tagji sukseset që vijnë në ekonomi nga shpenzimet qeveritare, nga rritja e tyre si pasojë e mbledhjes më me përgjegjësi të taksave, por edhe si pasojë rritjes së ekonomisë dhe e rritjes së barrës së taksave në disa raste. Fakti që sukseset janë kërkuar te shpenzimet e mëdha të qeverisë, jo domosdo mund t’i cilësojë këta zyrtarë si socialistë, pasi disa reforma në vend janë të domosdoshme dhe në disa raste ato mund të lëshojnë tinguj që ngjajnë me politikat socialiste (investimit në disa sektorë të jetës publike, rimbursimi i barnave nën skemën e vetme ekzistuese, rritja e pagave etj). Ajo që bën dallimin është fakti që politikat e Ministrisë së Ekonomisë dhe Ministrisë së Financave si përgjegjëse direkte nuk kanë patur assesi në fokus thelbin e kapitalizmit: krijimin e vendeve të punës. Askush në këtë vend nuk e ka dëgjuar prej katër vitesh ministrin e Financave të thotë se sa vende të reja pune janë krijuar dhe se sa qeveria e ka patur në vëmendje këtë gjë. Asnjë tjetër zyrtar nuk e ka thyer këtë rregull të vendosur nga ministri i Financave. Përpos shumë mungesave të tjera në përvijimin e një drejtimi për ekonominë e vendit me kahje nga individi, politikat këto katër vite kanë qenë me fokus shtetin, e thënë ndryshe është punuar dhe është kujdesur për qeverinë jo thjesht si institucion. Në një gjuhë më të tharbët do të kishte kuptim të thuhej se 13 miliardë dollarët kanë synuar qeverinë dhe jo individin. Gjatë këtyre viteve numri i vendeve të reja të punës, sipas INSTAT, është 0,1% e numrit total të të punësuarve, domethënë sot në Shqipëri janë në punë aq sa ishin para katër vitesh. Vendi ka disa ndryshime, infrastruktura rrugore është në përmirësim, pagat e administratës dhe pensionet janë rritur pranueshëm etj., por këto nuk mund të jenë synime (pa i harruar ato), të një qeverie që kërkon të përtërijë ekonominë, të rrisë fuqinë blerëse, të rrisë prodhimin e për më tepër të një qeverie të djathtë në një vend ku papunësia është zyrtarisht 14% ose rreth 150 mijë vetë (qeveria llogarit të zënë me punë edhe 540 mijë vetë në fshat). Tradicionalisht, në vendet me ekonomi tregu, në rastet kur ekonomia është e dobët, qeveritë e djathta ndikojnë që të ulen normat e interesit, ulin taksat dhe nuk rrisin shpenzimet. Këto janë qeveritë e anës së ofertës, pra që kërkojnë të rritet oferta, pasi kjo çon në krijimin e vendeve të punës, rritje të konsumit etj. Qeveritë e majta aplikojnë të kundërtën, rrisin shpenzimet dhe taksat dhe gjakojnë kah kërkesa. Pa detaje teorike është e qartë se 13 miliardë dollarët e këtyre katër viteve janë pará të shpenzuara në anën e kërkesës. Ulja e taksave që ka bërë qeveria në shumë raste nuk është përkthyer realisht kështu në treg për disa arsye, disa prej të cilave të drejta e disa jo. Megjithatë, ulja e taksave nuk ka qenë vetëm e tillë, por ka qenë edhe rritje e barrës fiskale në një tjetër drejtim dhe në shumë raste ato kanë neutralizuar njëra-tjetrën. Taksat për bizneset duhet të ulen realisht, por në mënyrë që biznesi t’i investojë paratë që fiton dhe të mos blejë produkte në import ose t’i mbyllë në bankë, kjo ulje duhet t’i jepet kur të kryhen investime. Kjo është një politikë saktësisht e djathtë dhe ulje për t’i dhënë mundësi ministrit të Financave të tregojë se sa përkundruall botës me taksa të larta rri Shqipëria e tij me taksa të ulëta, sepse ai për punësimin dhe fuqinë blerëse kurrë nuk flet. Të thadrojë atë fjalor socialist suksesesh e ka të huaj. Qëndrimet ndaj ish-pronarëve dhe ish-të përndjekurve do ishte tepër të renditeshin për të qartësuar më tej mendësinë. Në anën tjetër, partia më e madhe në opozitë e ka debatuar politikën ekonomike dhe buxhetin e fundit thjesht teknikisht, duke mos e njohur fare si fjalë që ekziston krijimin e vendeve të punës. Fakti që janë socialistë mund të justifikojë më shumë se ministrin e Financave, por deri këtu. Në njëfarë mënyre shumica dhe pakica kanë zgjedhur si në shumë rrafshe të tjera politikat “gjithçka për asgjë”, të cilat përpos të tjerash janë politika që synojnë qeverinë, që synojnë shtetin dhe në thelb nuk kanë lidhje me individin. Referencat teorike për këtë të vërtetë nuk kanë asnjë kuptim, pasi nuk mund ta bëjnë më të qartë se sa kjo është praktikisht e vrazhdë në këtë vend.