Flamurit i kanë vjedhur “festën”
Antena brenda familjes
Flamuri dje, i lodhur nga ftesat e panumërta që vinin në zyrë, vendosi t’i shkruajë një letër doktorit. Ka një javë që një tufë letrash që shkojnë në zyrë të tij thonë që disa institucione në Shqipëri festojnë Ditën e Flamurit. Në fillim i erdhi nga disa shoqata që e uronin për Ditën e Flamurit, pastaj nga kryeministri dhe më në fund nga presidenti.
Kjo e presidentit nuk durohej fare.
- S’e kuptoj, - tha, - ç’punë ka ai me 28 Nëntorin? Festa e Flamurit ka mbetur që pas vitit 1997, kur ai burri nuk pranonte festën e 29 Nëntorit dhe më tha mua një ditë: “Flamur, bëhu gati, se do ta festojmë një ditë para.” Dhe unë bëja gati skenën dhe dekorin te “Hotel Tirana”. Që atëherë më është fiksuar që i thoshin Festa e Flamurit. Vonë e mora vesh që nuk e kishin për mua, por për festën kombëtare. Po kjo nuk ndryshon gjë. Ne kemi 28, të tjerët kanë 29. Nuk e di, ç’punë ka presidenti me festën tonë, ai është me ata të tjerët, duhet ta festojë më 29. Dhe kryeprokurorja më 29 e ka. Dhe ky i ambasadës amerikane kot na uron më 28, më 29 duhet të urojë. Dhe BE më 29. OSBE më 8 nëntor madje, jo më 29 nëntor. S’e kuptoj ç’kanë me festën time. Unë kam dhjetë vjet që e bëj më 28 nëntor. Dhe ai burri po më 28 nëntor. S’di se ç’duan këta të tjerët më 28 nëntor.
- Po ti je bërë nervoz se të kanë marrë festën apo se koincidon me emrin tënd?
- Për të gjitha. Ne s’kemi si i ndajmë njerëzit ndryshe veç kësaj feste. S’e kuptoj si mund të jesh dhe kundër atij burrit, dhe me 28 Nëntorin. Mirë unë që e kam dhe emrin me tematikë, po të tjerët s’e kuptoj si e bëjnë këtë. Po je me atë burrin, festo më 28, po nuk je me atë, më 29 dhe e ke shumë. Unë të jem si ai nuk lë njeri ta festojë më 28.
- Po ja, presidenti do bëjë festë më 28...
- E di, e di, ai m’i ka ngritë nervat. Se dhe nuk më ka ftuar fare. Më ka injoruar mua në festën time. Më ka vjedhë festën. Aty duket sa i pandershëm që është. Ka marrë festën tonë, dhe do ta festojë që të na bëjë karshillëk. Edhe është kundër atij burrit, dhe feston më 28 Nëntor. Kjo s’ka b... të rrijë. ǒt’i bëj atij burrit unë që e respekton dhe i shkon, se të jem si ai, nuk i shkoj fare. Shkoj te “Hotel Tirana” dhe vazhdoj festën me të vetët. Se nuk ka kuptim dhe të jesh kundër atij burrit, dhe të festosh më 28 Nëntor.
- Po pse s’ia rekomandoni këtë atij burrit?
- Ia them gjithmonë, po s’ më dëgjon. Kur i flas për këta të mëdhenjtë, bën sikur s’e ka mendjen. Më ndërron bisedë, më jep ndonjë detyrë koti. Dhe e ka gabim, se unë ia them me sinqeritet. Po të paktën të më dëgjojë për festën time. Unë tani jam pjekur dhe e di që nuk bëhet fjalë për mua, por për Flamurin, por babai kot s’ma ka vënë emrin Flamur. Se ka dashtë që 28 nëntori të jetë festa ime. Unë vonë e mora vesh, po tani që e di të vërtetën, më vjen keq që ma përdhosin festën. S’e kuptoj këtë punë, dhe të jesh kundër atij burrit, dhe të festosh më 28 nëntor. Po pse pak festa të tjera ka? Të festojnë më 29 nëntor, se atë ditë e meritojnë të gjithë. ǒt’i bëj atij burrit që s’e ka bërë me ligj, se ua tregoja unë qejfin. T’ua ndante këtë festën. Kush është me atë burrin, feston më 28 nëntor, kush është me ata, feston më 29 nëntor. Dhe të shikojmë kush e bën festën më të bukur pastaj.