E Diel, 1 Nëntor 2026

28 Nëntori, Berisha viziton familjet e dëshmorëve

TIRANË - Kryeministri Sali Berisha në vijim të nderimeve për të rënët e kombit, në ditën e 28 nëntorit, i shoqëruar nga Prefekti i Tiranës, Keltis Kruja, zhvilloi vizita në familjen e Dëshmorit të Demokracisë Azem Hajdari dhe në familjen e Heroit të Popullit Musa Kame (Fratari).

Kryeministri Berisha i përcolli pjesëtarëve të familjes Hajdari nderimet më të thella të tij për Azemin por dhe për të gjithë ata që siç u shpreh kryeministri, vendosën sakrificën në themel të lirisë së kombit.

Shefi i ekzekutivit theksoi se lirinë askush nuk ta dhuron por ajo fitohet dhe, në këtë drejtim, shqiptarët kanë bërë sakrifica të mëdha. "E vërteta është se dhjetori ’90 është çlirimi i dytë i Shqipërisë , çlirimi i dytë dhe i vërtetë i saj dhe, në këtë vepër, Azem Hajdari ka pasur rol kryesor. Sa më shumë konsolidohet liria, aq më e ndritur bëhet vepra e tij”, u shpreh Berisha.

Ndërkohë, gjatë vizitës në familjen e nipit të Heroit të Popullit Musa Kame Fratari, Kryeministri Berisha i përcolli pjesëtarëve të familjes, urimet për Ditën e Pavarësisë, si dhe u shprehu atyre nderimin e tij të madh për sakrificën sublime të Musa Kame (Fratari), sakrificë me të cilën ka ushqyer rrënjët e kësaj dite që shqiptarët gëzojnë sot.

"Sot është më shumë se çdo gjë tjetër ditë mirënjohjeje, ditë nderimi, ditë respekti sepse pa veprën e tyre, çdo komb nuk do ishte i lirë, por ne shqiptarët në mënyrë të veçantë, pasi e kemi fituar lirinë me shumë sakrificë", tha Kryeministri Berisha.

(er.nu/ata/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›