E Shtunë, 31 Tetor 2026

28 Nëntori, Topi: Mazhoranca dhe opozita të punojnë bashkë

Autori i Lajmit: Redaksia
Presidenti i Republikës, Bamir Topi ka organizuar një pritje në Pallatin e Brigadave me figurat më të larta të vendit, si Kryeministri Sali, Berisha, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama si dhe përfaqësuesit e ambasadave, gazetarë e artistë, etj, me rastin e 97-vjetorit të Pavarësisë. Gjatë fjalës së tij, Presidenti u uroi gjithë shqiptarëve 28 Nëntorin dhe kërkoi një angazhim më të madh nga politika për të punuar për nevojat e Shqipërisë dhe shqiptarëve. Sipas tij Qeveria dhe opozita duhet të shpalosin në Kuvend platformat e tyre për të punuar për të mirën e shqiptarëve. “Përveç përpos urimeve do të uroja që të kishim një Kuvend ku sa qeveria, aq edhe opozita ti përvisheshin punës për të ballafaquar opsionet e tyre politike në të mirë dhe në interes të vendit dhe të qytetarëve të tij. Sot është ditë feste, por ajo mund të jetë një ditë e rëndësishme për të menduar me ndërgjegje të pastër, me përgjegjësi kombëtare e me pjekuri politike dhe për tiu rikthyer kujtesës dhe shembullit të atyre burrave të fisëm që më 28 Nëntor të vitit 1912 u mblodhën, luftuan dhe fituan Pavarësinë e Shqipërisë. Unë shprehem besimplotë se të gjithë shqiptarët e vërtetë mendojnë kështu dhe dëshirojmë që Shqipëria të mbyllë njëherë e përgjithmonë kapitullin e tranzicionit të saj politik”, - nënvizoi Presidenti i Republikës. Më tej ai kujtoi historinë e lavdishme të kombit tonë. “Jam shumë i gëzuar dhe i nderuar që takohemi sërish për të kujtuar ditën tonë të pavarësisë, festën tonë kombëtare. Në historinë e njerëzimit por sidomos në historinë e një kombi ka data që tregohen dhe për to flitet në mënyra të ndryshme, por për kombin shqiptar 28 Nëntori është një ditë e veçantë dhe na mbledh të gjithëve për të festuar sipas një mënyre të vetme. Dita e Flamurit është data që mblodhi të gjithë historinë e shqiptarëve në Vlorë për të treguar se Shqipëria dhe interesat e saj janë sublime dhe të shenjta. Madhësia e kësaj date qëndron tek fakti se të gjithë ata që u mblodhën në Vlorë kishin një qëllim, shkëputjen nga perandoria otomane”, - theksoi Topi. Më tej, ai shtoi se kjo datë e madhe u tregoi popujve të tjerë se ky komb kishte një zot dhe u bëri thirrje shqiptarëve se ky komb kishte nevojë për ata. “Sot, 97 vjet më vonë jemi mbledhur këtu për të festuar këtë ditë të shënuar për të respektuar mundin e atyre që mundësuan pavarësinë e vendit tonë të dashur. Sot Shqipëria dhe shqiptarët janë më të gëzuar dhe të lumtur. Sfidat e Shqipërisë janë sërish të mëdha. Ato janë sfidat e së ardhmes, të demokracisë, të lirisë dhe mirëqenies e integrimit”, shtoi kreu i shtetit.

Ky lajm është publikuar: 29/11/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›