Bumci: Partia Demokratike, forca qe ndryshon perdite jeten tone

Kreu i Partisë Demokratike dega Tiranë Aldo Bumçi deklaroi dje në ceremoninë e hapjes së fushatës elektorale të Partisë Demokratike, se partia në pushtet në vetëm katër vite, ndryshoi cilësinë e jetesës për të gjithë qytetarët shqiptarë, nëpërmjet rritjes së pagave e pensioneve, investimeve në infrastrukturë, hapjen e vendeve të reja të punës, ndërtimin e një sërë shkollash në të gjithë vendin etj. Partia Demokratike, tha Bumçi vjen sot si forca më e madhe politike e Shqipërisë, si forca më shpresëdhënëse për të gjithë qytetarët shqiptarë.
“Vijmë sot këtu pasi ndryshuam cilësinë e jetës për të gjithë qytetarët shqiptarë, pasi rritëm pagat dhe pensionet, ndërtuam rrugë, ujësjellës dhe shkolla, hapëm vende pune. Ne vijmë sot këtu një ditë pas hapjes së tunelit, korridorit të shqiptarëve rrugën Durrës-Kukës-Kosovë. Vijmë sot këtu si forca më e madhe politike e Shqipërisë, si forca më shpresëdhënëse për të gjithë qytetarët shqiptarë. Partia Demokratike nuk është partia e fasadave, por është forca që ndryshon përditë jetën tonë”, u shpreh Bumçi.
Ai u shpreh, se nëpërmjet reformave që Partia Demokratike dhe mazhoranca qeverisëse realizoi mandatin që po mbyllet, sollën ratifikimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, hapën rrugën për aplikimin e Shqipërisë për statusin e kandidatit në Bashkimin evropian dhe anëtarësuan Shqipërinë në NATO.
Bumçi garantoi se 6 mujorin e parë të mandatit të dytë shqiptarët do të lëvizin pa viza në hapësirën e gjerë të zonës së BE.
“Janë këto reforma të cilat do të bëjnë të mundur që në gjashtëmujorin e parë të mandatit të dytë qeverisës shqiptarët të lëvizin pa viza në BE”, tha më tej ai.
Duke u ndalur në sukseset e qeverisjes së djathtë Bumçi theksoi se “ne bëmë të mundur që të ndërtojmë në një kohë rekord korridorin e bashkimit të shqiptarëve rrugën Durrës-Kukës, dyfishuam pagat dhe pensionet, siguruam energjinë dhe sollëm 5 miliard euro investime”.
“Ky ekip theksoi, e ka emrin PD që do ta udhëheqë Shqipërinë për katër vitet e ardhshme”, nënvizoi ai.
...