E Diel, 1 Nëntor 2026

“Bashkëpunimi i Berishës me kriminelët për fushatë ka qenë i strukturuar”Nga Tema Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, në një konferencë për shtyp komentoi deklaratat e kryeministrit, Sali Berisha, se lirimi i të burgosurve për krime të

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

“Bashkëpunimi i Berishës me kriminelët për fushatë ka qenë i strukturuar”Nga Tema

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, në një konferencë për shtyp komentoi deklaratat e kryeministrit, Sali Berisha, se lirimi i të burgosurve për krime të rënda gjatë fushatës elektorale është një procedurë normale. Rama tha se kjo tregon se bashkëpunimi i Berishës me autoritetet kriminale, ka qenë i strukturuar. Rama shtoi se të gjitha veprimet janë bërë në kundërshtim me ligjin.

“Trajtimi nga ana e kryeministrit të vendit i lejeve të dhëna për këta vrasës, për këta trafikantë, për këta përdhunues, si procedurë e zakonshme administrative që do të vazhdojë normalisht, është shprehja më shembullore e faktit se ky bashkëpunim ka qenë i qëllimshëm, se ky bashkëpunim ka qenë i strukturuar, se ky bashkëpunim ka qenë për qëllimin e vetëm të mbajtjes me çdo kusht të pushtetit, duke abuzuar skaj më skaj me shtetin dhe me ligjin. Ne nuk kemi folur për procedura standarde ligjore, kemi folur për shkelje të hapur dhe flagrante të ligjit. Rastet e paraqitura prej nesh, të siguruara prej burimeve konfidenciale, plotësisht të verifikueshme, nuk janë raste të njerëzve që kryejnë dënimin dhe marrin një leje të zakonshme standard brenda gjithë procedurave. Por janë raste të shkeljes flagrante të kushteve që parasheh ligji për lejen e çdo të dënuari, që të kapërcejë pragun e burgut. Jemi në kushtet e një operacioni kriminal, të organizuar nga vetë autoriteti shtetëror, që ka me ligj të drejtën që të japë lejet e daljes së burgosurve, por që është tërësisht i kufizuar nga ligji për kushtet që jepen këto leje. Këta kriminelë të liruar nga burgjet janë përdorur për të ushtruar autoritetin e tyre mafioz në funksion të fushatës elektorale, të pushtetit dhe Sali Berishës. Çdo lloj insinuate qesharake, e bërë lidhur me këtë aspekt kriminal të procesit zgjedhor, nuk e shfajëson, por e fajëson edhe më shumë kryeministrin e vendit”, - u shpreh kryetari i PS.

Rama tha se vendi ka institucione ilegjitime dhe po zhytet gjithmonë e më shumë në krizë.

“Sali Berisha, i cili së bashku me Ilir Metën po përgatitet për dasmën e turpit të madh politik, por në asnjë mënyrë dhe për asnjë arsye nuk mund që të gjithë atë që ky proces i solli Shqipërisë dhe shqiptarëve, ta fshijnë dhe ta lënë pas krahëve. Do ta kenë në mënyrë të vazhdueshme përpara syve, siç do e kenë përpara syve të gjithë shqiptarët e shqiptaret dhe i gjithë opinioni publik dhe ndërkombëtar. Sepse ne jemi të vetëdijshëm për faktin e thjeshtë, se kjo maskaradë zgjedhore nuk mund të prodhojë institucione me legjitimitet të plotë dhe njëkohësisht me institucione me legjitimitet të cunguar, nuk mund të ketë demokraci, liri dhe prosperitet, por vetëm thellim të mëtejshëm të një krize të rëndë, që është një krizë demokratike, që është një krizë e shtetit të së drejtës, që është krizë ekonomike dhe shoqërore. Të gjitha këto përbëjnë një prelud alarmant për këtë sezon të ri të politikës, që për fat të keq ngjan si dy pika uji me sezone të vjetra, që mendonim se i kishim lënë njëherë e përgjithmonë pas krahëve”, - tha Rama.

Berisha: Të burgosurit për vrasje mund të kryejnë vuajtje alternative të dënimit

Edhe pse lista e të burgosurve që janë liruar përmban shumë të burgosur që janë dënuar për vrasje e për krime shumë të rënda, Berisha tha të hënën në një konferencë se ata mund të kryejnë vuajtje alternative të dënimit.

“Tani ai (Rama) flet për të burgosurit. Zotëri, ky është një vend demokratik. Absolutisht të gjithë të burgosurit kanë të drejtën e votës. Çdo javë e çdo muaj u është dhënë dhe do t’u jepet leje për të shkuar në shtëpinë e tyre. Në parlament, ne kemi votuar ligjin e vuajtjes alternative të dënimit. Zotëri, nëse ke raste konkrete, paraqiti. Nuk ekziston asnjë raport dhe asnjë ankesë për asnjë prej tyre, që u liruan përkohësisht me leje, që të ketë bërë ndërhyrjen më të vogël. Ka raste, të dyfishojmë dënimin, të propozojmë ligj për këtë. Por të akuzosh, vetëm e vetëm se janë vuajtës dënimi, kjo është totalisht e papranueshme dhe shumë primitive. Ne ju thamë emrin, i cili doli dhe u bë bodyguard i një prej eksponentëve kryesorë të Partisë Socialiste. E morëm dhe e kthyem aty ku ishte. Jep emër, thuaj kush ishte. Ata vërtet kanë kryer një vepër penale, disa prej tyre shumë të rëndë, disa të tjerë më pak të rëndë, por janë në institucion të vuajtjes së dënimit, në institucion riedukimi. Shoqëria nuk mund të udhëhiqet nga ndjenja e urrejtjes ndaj tyre. Shoqëria ka një detyrim. I ka dënuar, i ka privuar nga liria e lëvizjes e të tjera, por, në rast se ka rast konkret, të dalë e të paraqesë dokumentin më të vogël. Del çdo ditë dhe nuk thotë as edhe faktin më të vetëm.

Mëhilli: Rama është i shfazuar

Partia Demokratike, përmes zëdhënëses Erla Mëhilli, tha se kryetari i PS, Edi Rama, është i shfazuar. Sipas saj, lirimi i të burgosurve për fushatë është një procedurë e çdo vendi demokratik.

“Sërish shoku Rama doli në bahçe, i shfazuar dhe në një ezauriment mendor, sa tragjik aq edhe komik, duke ripërsëritur fobinë e fundit të tij të sindromës së krijuar nga humbja e zgjedhjeve.

Pasi akuzoi me dhjetëra e dhjetëra herë komisionarët socialistë të të gjitha niveleve për mungesë integriteti, e mbasi akuzoi mediet për breshëri sulmesh ndaj tij, tani ka disa ditë rresht që merret me të burgosurit, të cilët u lejuan të shkojnë me leje në shtëpitë e tyre në përputhje me një praktikë të të gjitha vendeve demokratike.

Sërish i përsërisim z. Rama se të burgosurit janë lejuar dhe do lejohen të shkojnë në shtëpitë e tyre në zbatim të një rregulli që ekziston në çdo vend të lirë.

Z. Rama pati shansin sot të paraqiste qoftë edhe provën më të vogël të ndërhyrjes apo implikimit të tyre në procesin zgjedhor, por nuk e bëri. Nëse z. Rama disponon qoftë edhe faktin më të vogël, jo lista, por fakte, është i ftuar ta bëjë atë publik, por të sulmojë qytetarët e këtij vendi, vetëm se ata janë të burgosur e t’u atribuojë akuza pa faktuar shkelje ligji, dëshmon vetëm se nga frika, tmerri dhe pikëllimi nuk di se çfarë flet”, - tha Mëhilli.

Lista e të burgosurve që u liruan për fushatë zgjedhore

Leje shpërblyese

- Isa Doçi, dënuar me 6 vjet e 8 muaj heqje lirie për veprën penale të trafikimit të armëve dhe municioneve.

- Marjan Lukaj, dënuar me 13 vjet burg për vrasje.

- Shpëtim Beqiri, dënuar më 13 vjet burg për vrasje.

- Emiljano Domi, dënuar me 15 vjet burg vrasje.

- Artan Goxhaj, dënuar me 25 vjet burg për vrasje.

- Arjan Sina, dënuar me 18 vjet burg për vrasje.

- Bujar Sinjari, dënuar 17 vjet për shfrytëzim prostitucioni.

- Altin Patoku, dënuar 8 vjet për prodhim dhe shitje narkotikësh.

- Spartak Kazazi, dënuar 20 vjet për vrasje me dashje.

- Skënder Kulla, dënuar 12 vjet për vrasje me paramendim të mbetur në tentative dhe armëmbajtje pa leje.

- Ilir Tosku, dënuar me 5 vjet për vrasje të mbetur në tentativë.

Leje të veçanta

- Petrit Gjoka, dënuar 12 vjet e 7 muaj për vrasje, i është dhënë leje e veçantë me arsyetimin se ka nënën sëmurë.

- Antonin Keci, dënuar 14 vjet për vrasje, i është dhënë leje e veçantë, sepse ka babanë e sëmurë.

- Ervis Curri, dënuar 8 vjet për vrasje me dashje, leje e veçantë për gjyshen e sëmurë.

- Lush Kolndreu, dënuar 17 vjet për vrasje, leje e veçantë për gjyshen e sëmurë.

- Bardhi Nanollari, dënuar 12 vjet për trafik lëndësh narkotike, leje e veçantë për gjyshen sëmurë.

- Luan Isufaj, leje e veçantë për nënën e sëmurë, dënuar 25 vjet për vrasje me dashje.

- Gjergji Saliu, dënuar 17 vjet për trafik lëndësh narkotike, leje e veçantë për përvjetorin e vdekjes së babait.

- Festim Koçi, dënuar 6 vjet për vjedhje me dhunë mbetur në tentativë.

- Florian Pisha, dënuar 8 vjet e 6 muaj për prodhim e shitje të lëndëve narkotike.

- Dritan Zhuka, i dënuar 8 vjet për shfrytëzim prostitucioni në rrethana rënduese.

- Besnik Subashi, i dënuar me 16 vjet për vrasje, mbetur edhe 5 vjet e 5 muaj.

- Besnik Deda, i dënuar me 16 vjet për vrasje me dashje dhe armëmbajtje pa leje.

- Ferdinand Lamaj, i dënuar 9 vjet për shfrytëzim prostitucioni.

- Gentjan Balla, i dënuar 20 vjet për vrasje me paramendim.

- Ivan Kondi, i dënuar 15 vjet për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike.

- Naim Avdija, i dënuar 10 vjet për vrasje.

- Ervin Gërbi, i dënuar 8 vjet për prodhim dhe shitje lëndësh narkotike.

- Sokol Uxhi, dënuar 7 vjet e 4 muaj për prodhim të armëve luftarake.

- Hajri Hiraj, i dënuar me 10 vjet për trafikim qeniesh njerëzore.

- Jasim Sula i dënuar 9 vjet e 4 muaj për trafik armësh e municionesh.

Lista vazhdon dhe me të paktën 25 të dënuar të tjerë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›