I pandehuri Diveroli dhe të pandehurit Mediu e BashaNga Mero BazeNjë biznesmen amerikan, i përfshirë në trafikun e armëve me autoritetet shqiptare, duke mashtruar Pentagonin për origjinën e fishekëve që shisnin në Afganistan, u shpall fajtor nga një
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
I pandehuri Diveroli dhe të pandehurit Mediu e BashaNga Mero BazeNjë biznesmen amerikan, i përfshirë në trafikun e armëve me autoritetet shqiptare, duke mashtruar Pentagonin për origjinën e fishekëve që shisnin në Afganistan, u shpall fajtor nga një gjykatë amerikane dhe rrezikon pesë vjet burg, në një kohë që partneri i tij shqiptar, ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, ka rifituar imunitetin parlamentar dhe gjykimi i çështjes është degraduar nën presionin politik. Diferenca në qëndrimin e drejtësisë shqiptare dhe asaj amerikane ndaj kësaj çështjeje është në të vërtetë lakmusi më i mirë për të verifikuar zhytjen e drejtësisë shqiptare në llumin e politikës dhe mungesën e plotë të personalitetit të saj. Shtypi shqiptar zbuloi në muajt e shkuar se biznesmeni amerikan, që sot rrezikon pesë vjet burg, ka qenë nën presion nga klani familjar i kryeministrit, Sali Berisha, për të ndërruar partnerin e tij në biznes në Shqipëri dhe për t’ia kaluar këtë biznes dy njerëzve më të afërt të Shkëlzen Berishës, njëri prej të cilëve është në burg me akuzën për vrasje masive të 26 vetëve.
Është pikërisht ky shkaku që “Dosja Diveroli” as që është shfletuar nga drejtësia shqiptare dhe djali i kryeministrit dhe klani i tij, të përfshirë në tregtinë e municioneve, nuk janë marrë të pandehur për këtë çështje.
Ky model është shtrirë më tej dhe te gjykimi ndaj ish-ministrit të Transportit, Lulzim Basha, i cili po ashtu ka rifituar imunitetin dhe pritet të rikonfirmohet dhe si ministër apo drejtues i lartë i Partisë Demokratike.
Në këto kushte, një vit e gjysmë pas një historie të bujshme trafiku fishekësh dhe një masakre mbi popullsinë civile nga mospërmbajtja për të përfituar gjithçka në emër të pushtetit, Shqipëria nuk ka asnjë të dënuar dhe as që ka nisur të hetojë fare përfshirjen dhe përgjegjësinë e palës shqiptare në historinë e trafikut të fishekëve duke mashtruar Pentagonin.
Kjo diferencë do të ishte paska më e zbutur dhe do të quhej fenomen shqiptar, sikur të ishte vetëm përgjegjësi e drejtësisë. Por në të vërtetë ne kemi të gjitha faktet para syve që kjo nuk është përgjegjësi vetëm e drejtësisë. Kryeministri Berisha në shenjë presioni të qartë ndaj saj, i ka rikonfirmuar dy personat në kërkim nga drejtësia me mandate të reja deputeti dhe pritet t’i ketë anëtarë të kabinetit të tij. Pra Shqipëria do të nisë këtë sezon të ri politik me një karshillëk denigrues ndaj drejtësisë, e cila dhe pa këtë presion dhe karshillëk është boll e vakët dhe pa personalitet. Sekserët e ministrave në kërkim, që kanë përfituar ndërkohë miliona euro nga rrugët dhe tenderët e tjerë publikë, rrinë pas dyerve të shtëpisë dhe përgjojnë jetët private të çdo gjykatësi apo prokurori deri në gjunjëzimin e tyre. Me një arrogancë të shtuar, që vjen nga rikonfirmimi problematik i mandatit të dytë qeverisës të Sali Berishës, drejtësia shqiptare do të bëhet dhe më e dëgjueshme dhe më pa personalitet gjatë ditëve në vazhdim duke shënuar një rekord të nënshtrimit të saj ndaj historive kriminale të pushtetit.
Pra, duke qenë se ky nënshtrim i drejtësisë nuk vjen vetëm nga problemet e saj, por nga karshillëku në rritje i pushtetit të Sali Berishës ndaj saj, diferenca mes fatit të një biznesmeni trafikant në SHBA dhe ministrave trafikantë në Shqipëri është krejt e ndryshme. Për njërën palë ka hetim të shpejtë dhe gjyq që rezulton me burg, për palën tjetër, edhe pse janë ministra dhe familjarë të kryeministrit, ka parajsë ligjore, nënshtrim të drejtësisë ndaj tyre dhe karshillëk politik ndaj kujtdo që ngre zërin për të kërkuar drejtësi dhe në këtë vend. Dhe për ironi të fatit, opozita, e cila duhet të mbajë peshën e betejës politike kundër kësaj parajse kriminale në Shqipëri, gjen vend në medien e këtij vendi, vetëm kur i bën gjyqin vetvetes dhe jo kur përpiqet sadopak t’i bëjë gjyqin botës së krimit dhe pushtetit politik që e menaxhon atë.