E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndoshta mund ta ribëjmë dhe një herë sindikatën e vërtetëNga Luftim Ahmetaj* Rreth datës 19-20 gusht, kryeministri në ikje, por fatkeqësisht edhe në ardhje (me çfarë po luhet lart e poshtë), z. Sali Berisha, u kujtua për shpenzimet marramendëse të ad

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Ndoshta mund ta ribëjmë dhe një herë sindikatën e vërtetëNga Luftim Ahmetaj*

Rreth datës 19-20 gusht, kryeministri në ikje, por fatkeqësisht edhe në ardhje (me çfarë po luhet lart e poshtë), z. Sali Berisha, u kujtua për shpenzimet marramendëse të administratës së tij, e deklaruar dikur si administratë në dietë, madje u kujtua edhe për pronat e sindikatave (tashmë të vjedhura, sakatosura dhe të përdhunosura keqas nga krerët sindikalistë të deritanishëm, miq të Berishës), prona të cilat sipas Berishës së sotëm paskëshin ngelur jetime mbas shfuqizimit të dekretit të tij famëkeq nr. 204 (dekret pa fuqi, se nuk ishte votuar në parlamentin e kohës), vendosi që me konstituimin e parlamentit të ri do të bënte një ligj të ri për kalimin e këtyre pronave nga sindikatat në pronësi të shtetit.

Për pronat e sindikatave është folur dhe shkruar shumë, ka pasur denoncime, ka pasur kontrolle të herëpashershme, dhe në çdo rast është konkluduar se ato po vidhen, po shiten apo po shndërrohen në pronë private të drejtuesve sindikalistë, tërësisht të korruptuar.

Asnjëherë dhe pothuajse askush nuk u mor seriozisht me këtë problem, pasi, cilado qeveri që vinte në pushtet (si e djathtë, ashtu dhe e majtë), e donte gjoja sindikalizmin shqiptar të mbas 1992 për ta përdorur në të vërtetë si zjarrfikëse të lëvizjeve të mundshme sindikaliste dhe për të mbuluar këto pisllëqe me një koperturë demokratike me emrin e madh sindikatë. (Ngjarjet e vitit 1991 i kishin treguar mjaft mirë udhëheqësve të ardhshëm të shtetit shqiptar se sa e rrezikshme ishte lëvizja sindikaliste për kolltukët e shtetarëve në një shtet apo qeveri jodemokratike si ky që kemi ndërtuar ne deri tani).

Përfundimi, një grup keqbërësish, mashtruesish, prostitutash politike dhe tradhtarësh të lëvizjes sindikaliste u shtruan në kullufitjen e pronave të ish-Bashkimeve Profesionale me një makutëri të tillë, saqë edhe vetë Al Kaponet apo Lucky Lucianot e viteve ‘20-‘30 me siguri do t’i kishin zili këta zullumqarë të parajsës financiare sindikale në Shqipëri.

Ndoshta ndonjë herë tjetër mund të merremi më gjatë me faktorin e shkatërrimit të sindikalizmit, me faktin që nga tradhtia e bërë lëvizjes sindikaliste gjithmonë që mbas 1992 e deri sot, pothuajse asnjë shqiptar i ndershëm nuk mund të besojë se nga BSPSH apo Konfederata mund të presë ndonjë ndihmesë, madje ç’është më e keqja, sindikalizmi në Shqipëri shikohet si mundësia më e madhe për të mos zgjidhur asnjëherë punë. Ky imazh i gabuar ka ardhur si rezultat i braktisjes së ideve sindikaliste të vitit1991, dhe rendjes mbas pasurimit të krerëve sindikalistë nga grabitja e pronave të “falura nga ish-presidenti Berisha”. Kjo është një fatkeqësi kaq e madhe, saqë po ta kuptojnë njerëzit mirë, do arrijnë në konkluzionin se krerët sindikalistë të korruptuar janë më të këqij dhe i kanë sjellë aq shumë dëm lëvizjes sindikaliste, saqë viruset e AIDS, të lopës së çmendur e të gripit të derrit së bashku me dëmet e tyre do të dukeshin si një shaka tepër e këndshme.

Bukur, atëherë të kthehemi te kryetema e artikullit, që z. Berisha ka vendosur të shtetëzojë pronat e sindikatave. Menjëherë pamë me vëmendje në pak media daljen e disa fytyrave të frikësuara të krerëve sindikalistë, të cilët reaguan kështu karshi këtij projekt ligji:

Kryekonfederatisti - Citoj: “Nuk jam dakord me ligjin, do të ankohemi në të gjitha shkallët gjyqësore, madje do ta ndjekim çështjen deri në Gjykatën Ndërkombëtare!?

Krye-BSPSH-isti - Citoj: “Nuk jam dakord me ligjin, nuk na ka pyetur njeri, do kërkojmë takim me kryeministrin z. Berisha, ky është shkatërrim për ne!?”

Shikoni sa qesharake janë deklaratat e këtyre dy zotërinjve, vallë me Gjykatë Ndërkombëtare trembet Berisha, vallë me takime bilaterale mund t’i ndryshohet mendimi atij?! Jo të nderuar kryesindikalistë, Berisha nuk ka frikë nga ju, pasi ai e di mirë se ju nuk keni sindikata, ju nuk jeni në gjendje të mbroni një çështje të drejtë dhe jo më një grabitje, ai ju përdori (pra ju la të vidhnit pronat sa të shkatërronit sindikalizmin), dhe tani po ju flak tutje si lecka, se nuk i duheni më. Ju pak e keni këtë, por ç’faj kanë punonjësit shqiptarë të mbetur jetimë rrugëve pa asnjë shpresë se dikush mund të mbrojë të drejtat e tyre?!

Ju, po të kishit sindikatë, siç dhe pretendoni në ndonjë media dhe po të qe se keni të drejtë, atëherë ngrini punonjësit në protesta, mbushni sheshet, bllokoni rrugët, kaloni në grevë të përgjithshme, paralizoni atë pak ekonomi që po punon sot dhe do të shihni që edhe pse nuk keni pasur dhe nuk keni të drejtë të vidhni pronat, nuk do të kishte qeveri që t’ua merrte apo t’u luante ju nga fronet që mbani.

Ju nuk e bëni dot këtë, se ju nuk keni sindikata, ju i jeni kurvëruar kujtdo kryeqeveritari që ka qenë në pushtet dhe në këtë mënyrë i keni shpëtuar ndëshkimit të merituar, kështu që e keni shtyrë duke u zvarritur copë-copë deri më sot. Tani sindikata nuk keni, se i shkatërruat vetë, prapanicë për t’iu kundërvënë qeverisë po nuk keni, se s’keni pasur ndonjëherë, kështu që sa pa dalë ligji jepuni dhe dorën e fundit vjedhjeve dhe pastaj siguroni një vizë dhe o burra refugjatë, mbasi këtu mbas jush, por jo me ju nëpër këmbë, do të ngrihet sindikalizmi i vërtetë modern, i cili dhe do t’i bëjë një oponencë reale sindikaliste qeverive që janë apo që do të vijnë dhe do të kërkojë që të bëhet një vlerësim real për masakrën e pronave të popullit, që ju la në dorë juve për t’i administruar dhe për të forcuar sindikatën. (Të paktën kështu është shprehur vetë z. Berisha, sa herë është njoftuar për vjedhjen dhe shkatërrimin e pronave të punonjësve).

Në këtë kontekst, pra kur p.sh., BSPSH nuk ekziston, kur nuk ka asnjë rol në mbrojtje të punës dhe të punonjësve, kur kryetari minator i BSPSH është kundër minatorëve dhe lufton egër që minatorët të mos marrin statusin e minatorit, kur pothuajse nuk i njeh më njeri për sindikata, por që rrotullohen rreth vetes vetëm duke rrjepur pronat, atëherë të nderuar punonjës shqiptarë shikoni sa qesharak është dekreti i paradokohshëm i presidentit Topi për dekorimin e BSPSH. Për se u dekorua ky organizëm, ndoshta vetëm për vjedhjen e pronave? Atëherë me shumë të drejtë në mendjen e çdo shqiptari lind pyetja: Mos vallë në Shqipëri, që të vlerësohesh apo dhe të dekorohesh, madje nga vetë presidentët (kryetarët e shtetit), duhet të jesh hajdut i madh?! (Sepse hajdutët e vegjël, ata që vjedhin për bukën e gojës, nuk dekorohen, po futen në burg).

I parë në një këndvështrim tjetër, ligji i z. Berisha për kalimin e pronave të sindikatave (kuptohet atyre copëzave të vogla që kanë mbetur pa u demontuar akoma) në favor të shtetit, në njëfarë mënyre u shërben kufomave sindikaliste, pasi, në qoftë se nuk do të kërkohet llogari se ç’farë është bërë me tërësinë e pronave, atëherë ju o zotërinj shpëtoni nga të gjitha llogaridhëniet për zullumet e deritanishme dhe në aparencë mund të hiqeni madje edhe si burra të ndershëm. Pra, në vend që të protestoni për ligjin, mendoj se ish-sindikatave u bie më mirë që ta mbështesni atë dhe të falënderoni z. Berisha, që edhe në etapën e fundit të tij në shkatërrimin e sindikatave, përsëri mendon të shpëtojë krerët e korruptuar të tyre, miq të kahershëm të vetë z. Berisha.

“Miq” kryesindikalistë, po dhe ju të tjerët që në njëfarë mënyre keni kontribuar dhe ndoshta edhe paguar për të shkatërruar sindikalizmin, nuk u treguat asnjëherë të zgjuar dhe të kuptonit faktin, që forca juaj e vërtetë do të ishte forca e sindikatës, lufta për bashkim dhe mbrojtje të të drejtave të punonjësve, lufta dhe përpjekjet për punë, paga, kushte pune dhe jetese etj. Nuk kuptuat apo nuk deshët të kuptonit se nga grabitja e pronave do të kishit njëfarë pasurimi, por që kjo është një fitore e çastit, pra diçka më shumë në drekat dhe darkat e përditshme dhe që dikur do t’ju bëheshin zeher siç ju bë tani. Emri i juaj, por dhe i ish-miqve tuaj pararendës, bashkautorë në shkatërrimin e sindikalizmit shqiptar, në historinë sindikaliste (kuptohet jo në atë që shkruan z. Koçi Tahiri), do të shkruhet vetëm me të zezë. Turp..., jazëk ju qoftë!

* Sekretar për politikat sindikale i Sindikatës së Minatorëve

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›