E Diel, 1 Nëntor 2026

3 gjermanë 10 mijë km në këmbë në Europë, mbërrijnë dhe në Shqipëri

VLORË-Danny Frankel, një 25 vjeçar nga Gefell (Gjermani), i ka vënë vetes një objektiv: të përshkruajë 10 mijë km në këmbë nëpër Evropë. Në 19 shkurt të vitit 2011, “pelegrini evropian”, siç e quan ai veten, u nis nga Portugalia. Nga ai moment vazhdon udhëtimin në këmbë, duke lëvizur përmes Spanjës, Francës, Zvicrës, Italisë.

Në Itali, aventurës së tij ju bashkuan edhe dy miqtë e tjerë bashkëkombas, Doreen e Daniel. Aktualisht të tre ndodhen në Shqipëri në rrugëtimin drejt Greqisë. Hynë 6 ditë më parë në portin e Vlorës, nga Brindisi dhe prej asaj dite kanë ndjekur itinerarin e rrugës së bregdetit. Lëvizin 20-25 km në ditë në një ecje të ngadaltë, ndërkohë që natën e kalojnë në tendat e tyre që i kanë vendosur në çantat e shpinës.

Për të ngrënë…?! Nuk është fare problem. Konsumojnë çfarë t’u dalë. Synojnë kryesisht produkte natyrore. Kanë fjetur edhe në shtëpitë e fshatarëve, që i kanë ftuar me shumë bujari dhe u kanë ofruar ushqime vendase. Për këtë janë të kënaqur dhe e veçojnë mikpritjen, madje edhe natyrën e bukur të vendit tonë.
Doreen 31 vjeçe dhe Danny 25 vjeçar, janë nga ish Gjermania Lindore, ndërkohë që bashkëudhëtari i tyre, që ka përfunduar studimet në inxhinieri për mikrostrukturë, është një 26 vjeçar nga Freiburgu. Ai është në fazën e kërkimit shkencor dhe ky udhëtim “pranë natyrës” siç shprehet, do ta ndihmojë mjaft në punën e vet studimore.
Në orientim ndihmohen nga busulla dhe harta. Nuk kanë asnjë mjet elektronik, përveçse një telefoni cellular, që është i hapur 2 orë në ditë dhe që rikarikohet përmes një paneli të vogël diellor.

Gjatë verës së vitit të kaluar, në mes të udhëtimit të tij, Danny qëndroi dhe punoi për 2 muaj në afërsi të Firences, në një sipërmarrje agrobiznesi ku realizoi edhe pasionin e vet për biologjinë.

Për ta, financat nuk konsiderohen aspak si një problem. Shpenzojnë 2-3 euro në ditë, hanë ato çfarë u ofron natyra dhe flejnë në tendat e tyre. Për ta Shqipëria është një përvojë e re dhe e panjohur, por shumë e këndshme.
“Dalloni për mikpritjen nga të gjithë popujt e tjerë në vendet që kemi përshkuar”, thotë Danny.

Danny nuk është një pelegrin klasik, por “një pelegrin evropian”, siç ka qejf të etiketojë vetveten.

Në udhëtimin e tij dhe të bashkëatdhetarëve, ka disa ngjashmëri me atë të pelegrinëve klasikë, siç është mënyra e udhëtimit, një pjesë e itinerarit, privimi nga shumë gjëra në jetën endecake. Por, gjithsesi, dallimet janë të shumta.
Pelegrinët klasikë, që evokojnë ata të periudhës nga vitet 800 pas Krishtit deri në Mesjetë, anëtarë të sektit me shenjt San Xhiakomon dhe udhëheqës shpirtëror Karlo Magnon, niseshin nga Santiago(Spanjë), kryeqendrën e famshme të tyre, për të përfunduar në vendin e shenjtë, në Jeruzalem.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›