E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sekuestro "Kështjellës" së Fierit

Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara ekzekutoi dje vendimin e Gjykatës së Krimeve të Rënda duke ngrirë objektin në pronësi të Zaim Tafës

Pronari i kompleksit luksoz u kap me drogë në maj bashkë me tre gjermanë dhe një shqiptar, ndërsa në korrik la qelinë për mungesë provash



TIRANË- Gjykata e Krimeve të Rënda në kryeqytet, me kërkesë të organit të akuzës, vendosi dhe ekzekutoi sekuestrimin paraprak të kompleksit "Kështjella" që ndodhet pranë kthesës së Patosit në rrethin e Fierit, pasi pronari i tij, është kapur me heroinë disa muaj më parë. Lajmi bëhet me dije nga burimet zyrtare pranë togave të zeza dhe organit të akuzës, që konfirmuan se sekuestrimi i pronës u bë për shkak se pronari i saj, Zaim Tafa, është marrë i pandehur me akuzën e trafikut të 40 kg drogë.

Kjo sasi është sekuestruar në fillim të muajit maj të këtij viti në pikën e kalimit kufitar të Kakavijës, ku u arrestuan në flagrancë çifti gjerman Franc dhe Rexhina Kiacek që po transportonin drogën. Më pas, po atë ditë, u prangosën edhe gjermani tjetër Daniel Englert dhe dy shqiptarët Alban Pëllumbi dhe Zaim Tafa. Ai rezulton të jetë pronari i "Kështjellës", dhe është liruar në korrik nga Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë për mungesë provash. Ndërkohë, Prokuroria e Krimeve të Rënda, pas lirimit Tafës, ka vijuar hetimet duke zbardhur detajet e rrjetit të trafikut të drogës nga Shqipëria drejt Greqisë me destinacion final Gjermaninë.

Sipas vendimit të sekuestros, pronari i "Kështjellës" Zaim Tafa, dyshohet të jetë një nga organizatorët kryesorë të rrjetit të drogës, të cilëve iu bllokuan edhe 40 kg heroinë. Vendimi i Gjykatës u ekzekutua menjëherë nga oficerët e zyrës së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara e Konfiskuara pranë Ministrisë së Financave. Sipas vendimit, restorant "Kështjella" e Zaim Tafës që nga dita e premte s'mund të tjetërsohet apo shitet. Kjo masë sekuestro paraprake është dhënë me qëllim që pas procesit gjyqësor që pritet të zhvillohet, kjo pronë të konfiskohet në llogari të shtetit, pasi dyshohet se kjo pronë është ngritur dhe vendosur nga të ardhurat në mënyrë të paligjshme. Ndërkaq, pronari i "Kështjellës" në momentin e ballafaqimit me oficerët e policisë gjyqësore të cilët kishin shkuar ta njihnin me vendimin e gjykatës ka kundërshtuar firmosjen e njohjes me vendimin, por, më pas është qetësuar dhe ka firmosur duke marrë dijeni se ka një vendim gjykate që e ndalon ta tjetërsojë këtë pronë.

Lokali i sekuestruar mund të vazhdojë aktivitetin
Gjithashtu, burimet pranë togave të zeza konfirmuan se aktiviteti i "Kështjellës" do të vazhdojë të punojë për llogari të pronarit deri në një vendim tjetër që mund të merret pas përfundimit të procesit gjyqësor në ngarkim të tij dhe bashkë me të pandehurit e tjerë. Vendim sekuestroje i Gjykatës së Krimeve të Rënda është bazuar në nenin 274 pika a e Kodit të Procedurës Penale në përputhje të kërkesës së parashikuar në nenin 36 të Kodit Penal, për sekuestrimin e pasurisë së ardhur nga vepra penale.

Prokurorët Adnan Xholi dhe Edvin Kondili në kërkesën e tyre, të pranuar nga Gjykata, kanë kërkuar sekuestrimin preventivë të kësaj prone të vlerësuar nga 400 mijë apo 700 mijë euro. Ky vlerësim është kryer mbi përllogaritjen minimale e çmimit të drogës në treg ku brenda territorit shqiptar 40 kg heroinë mund të blihen me 400 mijë euro, ndërsa në Gjermani kjo sasi vlen afërsisht 700 mijë euro. Sipas akuzës, në këtë vlerë të drogës së sekuestruar gjatë procesit gjyqësor do të kërkohet konfiskimi i pronës. Sipas hetuesve, shpejt dosja ndaj të pandehurve Zaim Tafa, Alban Pëllumbi, Daniel Englert dhe çiftit Franc dhe Rexhina Kiacek do dërgohet për gjykim, për veprat penale të "trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike" në bashkëpunim.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›