Me plan për zhvillim

Qeveria e Kosovës vendosi për prioritetet ekonomike gjatë këtij mandati. Ato janë: bujqësia, energjia, minierat, privatizimi dhe përmirësimi i ambientit të biznesit. Listën e këtyre prioriteteve kjo qeveri e hartoi në shtetin e Bullgarisë me pjesëmarrjen e vetë kryeministrit Hashim Thaci dhe një pjese të ministrave të kabinetit qeveritar. Atje ishte edhe ambasadorin amerikan, Christopher Dell.
Kryeministri Thaçi, pas miratimit të këtyre prioriteteve në mbledhjen e rregullt të qeverisë, tha se plani i hartuar në Bullgari është një filozofi dhe një qasje e re e zhvillimit ekonomik e bazuar kryesisht në sektorin privat.
Në projektimin e këtyre prioriteteve ka ndihmuar edhe Bashkimi Evropian dhe mekanizma të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, siç janë DFID dhe USAID`i.
“Ky plan është i bazuar në shifra, fakte dhe afate kohore të përcaktuara dhe shumë të qarta, që është një përgjegjësi shtesë për Qeverinë e Kosovës, sepse duhet të vazhdohet me operacionalizimin dhe realizimin e përpiktë, duke respektuar transparencën maksimale sa i përket implementimit të këtij procesi”, tha Thaci.
Kjo qeveri, sipas tij, është qeveria e parë që zotohet për rritje ekonomike me shifra nga 7 deri 8 për qind dhe uljen e papunësisë prej 8 deri10 për qind.
Ai deklaroi se Qeveria e Kosovës zotohet se politikat ekonomike do të kenë gjithmonë parasysh nevojën dhe përshtatjen e nevojave të qytetarëve.
”Pas rritjes së pagave në gjithë sektorët publikë dhe rritjes së mirëqenies sociale, ky plan ekonomik është hapi tjetër që çon drejt rritjes së zhvillimit ekonomik, që bazohet kryesisht në sektorin privat dhe është reflektim i programit të Qeverisë”.
Zëvendëskryeministrja Mimoza Kusari-Lila tha se këto prioritete janë një udhërrëfyes për projektet kapitale, sidomos për përmirësimin e parametrave ekonomikë për zhvillimin e gjithëmbarshëm në Kosovë.
“Në kuadër të zhvillimit ekonomik, si objektiv në konceptin e ekonomisë, Kosova parasheh një ekonomi të lirë të tregut, e cila në njëfarë forme ka rregullat e një ekonomie evropiane, por gjithsesi që mundëson një integrim të plotë, politik, ekonomik dhe teknologjik”, ka thënë Kusari-Lila.
Një plan i tillë, sipas zëvendëskryeministrit Hajredin Kuçi, do të miratohet në Qeveri më 15 maj, e më pastaj do të diskutohet me komisionet parlamentare, shoqërinë civile dhe faktorët tjerë relevantë.
Ministrat që kanë ndërlidhje me sektorin ekonomik, sikur ai i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj, ministri i Infrastrukturës, Fehmi Mujota, ai i Bujqësisë, Blerand Stavileci e të tjerë, kanë paraqitur prioritetet e tyre të parapara me planin për zhvillimin ekonomik.
Beqaj ka folur për investimet në energji elektrike dhe në hidro-energji, duke bërë të ditur se viti 2017 është afati i fundit për rehabilitimin e Termocentralit Kosova B dhe për mbylljen e Termocentralit Kosova A. Ai ka bërë të ditur se gjatë këtij viti do të nisin hapat e parë për Hidrocentralin e Zhurit.
Ministri Mujota ka shprehur zotimet që deri në tetor të përfundojnë 34 kilometrat e para të autostradës Vërmicë-Merdare, ndërkaq një tjetër projekt kapital, sipas tij, është autostrada Prishtinë-Shkup, ndërsa fillimi i punës pritet në vitin 2012-2013.