2 prill 2008-Topalli: Ftesa për në NATO, fundi i tranzicionit politik në Shqipëri, më shumë mundësi për zhvillimin dhe mirëqenien ekonomike të shqiptarëve, më shumë siguri për Shqipërinë dhe për kombin shqiptar.
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli e cila mori pjesë në aktivitetet e organizuara në përkujtim të ngjarjeve tragjike të 2 prillit 1991 në Shkodër, iu përgjigj interesit të gazetarëve për vlerësimin për këtë ditë si dhe për Samitin e Bukureshtit, ku Shqipëria pret të marrë ftesën për anëtarësim në NATO.
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli: Monumenti që kemi pranë flet më shumë se askush tjeter për atë që jo vetëm katër djem të Shkodrës sakrfikuan atë që do të ishte më vonë pluralizmi dhe demokracia në Shqipëri, për dashurinë e madhe, integritetin, qëndresën, por dhe për shpirtin e madh të sakrificës, që ky qytet, por dhe gjithë Shqipëria vuri në bazë të demokracisë dhe ekonomia e lirë, në vendin tonë. Sot, pas 17 vitesh, jemi këtu për të përkujtuar, për tu përulur në nderim të Brocit, Cekës, Bishanakut, Kryeziut, të cilët,me sakrificën e tyre, bënë të mundur që pas 17 vitesh Shqipëria, të shpresojë ftesën për në NATO.
Kjo në fakt do të thotë një gjë shumë të rëndësishme, që me këtë ftesë në NATO, tranzicioni politik në Shqipëri merr fund, dhe Shqipëria hyn në një etapë krejt të re, të një zhvillimi modern, të një shteti modern, të një shteti që pretendon edhe me një ritëm më të shpejtë për tu bërë anëtar i BE-së.
I përjetshëm qoftë kujtimi i tyre !
Pyetje: Si pritet ta përcjellë Kuvendi i Shqipërisë, Samitin e Bukureshtit?
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli: Në fakt, darka e punës që do të jetë sot në Bukuresht, ku do të jenë pjesëmarrës kryetarët e shteve dhe kryeministrat e vendeve pjesëmarrësve, do të jetë vendi ku në mënyrë informale do të vendoset përfundimisht dhe nesër, ata do të prononcohen në mbledhjen e Asamblesë së Përgjithshme të këtij Samiti.
Padyshim që ky është një ndër samitet më të rëndësishëm të vetë NATO-s, por edhe një ndër samitet, ku do të merren vendimet më të rëndësishme.
Ditën e deklarimit të vendimit për zgjerimin e NATO-s, Parlamenti shqiptar do ta ndjekë drejtpërsëdrejti atë që ne presim të gjithë, aprovimin e të gjitha vendeve anëtare për të ftuar dhe Shqipërinë në këtë Aleancë të lirisë.
Kuvendi, përveç Qeverisë, është një nga institucionet që ka bërë të mundur që kjo ftesë të realizohet. Ne fakt, vetëm prej reformave të mëdha dhe kurajos të madhe, dhe lidershipit të fortë, në mënyrë të veçantë, në këto dy tre vitet e fundit, Shqipëria, sheh veten fare afër anëtarëve të tjerë, ose faktorëve më të rëndësishëm globalë. Ftesa për në NATO, do të thotë në të vërtetë, fundi i tranzicionit politik në Shqipëri, por kjo ftesë, do të thotë për shqiptarët edhe më shumë mundësi për zhvillimin dhe mirëqenien e tyre ekonomike, do të thotë më shumë siguri për Shqipërinë dhe për kombin shqiptar në çdo situatë të ardhshme, do të thotë që investitorët do ta shohin Shqipërinë si një vend jashtëzakonisht atraktiv për të sjellë investimet e tyre, gjë që do të ndikojë direkt në jetën e çdo shqiptari
Marrja e ftesës për në NATO do të thotë edhe një hap më shumë përtej në perspektivën tonë europiane. Ndaj dhe them që kjo ftesë është fundi i tranzicionit politik në Shqipëri, është ngjarja më e jashtëzakonshme. Ne arrijmë në këtë moment natyrisht edhe në sajë të sakrificës së këtyre djemve të rinj.
Pyetje: Pas Samitit të Bukureshti, Berisha ka deklaruar se do të ketë ndryshime në Qeveri. Cilat do të jenë këto ndryshime?
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli: Unë mendoj se, siç besojmë, nesër ne do të kemi deklarimin e marrjes së ftesës për anëtarësim NATO, kjo në fakt pa dyshim është së pari dhe kryesisht meritë e kryeministrit Berisha dhe e reformave që ai ka marrë. Se cilat do të jenë vendimet e tij, mua smë takojnë.
Unë dua ta përsëris që Kryeministri Berisha është Kryeministri që po bën të mundur hyrjen e Shqipërisë në NATO, është Kryeministri që bëri të mundur hapjen e negociatave për libralizimin e vizave në Shqipëri, është Kryeministri që bëri të mundur firmosjen e MSA- së, dhe në sajë të reformave, edhe ratifikimin e kësaj marëveshjeje në pjesën më të madhe të parlamenteve të vendeve anëtare te BE- së.