E Diel, 1 Nëntor 2026

3 tetori i 1990-s, çast kulmor jo vetëm për kombin gjerman, por edhe për shqiptarët si dhe për të gjithë qytetërimin europian

Kryeministri Berisha uron Kancelaren gjermane Angela Merkel me rastin e Festës Kombëtare të 3 Tetorit


Kryeministri Berisha i ka dërguar një letër urimi Kancelares së Republikës federale të Gjermanisë, Zonjës Angela Merkel me rastin e Festës suaj Kombëtare të 3 Tetorit, Ditës së Bashkimit të Gjermanisë. Në këtë letër shkruhet: “E nderuara znj. Kancelare, Merkel! Kam kënaqësinë e veçantë, që me rastin e Festës suaj Kombëtare të 3 Tetorit, Ditës së Bashkimit të Gjermanisë, t’ju përcjell, në emrin tim dhe të qeverisë përshëndetjet më të përzemërta dhe urimet më të ngrohta e miqësore. 3 Tetori i vitit 1990 shënon një çast kulmor në historinë e kombit gjerman por edhe qytetërimit europian e mbarë njerëzimit, si dita e ndarjes nga barbaria dhe marrëzia e komunizmit, që për më shumë se një gjysëm shekulli, ndau dhe izoloi, burgosi dhe ekzekutoi, varfëroi, shtypi brutalisht, zhveshi nga liritë themelore dhe shpërfytyroi me miliona njerëz, por edhe popuj e kombe të tërë. Ribashkimi i Gjermanisë më 3 tetor 1990 shënon triumfin e lirisë, demokracisë dhe të drejtave themelore të njeriut në mbarë Europën, shënon një hap vendimtar për ribashkimin e popujve dhe kombeve europianë, të cilët së bashku po konsolidojnë tashmë projektin më madhështor të një Europe të vetme, të bashkuar në paqe e liri. Por unë gjej rastin t’ju dërgoj urimet e mia më të përzemërta e miqësore dhe ato të qeverisë shqiptare edhe me rastin e 60 vjetorit të miratimit të Ligjit Themelor të Gjermanisë moderne të pasluftës, i cili ka luajtur një rol të jashtëzakonshëm si pikë kyçe referimi për garantimin demokracisë, shtetit ligjor dhe lirive e të drejtave të njeriut, si edhe 20 vjetorin e rënies se Murit të Berlinit, simbolit më përfaqësues të paranojës komuniste të perdes së hekurt. Dëshiroj më këtë rast t’ju siguroj se qeveria shqiptare dhe unë personalisht mbetemi të vendosur të forcojmë dhe konsolidojmë edhe më tej marrëdhëniet e shkëlqyera politike, që ekzistojnë ndërmjet të dy qeverive dhe miqësinë tradicionale që ekziston ndërmjet dy vendeve e popujve tanë miq, si edhe të zgjerojmë e thellojmë bashkëpunimin midis dy vendeve tona, në të gjitha fushat, si në kuadrin dypalësh, ashtu edhe në atë shumëpalësh, në veçanti në kuadër të NATO-s dhe në kuadër të integrimit në Bashkëimin Europian. Duke ju rishprehur edhe një herë dëshirën t’ju pres së shpejti në Tiranë, si mike e madhe dhe e shquar e Shqipërisë dhe kombit shqiptar, shfrytëzoj rastin t’ju ripohoj, e nderuar Zonja Kancelare, sigurimet e konsideratës sime më të lartë.


Juaji, Sali Berisha”

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›