E Shtunë, 31 Tetor 2026

3 vjet nga ndarja me “Artistin e Popullit” Kadri Roshi

TIRANE-Para 3 vjetësh i gjithë komuniteti i artistëve shqiptarë, është përkulur me nderim para trupit të pajetë të Kadri Roshit, kolegut dhe profesorit të tyre, aktorit të madh të skenës dhe kinematografisë shqiptare. Aktorë të brezit të Kadri Roshit, regjisorë, operatorë, njerëz të njohur të artit dhe të kulturës, njerëz nga i gjithë spektri politik, miq dhe dashamirës, i kanë dhënë lamtumirën e fundit njeriut, i cili u dallua gjatë të gjithë jetës për pasionin, përkushtimin dhe dashurinë për profesionin e tij. Kadri Roshi lindi më 4 janar 1924, Mallakastër, Shqipëri; vdiq më 6 shkurt 2007 në Tiranë. Kadri Roshi u nda nga jeta në një ditë shkurti plot shi. Në një nga ditët e shëndetit të përkeqësuar, ai do rrëfente se me intepretimin e tij në filmin e regjisorit Viktor Gjika, "Njeriu me top" kishte realizuar rolin e karrierës: "Plaku Mere është kurora e roleve të mi. Atë e kam ndërtuar vetë nga e para, si kam ditur." Nga shumëkush është konsideruar si legjenda e skenës dhe ekranit shqiptar. Në vitin 1995 është nderuar me çmimin e Karrierës në Festivalin e Filmit Artistik, në vitin 1997 me çmimin e Madh të Nderit. Ai është "Nderi i Kombit" nga viti 1999. Emri i Kadri Roshit është një kolos për filmin dhe teatrin shqiptar, ku ai la figura të spikatura që nuk do të harrohen kurrë. Roshi e nisi karrierën e tij si aktor në Teatrin Popullor në moshën 21 vjeçare, për të ushtruar profesionin e suflerit, ndërkohë që ai provoi talentin e tij në një vepër të Gogolit, e cila i dha suksesin e parë në publik. Pas kësaj ai shihet si një artist me të ardhme, gjë e cila solli shkollimin e tij në Zagreb dhe më pas diplomimin shkëlqyshëm në Pragë. Por nuk ishte diploma ajo që i dha lavdinë, por dashuria e madhe për punën, gjë të cilën e tregojnë dhe 170 rolet e krijuara prej tij në skenë dhe kinema. "Historia e teatrit është shumë e gjatë" , thoshte ai, duke shtuar se "të tjerët do të kenë fatin ta çojnë më tej këtë histori sa të bukur aq edhe të mundimshme". Kur aktori i njohur në vjeshtën e vitit 2004 kaloi një gjëndje të rënduar shëndetësore nga shtrati i pavionit në spitalin ushtarak do të deklaronte se nuk shpresonte të ngjitej më në skenë. Kur gjendja e tij nuk jepte asnjë shenjë përmirësimi, Ministria e Shëndetësisë mori përsipër kurimin e aktorit në një nga klinikat e Ankarasë, në Turqi. I lindur në Ballsh(Mallakastër) në vitin 1924, në historinë e kinemasë janë 30 role që mbajnë firmën e tij, ndërsa në teatër rreth 100, nga cilët mjafton të kujtojmë interpretimet tek "Halili dhe Hajria", "Revizori", "Familja e peshkatarit", "Arturo Ui", "Kohë e çmendur", "Dhelpra dhe rrushtë", ku roli i paharruar i Ezopit, përkrah aktores Luiza Xhuvani, është nga të fundmit në skenën e teatrit. Nuk mund të mohosh faktin se portretin e tij e fiksoi në kujtesën e publikut më tepër se teatri, kinemaja, nga arkivi i së cilës do të shfaqen disa fragmente të zgjedhur, role ku Roshi duket se interpreton me lëkurën e vet më shumë se sa me atë të personazhit. Kujtojmë filmat "Lulëkuqe mbi mure". Për interpretimin në rolin e kujdestarit ai është vlerësuar në Festivalin e Dytë të Filmit Shqiptar në vitin 1977, me çmimin special të aktorit më të mirë, bashkë me Timo Fllokon e Agim Qirjaqin. Këtë çmim e merr sërish më 1981 për rolin e mësuesit patriot në filmin "Liri a vdekje", dhe dy vjet më pas, për interpretimin tek "Era e ngrohtë e thellësive". Me protagonizmin tek "Gjeneral gramafoni", "Këshilltarët", "Njeriu me top", mund të thuhet se mesi i viteve ‘80-të prek zenitin e karrierës së aktorit. Jo më kot aktorja e njohur Tinka Kurti, shprehet se "është e vështirë që djepi të rrisë një njeri tjetër si Kadri Roshi", ndërsa Reshat Arbana e cilëson atë si "Sokrati i skenës shqiptare". Nën një shi zvarranik, heshturazi, qindra njerëz 3 vjet më parë përcollen në banesën e fundit Sokratin e skenës shqiptare . (d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›