Aferë korruptive e doganierëve grekë në pikëkalimet me Shqipërinë
Doganierë grekë akuzohen nga policia për një skandal të madh korrupsioni në pikëkalimet kufitare me Shqipërinë. Sipas ndjekjes penale të ushtruar prej prokurorit të Janinës, dhjetë doganierë, pesë në Kakavi, katër në Tri Urat dhe një në Doganën Qendrore të Janinës, secili vetë dhe në bashkëveprim kanë lejuar kalimin e 16.000 kamionave me indeksin "bosh" ose (-) që do të thotë janë kontrolluar, duke përfituar sasira të mëdha parash nga shoferat e kamionave.
Lajmi bëhet me dije nga Radio Deutsche Welle.
Nga këto 11.814 kalime të paligjshme ishin bërë në Tri Urat nga 27 shtatori i vitit 2008 dhe 4.780 në doganën e Kakavisë nga 2 shkurti i vitit 2006. "është e pakuptueshme komunikata e Policisë, nuk ka asnjë lidhje me realitetin" ishte reagimi i kryetarit të Unionit të Doganierëve të Greqisë Veriperëndimore, i cili e cilësoi akuzën "tendecioze" për shkak të grevës 48-orëshe të doganierëve. Ndërkohë, sipas policisë, ndjekja penale kundër doganierëve erdhi si rezultat i një investigimi disamujor të Shërbimit Antikorrupsion të policisë pas denoncimeve të para një viti.