Greqi, një pjesë e fermerëve ndërpresin grevën
ATHINE- Një pjesë e fermerëve grekë kanë vendosur të ndërpresin grevën e cila prej 3 javësh mban të bllokura rrugët dhe pikat e kalimit kufitare të Greqisë me vendet fqinje. Fermerët kanë vendosur ti japin 6 muaj kohë qeverisë për tu përqëndruar në ndërhyrjen në favor të sektorit të bujqësisë.Vendimi u mor mbrëmë gjatë një mbledhjeje në veri të Greqisë. Greva do pezullohet duke nisur nga mesdita e sotme. Fermerët që kanë vendosur ti japin fund protestës janë ato të komitetit panelenik më afër me partinë në qeveri, PASOK, të cilët kontrollojnë gati gjysmën protestave. Ata kanë deklaruar se nuk duan të jenë pengesë për shërimin ekonomik të Greqisë në një moment të thellë krize. Ndërkohë mësohet se vazhdojnë të jenë të aktivizuara një numër i madh barrikadash nga fermerët të cilët janë më afër partisë komunusiste, dhe që mbajnë të bllokuar akset kryesore rrugore si dhe rrugët që të lidhin me Bullgarinë.(s.g/BalkanWeb)