30 ditë burgim serbit, fyeu shqiptarët
Në pikën kufitare në Merdar, është arrestuar serbi Todor Milorad Dosalevic (1971) nga Hoqa e Madhe e Rahovecit, me vendbanim në Jagodinë të Serbisë. Ai në Merdar kishte hyrë me flamurin serb, të gjatë dy metra, që e kishte ngritur në veturën e tij të tipit “Pasat”, me targa PZ 422 27, thuhet në një njoftim të policisë.
Pasi ishte urdhëruar nga Policia Kufitare e Kosovës për të hequr flamurin, Dosalevic kishte nisur të fyejë policinë dhe popullin e Kosovës, me fjalët “këtu është Serbi e nuk njoh polici, as gjykatë të Kosovës”.
Pasi policia ia ka hequr flamurin nga vetura, ai ka vazhduar me fyerjet në baza nacionale, si “shiptari” dhe më pas ka sharë shtetin e Kosovës dhe Policinë e Kosovës me fjalët: “Ju nuk jeni kurrgjë dhe nuk ju njoh”.
Dyzetvjeçarit, pensionist invalidor, pas arrestimit nga policia i janë gjetur edhe 6000 euro, që dyshohet se i kishte sjellë për t’ua shpërndarë shokëve të tij në Kosovë, për të marrë pjesë në shënimin e Ditës së Vidovdanit.
Pasi është sjellë para kryetarit të Gjykatës për Kundërvajtje në Podujevë, Sabit Çitaku, Doshalevic ka refuzuar të japë deklaratë dhe ka kërkuar të jenë të pranishëm përfaqësues të KFOR-it dhe UNMIK-ut.
Ai së pari është dënuar për kundërvajtje me 450 euro dhe pasi ka refuzuar aktvendimin e Gjykatës, ka pasuar vendimi tjetër me burg prej 30 ditësh, vendim që është ekzekutuar menjëherë.