E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Trepça" në veri shet ilegalisht

Nga Express më 29 qershor 2011 në ora 11:55

Menaxhmenti i "Trepçës" që gjendet në pjesën veriore dyshohet se ka shitur edhe në të kaluarën mijëra tonelata xehe pa marrë miratimin e Agjencisë së Privatizimit dhe paraardhëses së saj, Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit.

Kjo ndërmarrje që zyrtarisht është nën administrim dhe subvencionet nga AKP-ja, por nuk monitorohet nga kjo agjenci, ka nxjerrë në shitje një sasi prej 2 milionë e gjysmë tonelatash të mbetjeve minerare nga Metalurgjia e Plumbit në Zveçan.

“Kemi informata se pa miratimin e AKP-së janë shitur edhe më herët xehe. Ne nuk mund t’i vërtetojmë këto, pasi që nuk e kontrollojmë atë pjesë”, ka thënë Ferat Shala, drejtor i përgjithshëm i “Trepçës”.

Sipas tij, verifikimi i këtyre informatave i takon Agjencisë Kosovare të Privatizimit, e cila i ka nën administrim edhe asetet e ndërmarrjes “Trepça” në pjesën veriore.

“Dyshojmë se janë bërë shitje të xehes edhe para kohës që unë të vija drejtor këtu”, ka thënë Shala.

Për tenderin aktual të menaxhmentit të pjesës veriore, Shala ka thënë se nuk ka ndonjë informatë se si kanë shkuar punët.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›