E Shtunë, 31 Tetor 2026

Veç teposhtë

Atmosfera për bërjen e biznesit në Kosovë po përkeqësohet nga viti në vit. Edhe në raportin e sivjetmë të Bankës Botërore, Kosova mbetet vendi ku më së vështiri bëhet biznes. Kjo atmosferë e keqe po i ndjek investitorët dhe e ka hedhur shtetin e ri në vendin e 173`të më të keq në botë për biznes. BB kërkon reforma. Nga Albulena Maloku më 29 qershor 2011 në ora 11:40

Kosova mbetet vendi më i pafavorshëm për bërjen e biznesit. Raporti i fundit i Bankës Botërore e bën të qartë se vendi është shumë larg shteteve të tjera në të bërit biznes. Këto të dhëna tregojnë pse investitorët po ikin prej Kosove.

Raporti i fundit i Bankës Botërore, “Të bërit biznes në Evropën Juglindore 2011”, konstaton se nga 22 qytete të shteteve të ndryshme të Evropës Juglindore, Prishtina mbetet qyteti ku më së vështiri bëhet biznes.

Derisa në Shkup, një kompani duhet të presë tri ditë për të regjistruar dhe nisur punën, në Prishtinë, thotë raporti, kjo procedurë zgjat dy muaj.

“Është shumë më vështirë të nisësh një biznes në Prishtinë (Kosovë), të regjistrosh pronën në Mostar (Bosnjë e Hercegovinë) dhe të zbatosh një kontratë në Prizren (Kosovë)”, konstaton BB’ja. Në krahasim me vendet e tjera, të cilat kanë bërë progres në bërjen e biznesit, Kosova mbetet shumë mbrapa. Madje, kjo bankë kishte kërkuar reforma në fushën e krijimit të biznesit, marrjen e lejes ndërtimore, zbatimin e kontratave, tregtinë përtej kufijve dhe mbrojtjen e investitorëve, si fusha në të cilat ka nevojë për përmirësime.

Por, deri më tani, Banka nuk ka gjetur asnjë përmirësim në asnjërën prej këtyre fushave. E udhëheqësit e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë kishin premtuar se reformat në këto fusha do të përfundojnë deri në muajin korrik. Për shkak të mungesës së reformave në këto fusha, investimet e huaja direkte në vend kanë rënë nga viti në vit. Në vitin 2007, kur është futur operatori i dytë i telefonisë mobile në Kosovë, investimet e huaja në vend kanë qenë 421 milionë euro. Në vitin 2008, këto investime kanë qenë 355 milionë, ndërsa në vitin 2009 vetëm 310 milionë euro.

Në raportin e BB’së, të publikuar në fund të vitit 2010, “Të bësh biznes 2011”, Kosova radhitet e 173-ta, sa i përket mbrojtjes së investitorëve. Me këtë raport, Banka Botërore kishte bërë të qartë se pse investitorët e huaj ikin prej Kosove. Është pasiguria dhe mungesa e mbrojtjes së investitorëve, që e bën shtetin më të ri në botë, vend të papërshtatshëm për investime. Përkundër asaj se Kosova nuk ka bërë progres në bërjen e biznesit, ekonomitë e vendeve të tjera, sipas raportit të fundit të BB’së, kanë vazhduar reformën rregullatore për bizneset pavarësisht krizës financiare globale.

Rezultatet tregojnë se të gjitha 19 qytetet e vlerësuara në raportin e vitit 2008 janë përmirësuar në të paktën një prej katër fushave rregullatore të vlerësuara. “Hapja e biznesit, marrja e lejeve të ndërtimit, regjistrimi i pronës dhe zbatimi i kontratave janë fushat që i kanë përmirësuar disa nga shtetet e Evropës Juglindore”, thuhet në raport. Në të gjithë rajonin, kostoja mesatare për të nisur një biznes është ulur nga 22 në 13 për qind të të ardhurave mesatare për frymë.

Koha mesatare që nevojitet për të përpunuar lejet e ndërtimit dhe për të regjistruar pronën është reduktuar me më shumë se një muaj. Në disa kategori, qytetet e rajonit mund të krahasohen me qytetet që kanë indikatorët më të mirë në botë. Duke aplikuar zgjidhjen “one stop shop”, Shkupi, Maqedonia ka thjeshtuar procesin e hapjes së një biznesi duke zënë kështu vendin e pestë në botë në këtë fushë. Sipas këtij raporti, reforma rregullatore e biznesit në Evropën Juglindore po u kursen sipërmarrësve vendas si kohën, ashtu edhe paratë.

Doing Business

Raporti “Të bësh biznes në Evropën Juglindore 2011”, është i dyti i këtij lloji që analizon se sa lehtë është të bësh biznes në 22 qytete nga shtatë ekonomi, Shqipëri, Bosnjë e Hercegovinë, Kosovë, Ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë, Moldavi, Mal të Zi dhe Serbi. Ky raport shqyrton kuadrin rregullator të biznesit për sipërmarrjet e vogla dhe të mesme.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›