E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bamir Topi: Pranojeni Kosovën në OKB

Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi, u kërkoi Kombeve të Bashkuara që të njohin e të pranojnë si anëtare të tyre shtetin e ri të Kosovës. Presidenti i bëri deklaratat në fjalën që mbajti përpara burrështetasve nga mbarë bota në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Deklaratat e Topit ishin rikonfirmim i qëndrimit të Shqipërisë për Kosovën, një nga krahinat e saj etnike, e cila iu dha Serbisë në Konferencën e Ambasadorëve të mbajtur në Londër në vitin 1913. Topi tha pa u lëkundur, se Kosova duhet të pranohej në Kombet e Bashkuara. “Shqipëria është e bindur se njohja e shtetit të ri të Kosovës është në interes të vetë Kosovës, të Shqipërisë, të Serbisë dhe të gjithë fqinjëve të afërt ose të largët të saj, të Evropës dhe të hapësirës mesdhetare. Prandaj Kosova, ky realitet i ri politik, ekonomik dhe social, meriton plotësisht të jetë sa më parë anëtare i organizatës sonë të Kombeve të Bashkuara. Ju bëj thirrje të pranoni me realizëm këtë zhvillim të pakthyeshëm, duke e njohur dhe mbështetur Republikën e Kosovës”, - tha presidenti. Topi e nisi fjalën e tij, duke thënë se Shqipëria e konsideron krijimin e shtetit të pavarur e sovran të Kosovës si ngjarjen historike dhe zhvillimin më të rëndësishme politik të këtij fillimshekulli. Sipas tij, pavarësia e Kosovës e çliron përfundimisht këtë pjesë të Evropës nga makthi i luftës, i konflikteve ndëretnike, i spastrimeve e gjenocidit etnik, përmbush dhe respekton vullnetin e lirë të një populli për t’u shkëputur nga zgjedha politike, nga padrejtësia historike dhe nga pamundësia për zhvillim. Ai tha gjithashtu, se “Kosova nuk udhëhiqet më nga Jugosllavia e dështuar, as nga jugosllavët e rinj të moderuar, por nga parimet e Evropës së civilizuar dhe të OKB-së së universalizuar”. I takuar gjatë qëndrimit në OKB me presidentin e shtetit të dytë shqiptar, atë të Kosovës, Fatmir Sejdiun, Topi gjeti rastin të vlerësojë popullin dhe qeverinë e Kosovës, kur tha se Shqipëria i mbështet ata në përkushtimin e tyre për ndërtimin e një shoqërie demokratike, me qëllim që, sipas planit “Ahtisari”, çdo individ, çdo grup etnik, pavarësisht përkatësisë etnike, të ndihet i lirë në shtëpinë dhe pronën e tij. Presidenti Topi tha gjithashtu, se duhen ndërmarrë të gjithë veprimet e nevojshme për rikonfigurimin e UMNIK-ut. Zoti Topi përjashtoi sakaq kategorikisht çdo krahasim të Kosovës me rajonin e Kaukazit, përkatësisht Gjeorgjinë. “Shqipëria i konsideron të pabaza përpjekjet për të vendosur paralele midis Kosovës dhe rajoneve të Gjeorgjisë, Abkhazinë dhe Osetinë e Jugut. Argumente të panumërta historike, juridiko-kushtetues, politike, demografike etj., dëshmojnë se rasti i Kosovës është unik, “sui generis” dhe zgjidhja e zbatuar për të është unike. Si i tillë, ai nuk shërben dhe as nuk mund të shërbejë si model për zgjidhjen e konflikteve të tjera as në rajon, as jashtë tij”, - tha Topi. Në çështjet e tjera, presidenti Topi theksoi gatishmërinë e Shqipërisë në luftën kundër terrorizmit dhe se ka përmbushur aktivisht detyrimet dhe përgjegjësitë e saj. Presidenti kujtoi se Shqipëria kontribuon me trupa paqeruajtëse në kuadrin e OKB-së dhe të organizatave të tjera të sigurisë në Afganistan, Irak, Gjeorgji, Bosnjë dhe Hercegovinë, dhe se kohët e fundit dërgoi 68 trupa në përbërje të EUFOR-it në Çad.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›