30 kosovarë dërgohen në burgje

Mbi 30 kosovarë sot do të largohen nga kampi Bakeshop në Hungari. Ata do të dërgohen në njërin prej burgjeve të këtij shteti për të vuajtur dënime prej tre deri në gjashtë muaj.
“Jemi më shumë se 30 shqiptar të Kosovës që sot në ora 16:00 do të transferohemi nga kampi për në burg”, thotë për Indeksonline Shpejtim Tara, njëri prej kosovarëve që ka qëndruar që disa javë në kampin Bakeshopp, në kufi me Rumaninë.
“Neve na kanë arrestuar me të kaluar kufirin në Suboticë, pastaj prej aty na kanë transferuar për në kapmin Bakeshop, ndërsa prej këtu tash po na dërgojnë krejt në pjesën tjetër të Hungarisë, në kufi me Ukrainën”, thotë Shpejtimi, i shqetësuar me gjendjen që po mbanë në kamp.
Shpejtimi i ka bërë thirrje institucioneve kosovare që t’u dalin sa më parë në ndihmë pasi që janë duke përjetuar ditë të vështira.
“Na kemi kërkuar azil në Hungari, por nëse na kërkojmë që të kthehemi në Kosovë, janë disa procedura që duhet ndjekur, të shkojmë për tre muaj në burg e pastaj prej aty na depertojnë nga Hungaria”, thotë Shpejtim Tara.
Një ditë pas arrestimit dhe dënimit me burg të dy shqiptarëve në Hungari, sot policia ka ndërmarr edhe një operacion tjetër në kampin Bakeshop, ku po qëndrojnë shumë kosovarë.
Burimet e Indeksonline brenda kampit, kanë thënë se policia e ndau një qift nga Kosova për arsyeje të pasqaruara.
“Çifti Shkëlzen Pireva dhe Kimete Krasniqi nga Kamenica janë ndarë dhunshëm nga policia hungareze për arsyeje të panjohura”, thotë për Indeksonline, njëri nga kosovarët që po qëndron që një muaj në kampin afër kufirit me Rumaninë.
E derisa qytetarët e Kosovës po përjetojnë ditë të vështira nëpër kampe, Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës, përmes Ambasadës në Hungari thotë se është duke përcjell me vëmendje zhvillimet që kanë të bëjnë me qytetarët e Kosovës, të cilët në përpjekje për të migruar në shtetet e Evropës, aktualisht ndodhen në Hungari.
MPJ në vazhdimësi po mbledh informacione për vendndodhjen, trajtimin si dhe aspektet tjera që lidhen me akomodimin e përkohshëm të tyre në këtë shtet mik, me ç’rast autoritetet hungareze kanë siguruar se qytetarët e Kosovës janë duke u trajtuar në përputhje me standardet evropiane që lidhen me trajtimin e azilkërkuesve.
Sipas informacioneve të fundit të ofruara nga autoritetet hungareze, numri i shtetasve kosovarë që janë kapur duke tentuar të futen ilegalisht në Hungari, ditëve të fundit ka pësuar rënie dhe se numri aktual i shtetasve të Kosovës që presin kthimin është rreth 500.
“Pas konsultimeve me autoritetet hungareze dhe shtetasit kosovarë që janë të vendosur në qendra të ndalimit dhe pranimit të azilkërkuesve jemi informuar se kushtet e jetesës, shërbimet dhe ushqimi i tyre është në nivel, iu ofrohet mundësi e komunikimit me telefon dhe internet, dhe se nuk ka evidencë të keqtrajtimit fizik apo ofendimi”, thuhet në njoftimin e MPJ-së.
Ministria është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet hungareze lidhur me fasilitimin e procedurave të kthimit, rrjedhimisht kthimin sa ma të shpejtë të tyre në Kosovë.
Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, personalisht po angazhohet fuqishëm dhe ka intensifikuar kontaktet me autoritetet hungareze, me qëllim të tejkalimit sa më të lehtë dhe përmbylljes së suksesshme të kësaj situate./V.K/Indeksonline/