30 mijë qytetarë i thonë “JO” planit prej gjashtë pikash
Këshilli i organizatave të bashkuara për demonstratën ka vlerësuar se në demonstratën e djeshme në Prishtinë rreth 30 mijë demonstrues kundërshtuan planet politike që, sipas tyre, po i pamundësojnë Kosovës sovranitetin dhe integritetin territorial. Sipas tyre, ky është vetëm fillimi. Ata paralajmërojnë edhe demonstrata tjera.
Organizatorët e demonstratës së djeshme në Prishtinë kanë thënë se kjo demonstratë ka pasur për qëllim thirrjen për referendum.
“Njëkohësisht kërkesa ishte për sovranitet dhe referendum. Demonstrata nuk ka qenë përkrahje për institucionet e Kosovës. Kjo “JO” e qytetarëve të Kosovës është esencialisht e ndryshme prej “JO”-së së politikanëve të Kosovës: “JO” qytetarët e Kosovës i thanë jo vetëm 6 pikave, por edhe negociatave të ardhshme për këtë plan dhe pikave të ndryshme të propozuara”, - thuhet në njoftimin e Këshillit Organizativ të demonstratës.
“JO” e qytetarëve të Kosovës është “JO” parimore, e qëndrueshme, është “JO” që kërkon përfshirjen e popullit të Kosovës në procesin politik”.
Sipas tyre, protestuesit në Prishtinë kërkuan referendum, kërkuan që vendimet për Kosovën të jenë rrjedhojë dhe të bazuara në vullnetin e popullit, e jo rrjedhojë e takimeve të politikanëve dhe e vullnetit të 3 a 4 njerëzve.
“Kosova është e popullit dhe i takon atij. Kjo nënkupton se vetëm populli mund të vendosë çfarë bëhet me Kosovën, me territorin dhe pasurinë tonë”, - thuhet në njoftimin e protestuesve.
Pas këtyre fjalimeve demonstruesit u shpërndanë me porosinë se ky është vetëm fillimi. Kjo demonstratë u organizua nga 20 organizata të ndryshme shoqërore.
Kurti: Plani e kthen Serbinë në Kosovë
Me planin e ri prej gjashtë pikash të OKB, Serbia po tenton të rikthehet në Kosovë, ka thënë kreu i Lëvizjes “Vetëvendosje”, Albin Kurti, para masës së protestuesve të mbledhur para ish-selisë së UNMIK.
“Me 12 mijë të vrarë nga Serbia në Kosovë, 20 mijë femra të dhunuara, e me një milion të deportuar, përmes gjashtë pikave Serbia prapë synon që të kthehet në Kosovë”, - tha Kurti, në fjalimin para ndërtesës së UNMIK.
Ai ka thënë se, nëse EULEX është neutral ndaj statusit të Kosovës, shqiptarët e Kosovës nuk mund të jenë neutralë ndaj statusit e as ndaj EULEX. “EULEX ka ardhur këtu për kontroll, e jo për këshilla siç ka thënë më herët”, - ka deklaruar ai.
Sipas Kurtit, ky plan prej gjashtë pikash bashkë me planin 4 pikësh të palës kosovare, do të përfundojnë me një plan tjetër diku nga mesi. “Nëse më herët fjala jonë kryesore ka qenë pavarësi, tash e tutje ajo duhet të jetë sovranitet”, - ka thënë ai.
Ndërsa Igballe Rugova nga “Rrjeti i grave” ka thënë se BE duhet të marrë shembull nga përvoja e keqe e UNMIK. “UNMIK ka dështuar të jetë shembull i duhur në Kosovë, e BE duhet të mësojë nga këto gabime, ose nga shembulli i UNMIK”, - ka thënë ajo. Fjalimi i Kurtit ka lënë të kuptohet se do të ketë protesta të tjera, por deri më tani nuk janë dhënë detaje të tjera.
Jashari: Pavarësia farsë, nëse realizohet plani
Në fjalimin para ndërtesës së Kuvendit të Kosovës, Xhavit Jashari, në emër të shoqatave të dala nga lufta, ka thënë para protestuesve se, nëse realizohet plani prej gjashtë pikash i Sekretarit të OKB, Ban Ki-Moon, atëherë pavarësia e Kosovës do të jetë farsë.
“Kosova është çliruar nga Serbia falë gjakut të dëshmorëve, por a do të jetë shtet sovran, kjo varet nga institucionet dhe mbi të gjitha nga vetë populli i Kosovës”, - ka thënë Jashari para protestuesve.
Sipas tij, protesta e të mërkurës është vërejtje për Bashkimin Evropian që të mos prekin aty ku nuk duhet. “95 për qind e këtij populli janë shqiptarë dhe, nëse iu preket interesi, pasojat mund të jenë të paparashikueshme”.
Ndërsa Alban Bokshi, nga OJQ “Çohu”, i rikujtoi institucionet e Kosovës se detyrë e tyre është ta mbrojnë Kushtetutën e vendit. “Këto gjashtë pika janë kthim i kriminelit në vendin e krimit”.
Më tutje në fjalimin e tij, Bokshi u shpreh se 100 vjet më parë rrezikohej krijimi i shtetit shqiptar, ndërsa një shekull më vonë historia po përsëritet. “Nëse politikanët tanë dorëzohen, ne nuk do të dorëzohemi kurrë. Ne jemi sovrani”.
Protesta
Pikërisht në mesditë ka nisur protesta e organizuar nga rrjeti i organizatave joqeveritare kundër planit 6-pikësh të OKB për Kosovë. Disa mijë protestues janë mbledhur para Bibliotekës Kombëtare në Prishtinë, dhe më pas kanë nisur marshimin drejt ndërtesës ku do të vendoset EULEX.
Protesta e djeshme u zhvillua me moton “Ta mbrojmë sovranitetin”. Protestuesit kanë bërë thirrje kundër Planit të Ban Ki-Moon, kundër negociatave të reja, kanë kërkuar referendum. “Bac u kthyen!”, shkruhej në njërën prej parullave.
Sipas policisë, numri i protestuesve në fillim të protestës ishte rreth 2 mijë, por atyre po iu bashkëngjiten edhe qytetarë të tjerë gjatë marshimit.
Rreth orës 12:30 protestuesit kanë mbërritur para Kuvendit të Kosovës. Gazetari i “Express” bën të ditur se aty që më herët ishte mbledhur një turmë prej mijëra vetësh.
Agron Borovci, zëdhënës i policisë rajonale të Prishtinës, tha për “Express” se deri më tani nuk ka ndonjë incident. Policia ka thënë se numri i pjesëtarëve të saj që do të angazhohen në ruajtjen e rendit gjatë ditës së djeshme do të jetë “aq sa paraqitet nevoja”.
Beogradi kërkon planin e OKB
Serbia nuk pranon asnjë plan tjetër përveç gjashtë pikave të paraqitura nga Kombet e Bashkuara. Plani i qeverisë së Kosovës është i pavlefshëm. Serbët shpresojnë se më këtë mision do të konfirmohet sovraniteti, ndonëse opozita e ka cilësuar si njohje të pavarësisë së Kosovës.
Milivoje Mihajloviç, shef i kabinetit për Marrëdhënie me Publikun i kryeministrit serb, thotë për “Top Channel” se EULEX do të sjellë një jetë më të mirë. Sipas tij, serbët e Mitrovicës, që kanë nënshkruar një peticion kundër këtij misioni, e kanë parë atë me një sy të gabuar.
“Nuk jam i sigurt se të gjithë janë të lumtur me ardhjen e EULEX, por mendoj se jeta do të përmirësohet, si e serbëve, ashtu edhe e shqiptarëve, nëse EULEX vjen në Kosovë në bazë të kërkesave të Beogradit”, - u shpreh Mihajloviç.
Serbia ka kërkuar që prania ndërkombëtare të ketë rol neutral. Serbët e Kosovës kanë qenë kundërshtarë të fortë të misionit evropian dhe vendosjes së gjykatës në veri. Por, zyrtari i qeverisë thotë se të gjitha kundërshtimet janë punë kriminelësh. “Unë e di që ata që kundërshtojnë vënien e rëndit dhe rregullimit të situatës janë kriminelë, para së gjithash pa ngjyrime etnike. Ata kanë interesat e tyre dhe vetëm atyre u leverdis që të qeverisë rrëmuja në Kosovë e Metohi, qofshin shqiptarë, ose serbë dhe për këtë arsye e kundërshtojnë ardhjen e tillë të EULEX në Kosovë”, - shtoi zyrtari. Serbët nuk kanë ndryshuar shumë qëndrim. Por, Mihajloviç thotë se duhet vepruar për afrimin e dy popujve dhe pajtimin e tyre. Bisedimet duhen vazhduar thotë Serbia.
Jeremiç: Kemi garanci se plani nuk do ndryshojë
Ministri i Jashtëm i Serbisë, Vuk Jeremiç, ka deklaruar se seanca e Këshillit të Sigurimit për Kosovën me siguri do të mbahet të hënën apo të martën e ardhshme.
Jeremiç tha se “Serbisë i janë dhënë garanci se plani prej gjashtë pikash nuk do të ndryshohet”.
Zyrtarët serbë më herët kanë deklaruar se do ta pranojnë vendosjen e EULEX në Kosovë, në qoftë se misioni miratohet nga Kombet e Bashkuara, nëse do të jetë neutral ndaj statusit dhe nëse nuk e zbaton planin e Ahtisaarit.
EULEX, Solana takim me Ki Moon e Rice
Shefi i Politikës së Jashtme dhe Sigurisë në BE, Havier Solana, do të takohet të premten në Nju-Jork me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB, Ban Ki Moon.
Temë e diskutimeve pritet të jetë rikonfigurimi i UNMIK, respektivisht shtrirja e misionit EULEX në Kosovë. Ndërkohë, një ditë me parë, Solana pritet të takohet me Sekretaren amerikane të Shtetit, Condoleezza Rice.
Rezoluta e AP: NATO, angazhim në Kosovë
“Vendet e NATO-s të mbeten të angazhuara për sigurimin e paqes në Kosovë, përmes pranisë ushtarake dhe civile”. Kështu thuhet në rezolutën e miratuar nga Asambleja Parlamentare e NATO-s, që po zhvillon punimet në Valencia të Spanjës. Në rezolutë kërkohet që ndërkombëtarët të bashkëpunojnë për çështjen e EULEX. “Kërkojmë shtrirjen e plotë të misionit në të gjithë Kosovën dhe plotësimin e burimeve të misionit për përforcimin e sundimit të ligjit në vend”, - thuhet në rezolutë.