Italiani Livio Muçi, botuesi i madh i librit shqiptar
Instituti Kombëtar i Diasporës në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Qendrën Ndërkombëtare të Kulturës “Arbnori” ka nderuar me një prezantim promovues shtëpinë botuese “Besa” dhe editorin e saj Livio Muçi. Prezantimi i veprimtarisë së shtëpisë botuese italiane “Besa” dhe i editorit të saj Livio Muçi është bërë nga QNK “Arbnori” me rastin e qëndrimit të editorit Muçi për për disa ditë në Shqipëri. “Në historinë moderne të librit shqiptar, veçanërisht atij të pasdiktaturës, këto dy emra janë shfaqur me dinjitet dhe kanë shtuar lirinë tonë, e kanë bërë atë më të bukur” , tha drejtori i QNK “Abërori”, Mujë Buçpapaj . Miku italian i shqiptarëve, Livio Muçi, ka qenë i pranishëm në të gjitha Panairet e librit, por jo gjithnjë i ka rënë në sy medias dhe për pasojë të një informimi jo të plotë, edhe opinionit tonë publik. Shumë pak e dinë se Livio Muçi dhe shtëpia e tij botuese “Besa” ka publikuar afro pesëdhjetë libra me temë Shqipërinë dhe rreth gjysma e tyre janë autorë shqiptarë. Konsiderohet deri tani botuesi më i madh i librit shqiptar në botë. Ky është një kontribut i vyer, kjo është një vepër reale e bërë me shpirt në dobi të imazhit pozitiv të kombit tonë. Shtëpia botuese “Besa” që në fillimet e veta lindi me dëshirën për të pasqyruar jetën plot trazim e mahnitje të Ballkanit, popujve të shumtë të Mesdheut, mjediseve spanjisht-folëse në Evropë dhe Amerikë. Megjithatë siç edhe e tregon me emrin që Livio Muçi i ka vënë asaj dhe vazhdon t’ia mbajë, vëmendja e tij kryesore është të bëjë të ditur në opinionin publik dhe letrar italian kulturën shqiptare. Informojmë se ka ndodhur shpesh që pas botimit në italisht libra të dalë nga “Besa” janë përkthyer në të gjitha gjuhët e kontinentit tonë e deri edhe në Amerikë. Kontribut i veçantë i Livio Muçit është edhe fakti që ai në mënyrë këmbëngulëse mjaft nga botimet e autorëve shqiptarë i ka publikuar në libra dygjuhësh, në italisht dhe në shqip. Kjo nuk është bërë për komercializëm, por për të ndihmuar sadopak që bashkë me vlerat e letërsisë dhe të kulturës sonë bashkëkombësit tanë të ruajnë edhe gjuhën amtare. Kohët e fundit për të inkurajuar talentet më të spikatura si edhe autorët që shkruajnë drejtpërsëdrejti në gjuhën italiane shtëpia botuese “Besa” dhe drejtuesi i saj Livio Muçi nisën veprimtarinë edhe të një shtëpie të dytë botuese “Le edizioni Controluce”. I pari libër i saj ka qenë vepra e Ismail Kadaresë “Eskili ky humbës i madh” (“Eschilo il gran perdente”) si edhe antologjia e poetit Gezim Hajdari “Poezi të zgjedhura 1990-2007” (Poesie scelte 1990 – 2007). Gjithnjë, kur e pyet për planet e tij në të ardhmen, miku i mirë i shqiptarëve Livio Muçi të përgjigjet “Do ta mbaj Besën që i kam dhënë Shqipërisë”.