Flamuri fillon punën për monitorimin e reformave
Antena brenda familjes
Kryeministri Berisha ka dhënë dje udhëzimin e tij të fundit për monitorimin e reformave dhe luftës kundër korrupsionit. Përfundimisht, prokuroria, gjykatat dhe çdo institucion i drejtësisë nuk ka më të drejtë të hetojë mbi luftën kundër korrupsionit. Nuk iu quhet, se ata shpeshherë e marrin seriozisht dhe çojnë njerëz në burg. Më e keqja është se shumicën e herëve ata duan pará që t’i mbyllin çështjet dhe kjo e dëmton dhe më shumë luftën kundër korrupsionit, pasi me paratë e vjedhura ri-paguhen hajdutë. Qëllimi i qeverisë është që me paratë e vjedhura të investohet në biznese familjare. Kryeministri po ashtu ua hoqi zyrtarisht vizën si të paafta gjithë institucioneve financiare dhe statistikore në Shqipëri, Evropë dhe botë. Inatin më të madh e ka me FMN, Bankën Botërore, Bankën e Shqipërisë dhe ndonjë instituti që llogarit rritjen ekonomike apo GDP në vend. Kryeministri thotë e kemi 16 për qind, kurse FMN, që duket se qenka një institucion injorant, thotë e keni 3,5 për qind. Epo katër herë më pak nuk i thonë shaka. Për këtë prej dje ai vendosi në mbledhje të qeverisë që me këto gjëra të mos merren më as FMN, as Banka Botërore, as Banka e Shqipërisë, dhe me korrupsionin të mos merret më drejtësia, d.m.th, prokuroria, gjykata dhe Kontrolli i Lartë i Shtetit. “Me të gjitha këto do merret populli”, - tha Berisha. Dhe argumentin e kishte të saktë. Vetëm populli e di se çfarë është rritja ekonomike dhe ku është mirëqenia reale. Le të thonë ç’të duan institucionet financiare, populli e ndjen lumturinë dhe ai duhet të shprehet.
Për të marrë mendimet e popullit, ai thirri dje në zyrë Flamurin dhe i la detyrat.
- Detyra e parë është të krijojmë shoqërinë civile, - i tha. - Nga media hiq dorë, median e kontrollojnë pronarët, pronarët janë biznesmenë, bizneset s’i kanë punët mirë dhe na nxijnë realitetin. Po ne e kemi mirë me popullin Atëherë, ti ngarkohesh të formosh disa OJQ që ne do t’i quajmë shoqëri civile dhe ato do masin nivelin e korrupsionit, nivelin e varfërisë, rritjen ekonomike dhe gjithçka tjetër. Pastaj ti do dalësh në konferencë shtypi dhe do t’i bësh publike. E di që këto mediat e pronarëve nuk do t’i japin, po aq më duhet mua. Pastaj do fillojmë të nxjerrim Bogdanin dhe ai do t’u kërkoj përditë medieve të kërkojnë falje që nuk dhanë shifrat e tua. Kemi për t’i kapur keq aty, s’kanë ku shkojnë. Është ide e mirë shumë.
Flamuri i shkretë u përtyp pak dhe guxoi të pyesë.
- Dmth, këto OJQ që janë, nuk na bëjnë punë? Do krijojmë të tjera?
- Flamur, kot janë, nuk bëjnë. Këto i kontrollon Edi Rama, i kontrollojnë ambasadat, i kontrollon FMN, Banka Botërore, nuk bëjnë. Na duhen tonat të pavarura. Që të mos varen nga askush.
- D.m.th., as nga ne? - i tha Flamuri.
- Nga ne s’kanë pse varen, se tonat janë. Do duhet t’i bësh shpejt e shpejt. Dhe brenda javës t’ua shpallim procesin e parë të monitorimit.
- Dakord, - tha Flamuri. - Po si duhet raporti?
- Shkruaj, - i tha Berisha. - Rritja ekonomike 16, 7 për qind, GDP 3992 euro, taksat dhe tatimet 109, 34 për qind, doganat 123,7 për qind....
- Dakord, - tha Flamuri. - Qenkan dhe shifra të sakta. Nesër po i bëj këto organizatat dhe po të njoftoj. Me median pastaj merret Gerti, se unë nuk i kam mirë punët. Nuk më marrin seriozisht. Qeshin gjithë ato çupëlinat e gazetave, sa u them jam Flamuri. Se nuk më dinë të vërtetë. Mendojnë që më ka shpikur gazeta “TemA” si emër. Sa e marrin vesh që jam i vërtetë, i kap të gjithë të qeshuri dhe më mbyllin telefononin. Ndaj është mirë të merret Gerti me shtypin.
- Shumë mirë, Gerti të merret me shtypin. Dhe mos të presë hiç, se s’kanë për ta botuar. Vetëm “55” dhe “Koha Jonë” do t’i botojnë. Pastaj ai të dalë e t’u thotë të kërkojnë falje. Jo, falje do kërkojnë ata, se s’mund ta kalojnë në heshtje një studim të tillë. S’merremi më me këta plehrat ne që duan t’i vënë shkopinj nën rrota demokracisë. Kemi aleancë me shoqërinë civile. Ata do ta zgjidhin këtë punë. Banka Botërore, FMN, OSBE, prokuroria, gjykatat, janë të gjithë horra. S’kemi më punë me ta.