Rreziku i ndarjes së Kosovës është real
Në një letër drejtuar arkitektit të pavarësisë së Kosovës, presidentit Martti Ahtisaari, me rastin e marrjes së çmimit Nobel, ish-ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Besnik Mustafaj, e ka paralajmëruar atë për rrezikun e ndarjes së Kosovës, për shkak të mosfunksionimit të procesit të pavarësimit të Kosovës. Letra e drejtuar më 21 tetor 2008, falënderon presidentin Ahtisaari dhe vlerëson marrjen prej tij të çmimit Nobel dhe thekson rreziqet që e presin përpara Kosovën.
I dashur zoti President,
E kam pritur me shumë gëzim lajmin që Ju morët sivjet çmimin Nobel për Paqen. Është një nder i merituar për punën e jashtëzakonshme, që Ju keni bërë prej shumë vitesh dhe vazhdoni të bëni me një besim dhe këmbëngulje shembullore në shërbim të paqes.
Si ministër i Jashtëm i vendit tim, kam patur privilegjin të bisedoj disa herë me Ju gjatë 2006 e deri në pranverë 2007 lidhur me të ardhmen e Kosovës. Kam çmuar gjithmonë lart në personalitetin Tuaj vendosmërinë për të gjetur një zgjidhje të drejtë, ku askush të mos ishte as triumfator dhe as i humbur. Shumica shqiptare, si dhe pakica serbe dhe pakicat e tjera, në vizionin tuaj për Kosovën e së ardhmes, do të duhej të kishin të njëjtat liri dhe të drejta. Ju kishit marrë përsipër edhe një herë të bënit drejtësi dhe për këtë Ju takon mirënjohja e të gjithë qytetarëve të lirë të botës.
Me zgjidhjen që propozuat për Kosovën, Ju i bëtë një shërbim të çmuar paqes dhe stabilitetit në gjithë rajonin e Ballkanit. Por, fatkeqësisht, për arsye që nuk vënë në dyshim drejtësinë e gjykimit tuaj, ne po shohim se pavarësia e Kosovës ende nuk është bërë plotësisht funksionale. Unë vlerësoj me shqetësim se rreziku i ndarjes de facto i Kosovës së Veriut po rritet. Përfitoj nga rasti të shpreh besimin tim se Ju, me autoritetin e rritur që keni tashmë si laureat i çmimit Nobel për Paqen, do të vazhdoni ta ngrini zërin kundër kësaj ndarjeje, e cila, siç e dini shumë mirë, do të krijonte një gjendje pasigurie për të gjithë kufijtë e vendeve fqinje me Kosovën.
Më lejoni, zoti president, t’Ju shpreh edhe një herë konsideratën time më të lartë dhe t’Ju uroj shëndet të plotë. Paqja në planetin tonë ka ende nevojë për kontributin tuaj.