Referendumi në Kosovë dhe shqiptarët në rajon
Plani prej gjashtë pikash i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB, Ban Ki Moon, për vendosjen e misionit evropian në Kosovë, EULEX, nuk bie ndesh vetëm me Planin Ahtisaari dhe me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, ai është një pengesë reale për demokracinë e Republikës së Kosovës dhe paqen në Ballkan.
Të parat që duhet ta kundërshtojnë planin e OKB janë vendet evropiane që kanë njohur pavarësinë e Kosovës, nga 27 vende të BE e kanë njohur 22 prej tyre. Që në momentin që këto shtete deklaruan njohjen e pavarësisë, Republika e Kosovës duhet të trajtohet prej tyre si gjithë vendet e tjera të rajonit, Shqipëria, Serbia, Maqedonia etj. Përderisa ato nuk ndërhyjnë në punët e brendshme të këtyre shteteve, ato nuk duhet të ndërhyjnë as në punët e brendshme të Kosovës, nëse një gjë e tillë nuk kërkohet nga ky vend. Në rast kërkese ose parashikimi në Planin Ahtisaari, misioni evropian nuk mund të veprojë sipas rregullave të caktuara nga një palë e tretë.
Dakord, plani gjashtë pikësh vjen nga OKB (megjithëse ajo nuk e ka njohur ende Republikën e Kosovës), por, nisur nga marrëdhëniet e tyre bilaterale me Republikën e Kosovës, vendet e BE që e njohin Kosovën mund ta kundërshtojnë këtë plan. Nëse BE do të kishte reaguar, Kosova do të ishte më e fuqishme për ta refuzuar planin e Ban Ki Moon-it, ndërsa në rast mosreagimi vendet e BE që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës shfaqen të hallakatura. Duke harxhuar ca bojë e letër, diplomacia kosovare mund t’ua shprehë shqetësimin e saj të gjithave vendeve një për një dhe përgjigjja ose heshtja do të jetë më direkte.
Megjithatë, nuk duhet nënvlerësuar fuqia e faktorit të brendshëm kosovar.
Diplomacia e brishtë e Prishtinës duhet të mbështetet me lëvizje popullore paqësore të vazhdueshme dhe jo vetëm në Prishtinë, si dje, por në të gjitha qytetet e Kosovës.
Veç manifestimeve, para se të marrë vendime të rëndësishme, sidomos ato që kanë të bëjnë me sigurinë kombëtare dhe sovranitetin territorial të saj, Prishtina zyrtare, veç diplomacisë dhe lëvizjeve të tjera politike, duhet të bëjë të ditur se cili është qëndrimi i qytetarëve të saj. Në një rast të tillë, institucionet kosovare duhet të kërkojnë organizimin e një referendumi kombëtar. Serbët do ta bojkotojnë atë, por kjo nuk ka rëndësi, bojkoti është e drejtë demokratike. Një referendum popullor, veç rezultatit pro qeverisë së Kosovës dhe planit Ahtisaari, do të ishte edhe një dëshmi e demokracisë në përsosje e sipër dhe një garanci më tepër për të gjithë.
Diplomacia perëndimore dhe NATO fituan ndaj diplomacisë serbe dhe ushtrisë së saj në përpjekjet për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, sepse mbrapa tyre ishte një mbështetje e fuqishme në emër të të drejtave themelore të njerëzimit, e cila përfaqësohej nga vullneti human dhe paqësor i popullit të Kosovës. Largimi masiv i popullsisë së Kosovës nga shtëpitë e tyre në vitin 1990 – gra, pleq, fëmijë të paarmatosur – ishte një argument i fuqishëm për diplomacinë perëndimore. Dëshpërimi i atyre pamjeve e shpejtoi ndërhyrjen ushtarake të NATO-s.
Udhëheqësit e Kosovës nuk duhet ta harrojnë kurrë faktorin qytetar, jo vetëm se ai është pika e mbështetjes së tyre më e fortë, por se është gjithashtu edhe një dëshmi e fuqishme e vlerave të demokracisë, prej përsosjes së të cilës do të përfitojë edhe pakica serbe.
Veç faktorit vendas, është edhe faktori tjetër shqiptar në rajon.
Serbët e Kosovës nuk ka pse të privilegjohen as përmes diskriminimit pozitiv që përfshihet në planin Ahtisaari dhe as me planin prej gjashtë pikash të Ban Ki Moon-it që është edhe më kërcënues për stabilizimin e sigurisë dhe paqes në vend e në rajon. OKB, nëse është e shqetësuar për fatin e pakicave në Ballkan, duhet të kishte në vëmendje shqiptarët e luginës së Preshevës dhe Bujanovckit, të cilët kanë mbetur në Serbi dhe Serbia ka treguar përmes luftërave që ka nxitur se jo vetëm pakicat etnike, por edhe fqinjët janë të kërcënuar prej saj.
Shqiptarët në Maqedoni gjithashtu duhet të ngrenë zërin, qoftë për problemet e tyre të brendshme, qoftë për ato rajonale, ata nuk janë pakicë, por etnitet shtetformues. Ata duhet të kërkojnë që emri i ri i Maqedonisë të përfaqësojë edhe ekzistencën e tyre, për shembull, por mund të shprehen direkt për situatën në Kosovë dhe të paralajmërojnë lëvizjen e tyre në mbështetje të Republikës së Kosovës. Edhe në Mal të Zi ka një pakicë etnike shqiptare me problemet e veta, zëri i së cilës mund të mos mbërrijë në OKB, por dëgjohet në shtetin e tyre dhe rajon. Ndërsa Shqipëria, e cila ka institucione më të konsoliduara, duhet të punojë pareshtur për të sqaruar botën për rrezikun që i ofrohet rajonit tonë, në rast se zbatohet plani i Ban Ki Moon-it për Kosovën.