Nisin bisedimet me CHEZ për privatizimin e OSSH, ekspertë të huaj thirren për kontratën
Qeveria shqiptare ka nisur dje bisedimet me kompaninë çeke CHEZ për të hartuar kontratën e shitjes së sistemit të shpërndarjes së energjisë. Kompania çeke është e vetmja kompani që mbeti në garë dhe fitoi të drejtën të mbërrinte në këtë pikë të procesit të privatizimit pas tërheqjes së tri kompanive të tjera që u paraqitën fillimisht në garë. Ministri i Ekonomisë dhe Energjitikës, Genc Ruli, bëri të ditur dje se qeveria shqiptare ka angazhuar ekspertë të huaj që ta ndihmojnë në hartimin e një kontrate sa më të favorshme. Kontrata do të ketë vështirësi në hartimin e saj, pasi qeveria shqiptare kërkon që blerësi të plotësojë disa kushte, të cilat kanë të bëjnë kryesisht me uljen e nivelit të humbjeve në rrjet dhe të humbjeve nga mosmbledhja e saktë e faturave të energjisë. Korporata shqiptare e energjisë ka arritur gjatë dy viteve të fundit të përmirësojë arkëtimet dhe të ulë humbjet teknike, megjithatë ato ende janë të larta. Qeveria shqiptare kërkon të vendosë një limit dhe një afat për uljen e humbjeve. Gjithashtu qeveria kërkon që të realizohet një vlerë investimesh e tillë që të mundësojë përmirësimin e rrjetit. Gjithashtu, debate do të ketë edhe për çmimet e reja të energjisë elektrike, pasi qeveria kërkon që ato të mos rriten gjatë vitit që vjen, por të rriten gradualisht gjatë pesë viteve pas vitit 2009. Në një vit të thatë nga reshjet, kur importi i energjisë është i lartë, kostoja e njësisë së energjisë është e lartë dhe e tejkalon çmimin. Në raste kur prodhimi vendas është i lartë dhe importi relativisht i ulët çmimet e shitjes së energjisë janë më të larta sesa kostot. Kjo është situata me të cilën do të përballet blerësi i ri i shpërndarjes, ndërkohë që rrjeti humbet rreth 30 për qind të energjisë që hidhet në sistem. Privatizimi i kësaj kompanie është ndër më të vështirët dhe me delikatët, pasi bëhet fjalë për të vetmin operator në vend dhe që ofron një produkt kaq të rëndësishëm si energjia. Ministri i Ekonomisë garantoi se privatizimi do të kryhet dhe se qeveria nuk do të heqë dorë nga kërkesat e saj. Sipas tij, në hartimin e dokumentacionit ligjor për privatizimin e kësaj kompanie, ashtu sikurse dhe në rastet e privatizimeve të tjera strategjike të kryera më parë, është marrë në konsideratë dhe trajtimi i punonjësve që rrezikohen të mbeten pa punë.