E Diel, 1 Nëntor 2026

Qorrsokaku në vendin e akronimeve

Nga Enver Robelli

Në letër gjithçka është formuluar qartë e thjeshtë. Kosova do ta shpallë pavarësinë me mbështetjen e shteteve më të fuqishme perëndimore, pastaj misioni i Bashkimit Evropian, EULEX, do të zëvendësojë administratën e OKB, UNMIK, dhe me 2000 ekspertë (gjyqtarë, prokurorë, policë etj.) do të ndihmojë në ndërtimin e një shteti funksional, ku sundon ligji. Njëkohësisht, një mision i dytë, Zyra Civile Ndërkombëtare (International Civilian Office - ICO), mbikëqyr zbatimin e planit për shtetbërjen e Kosovës. Kështu e parasheh zhvillimin e Kosovës doracaku i pavarësisë i formuluar nga Martti Ahtisaari. Por, si duket realiteti nëntë muaj pas shpalljes së pavarësisë? Fundjavën e kaluar në pjesën veriore të Kosovës, e cila është e populluar kryesisht me serbë dhe e dominuar nga institucionet e Beogradit, u dëgjuan të shtëna me armë, ndërsa para zyrës së ICO, në kodrën e Dragodanit në Prishtinë, shpërtheu një lloj bombe, e cila shkaktoi vetëm dëme materiale. Ende është e paqartë se kush qëndron prapa këtyre provokimeve. Por, çfarë shihet është zhgënjimi i shumë shqiptarëve të Kosovës mbi numrin e madh të misioneve ndërkombëtare, të cilat shpeshherë i qëndrojnë njëra-tjetrës në udhë. Si pak vatra krize në botë Kosova është shndërruar në një arenë të ndërkombëtarëve që quhen “Mission-Junkies”, njerëz që jetën e kalojnë në misione të ashtuquajtura paqeruajtëse, por në fakt çfarë ata ruajnë jo rrallë janë privilegjet e pakufishme, rrogat e larta, jeta luksoze. Për shumë ndërkombëtarë Kosova i afrohet parajsës, të cilën ata nuk do ta ndërronin, ta zëmë, me ndonjë vend pune në misione të OKB në Sudan, Timorin Lindor, Irak etj.

Lëmshi i kompetencave

Menjëherë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, sipas planit të Ahtisaarit, parashihej tëhollimi i pranisë ndërkombëtare. Po ashtu, ishte paraparë që 120 ditë pas proklamimit të mëvetësisë misioni i BE, EULEX, të fillonte punën në muajin qershor. Sot puna qëndron kështu: për vendosjen e EULEX diskutohet ende, ndërsa dihet që për një kohë të pacaktuar do të qëndrojë në Kosovë, në formë të zvogëluar, edhe misioni i OKB, UNMIK, sepse për shkak të kundërshtimit të Rusisë në Këshillin e Sigurimit të OKB nuk është arritur të shfuqizohet Rezoluta 1244 dhe të miratohet një Rezolutë e re, e cila do ta bekonte planin e Ahtisaarit dhe pavarësinë e Kosovës. Në të njëjtën kohë, përveç EULEX, në Kosovë është duke u shtrirë edhe Zyra Civile Ndërkombëtare (ICO), e cila udhëhiqet nga diplomati holandez, Pieter Feith. Të gjithë së bashku, zyrtarë vendorë e ndërkombëtarë, sillen të hutuar nëpër lëmshin e kompetencave: Për OKB ende vlen Rezoluta 1244, e cila e përshkruan Kosovën si pjesë të Republikës Federale të Jugosllavisë, e cila tashmë, pas shkëputjes së Malit të Zi, është hedhur në bërllokun e historisë, por Serbia e konsideron veten si pasardhëse juridike të këtij shteti. Nga ana tjetër, për Zyrën Civile Ndërkombëtare vlen vetëm Kushtetuta e shtetit të pavarur të Kosovës. Mirë se vini në Kosovë, në vendin e akronimeve, në vendin ku vlejnë ligje të ndryshme, ku sundojnë autoritete të llojllojshme dhe ku të gjithë dhe askush nuk është përgjegjës!

Mediatori nga Zelanda e Re

Për shkak se plani i Ahtisaarit nuk është miratuar në OKB, qeveria e Beogradit nuk dëshiron të bashkëpunojë me misionet ndërkombëtare ICO dhe EULEX. Madje Serbia që nga shpallja e pavarësisë ka ndjekur një politike të sabotazhit kundër pranisë së re ndërkombëtare në Kosovë. Parulla e përhershme e Beogradit tingëllon kështu: “Për ne partner është vetëm OKB”. Për të dalë nga kjo situatë dhe për t’i hapur BE një rrugë për të hyrë në Kosovë, Sekretari i Përgjithshëm i OKB, Ban Ki-Moon, në muajin qershor, përmes një letre drejtuar presidentit serb, Boris Tadiç dhe Shkëlqesisë së tij, Fatmir Sejdiu, të cilit nuk ia përmendte funksionin e kryetarit të Kosovës, kërkoi nga Beogradi dhe Prishtina të bisedojnë, dialogojnë, negociojnë për gjashtë fusha të ndryshme bashkëpunimi. Për të lehtësuar bisedimet në distancë mes Kosovës dhe Serbisë OKB dërgoi në rajon Andrew Ladley-in, një shtetas të Zelandës së Re, i cili është i specializuar si mediator konfliktesh. Ladley nuk është zyrtar i OKB, ai vetëm ka një kontratë me OKB për të punuar në shërbim të saj. Sipas një zyrtari të UNMIK, Ladley nuk ka ndonjë përvojë në Ballkan. Megjithatë, agjencia serbe shtetërore e lajmeve “Tanjug” në fund të tetorit e lavdëronte atë si njërin prej negociatorëve më të mirë të OKB.

Gjatë muajve të fundit mediatori nga Zelanda e Re ka biseduar me politikanët serbë dhe ata kosovarë për gjashtë pikat e Ban Ki-Moon. Megjithatë, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, në fillim të gushtit i kishte thënë “Kohës Ditore” se Prishtina në asnjë mënyrë nuk do të negociojë me Beogradin për gjashtë pikat e propozuara nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB. Por, nëse ky ka qenë qëndrimi i pushtetarëve të Kosovës, atëherë përse është biseduar fare me Andrew Ladley? Një zyrtar i UNMIK, i cili është njëri prej analistëve më të mirë të zhvillimeve politike në Kosovë, e quan qasjen e qeverisë së Kosovës si “dështim”. Një diplomat i BE është cituar nga publicisti britanik Tim Judah, duke thënë se “është e pandershme nga kosovarët që tani të thonë se nuk e kanë ditur se çfarë po ndodh”. Ky diplomat po ashtu ka thënë se Prishtina ka qenë e informuar plotësisht për çdo etapë të negociatave.

Jashtë Kushtetutës

Pas negociatave disamuajshe, të cilat janë zhvilluar larg syve të opinionit, OKB prezantoi planin prej gjashtë pikash, i cili parasheh sanksionimin e ndarjes së Kosovës në territore etnikisht uniforme. Konkretisht, në veri të Kosovës dhe nëpër enklavat e banuara nga serbët do të operojë një polici e përbërë vetëm nga serbët. Këto njësi do t’i nënshtrohen vetëm komandës së zyrtarëve të OKB (ose EULEX, nëse Prishtina e pranon planin e OKB). Në zonat e banuara me serbë qeveria qendrore në Prishtinë praktikisht nuk do të ketë ndikim. Kjo vlen edhe për gjyqësinë. Në komunat serbe gjyqet do të funksionojnë jashtë Kushtetutës kosovare. Në veri kufiri me Serbinë do të kontrollohet vetëm nga doganierët ndërkombëtarë, të cilët nuk mund të aplikojnë tarifa doganore, për shkak se Serbia kufirin e Kosovës e sheh vetëm si vijë administrative dhe jo si kufi ndërkombëtar. Rrjedhimisht, sipas kësaj qasjeje, plani prej gjashtë pikave pranon kërkesën serbe që Kosova është vetëm një krahinë separatiste nën administrim të OKB. Plani i OKB nuk është rrëfimi i plotë. Lëshime ndaj Beogradit është i gatshëm të bëjë edhe Bashkimi Evropian. Gjatë vizitës në Beograd në fillim të muajit diplomati francez Pierre Mirel, i cili është përgjegjës për Ballkanin në Komisionin e BE, ka deklaruar se misioni EULEX do të operojë në Kosovë në mënyrë neutrale sa i përket statusit të Kosovës dhe po ashtu nuk do ta zbatojë Planin e Ahtisaarit, i cili është baza e Kushtetutës së Kosovës dhe prej shumë shteteve ishte përmendur si kusht për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Pas të gjitha këtyre lëshimeve nga ana e OKB dhe BE, të cilat janë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, qeveria serbe shprehu gatishmëri të tolerojë stacionimin e misionit EULEX në Kosovë, me kusht që plani prej gjashtë pikash të miratohet në Këshillin e Sigurimit të OKB. Kur të hiqet krejt pluhuri i propagandës, rezulton se faktikisht kjo do të thotë që EULEX do të veprojë sipas Rezolutës 1244.

Të zënë “n’gabim”?

Pas pajtimit të Beogradit me OKB dhe BE për planin prej gjashtë pikash qeveria e Kosovës u habit, si dhe ndërmarrja kosovare për mirëmbajtjen e rrugëve, e cila zakonisht në janar apo shkurt, kur bie shumë borë, thotë që të reshjet atmosferike na kanë befasuar. Presidenti Sejdiu dhe kryeministri Thaçi dolën para kamerave dhe me akrobacione të mundimshme retorike thanë se plani nuk do të pranohet, se është në kundërshtim me ligjin themelor të Kosovës etj. I vetmi zyrtar ndërkombëtar që u përpoq të kundërshtojë planin ishte Pieter Feith. Ai tha se BE ende nuk ka qëndrim, madje në një rreth të ngushtë në Zyrën Civile Ndërkombëtare Feith u kërcënua me dorëheqje, nëse Brukseli nuk e mbështet atë në zbatimin e planit të Ahtisaarit. Këtë e ka konfirmuar edhe një diplomat evropian, i cili thotë se “EULEX tani dëshiron të stacionohet në Kosovë, madje pretendon të ndërtojë shtet juridik, duke shkelur Kushtetutën e vendit”. Për këtë diplomat është e qartë se BE nuk është e aftë të zhvillojë një politikë të jashtme, e cila menaxhon kriza. Përkundrazi, rasti i Kosovës tregon se Brukseli mund të eksportojë jo-stabilitet. Vështirësitë e BE për vendosjen e misionit në Kosovë burojnë edhe nga fakti se deri më sot 22 vende anëtare e kanë pranuar pavarësinë e Kosovës, kurse 5 të tjera (Spanja, Greqia, Rumania, Qipro dhe Sllovakia) refuzojnë të marrin një vendim të tillë. Por, edhe këto shtete që kundërshtojnë pavarësinë e Kosovës në fillim të shkurtit, para shpalljes së deklaratës për mëvetësi, kanë votuar për stacionimin e EULEX. Të gjitha këto shtete e kanë ditur se detyrë e EULEX është forcimi i strukturave shtetërore të Kosovës së pavarur. Domethënë: të mbështetësh EULEX dhe të kundërshtosh pavarësinë është absurde.

“Lepujt për eksperimente”

Derisa politikanët serbë theksojnë se marrëveshja e tyre me OKB dhe BE e “varros” pavarësinë e Kosovës, pushtetarët e Kosovës kërkojnë shpëtim në aksione populiste. Presidenti, Fatmir Sejdiu, ka refuzuar planin bashkë me kryeministrin, Hashim Thaçi. Ishte hera e parë që kur u shpall pavarësia, që këta dy politikanë publikisht morën guximin të refuzojnë një ofertë të “miqve ndërkombëtarë”. Madje, kryeministri Thaçi në mënyrë demonstrative vizitoi shqiptarin Ali Kadriu në veri të Mitrovicës, i cili po pengohet nga serbët dhe nga OKB në rindërtimin e shtëpive të tij dhe i premtoi këtij shtetasi 10 mijë euro ndihmë. Kadriu nuk i pranoi këto pará. Tha se dëshiron vetëm siguri.

Ish-kryeministri i Kosovës në ekzil, Bujar Bukoshi, kritikon ashpër ngathtësinë e pushtetarëve. Sipas tij plani i OKB minon pavarësinë dhe varros projektin e përbashkët për bërjen e Kosovës shtet. Njëkohësisht, kjo qasje ndaj Kosovës e “diskrediton dhe e deligjitimon BE, e cila gjithnjë e më shumë po i nënshtrohet politikës serbe të sabotazhit dhe shantazhit”, - thotë Bukoshi. Ai thotë se udhëheqja e Kosovës është tepër kokulur ndaj presioneve ndërkombëtare dhe apelon që tani fuqishëm të kundërshtohen përpjekjet e OKB dhe BE për t’i trajtuar kosovarët si “lepuj për eksperimente”. Bukoshi thekson se me pranimin e planit të Ahtisaarit kosovarët kanë përpirë një pilulë të hidhur.

Edhe më i ashpër është një zyrtar i lartë i UNMIK. Ai thotë se plani prej gjashtë pikash është një diktat kundër Prishtinës dhe e krahason atë me Marrëveshjen e Mynihut (“Münchner Abkommen”), përmes së cilës shtetet kryesore evropiane në vitin 1938 i lejuan Adolf Hitlerit të okupojë zonat e banuara me gjermanë në Çekosllovaki. “Por, problemi ishte se Hitleri nuk u kënaq vetëm me këtë”. Ky zyrtar ndërkombëtar përsërit se qeveria e Kosovës “ka dështuar” gjatë bisedimeve me mediatorin e OKB, Andrew Ladley. Në Prishtinë madje ka zëra alarmantë ndërkombëtarë që thonë se për shkak të politikës konfuze dhe shpesh pro-serbe të Francës si kryesuese e BE, Kosova që nga shpallja e pavarësisë ka humbur më shumë autonomi sesa në kohën e Sllobodan Millosheviçit. Publicisti Veton Surroi, i cili tani drejton Klubin për Politikë të Jashtme, e ka përshkruar bindshëm dilemën kosovare: Derisa në raportin e fundit për vendet e Ballkanit Brukseli kërkon që Kosova të jetë shtet funksional, plani prej gjashtë pikash i OKB, i cili përkrahet nga BE, synon pikërisht të kundërtën, shkapërderdhjen e Kosovës në mini-principata të drejtuara nga pakica serbe. A bëhet kështu shteti funksional?

Stuhia serbe

Mungesa e qartësisë mbi praninë ndërkombëtare ka pasur pasoja fatale që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës. Pala serbe e ka shfrytëzuar këtë situatë ashtu siç është pritur: me forcimin e institucioneve të Beogradit në Kosovë, me ushtrimin e pushtetit pothuaj të plotë në veri të vendit dhe enklava, me nxitjen e policëve serbë për t’u larguar nga Shërbimi Policor i Kosovës, me marrjen nën kontroll të gjykatës në Mitrovicë, me rritjen e investimeve në enklavat serbe, me përzënien e doganierëve dhe djegien e pikave kufitare në veri etj. Njëkohësisht, diplomacia serbe ka qenë më aktive se kurrë më parë, duke lobuar në shumë shtete kundër pranimit të Kosovës. Në fillim të tetorit, Asambleja e Përgjithshme e OKB miratoi një Rezolutë të Serbisë dhe i kërkoi Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë të përpilojë një ekspertizë për pavarësinë e Kosovës. Të gjitha këto zhvillime pala kosovare i ka përcjellë kryesisht me nënçmim, duke shpresuar se “miqtë ndërkombëtarë” do t‘ia rregullojnë punët Prishtinës. Vërtet, a bëhet kështu shteti funksional?

* Autori është korrespondent i gazetës gjermane “Süddeutsche Zeitung” dhe i të përditshmes zvicerane “Tages Anzeiger” për Evropën Juglindore

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›