E Shtunë, 31 Tetor 2026

30 nxënës, 11 km në këmbë për të shkuar në shkollë

Reagon kryetari i komunës: "Duhet një linjë autobusi për nxënësit"


ELBASAN - Iu duhen plot 11 kilometra rrugë çdo ditë rreth 30 nxënësve të fshatit Toskollarë në rrethin e Gramshit për të shkuar në shkollë.


Në shumicën e rasteve janë të pafat dhe u duhet të ecin në këmbë ose të tentojnë pritjen e gjatë për një mjet të rastësishëm që në drejtim të fshatit të tyre shkon shumë rrallë.


Banorët kanë kërkuar ndërhyrjen e kryetarit të komunës Nefail Kllogjeri dhe ky i fundit i është drejtuar zyrës së drejtorisë arsimore, por asnjë përgjigje për këtë problem nuk është marrë prej saj. Kështu edhe nxënësit vazhdojnë itinerarin e tyre të përditshëm në këmbë.


Nefail Kllogjeri, kryetar komune në Poroçan, ka kërkuar ndërhyrjen e Këshillit të Qarkut për zgjidhjen e problemit të këtyre nxënësve. "Kam kohë që e kam depozituar ankesën pranë zyrës së arsimit në Gramsh, por nuk kam marrë asnjë përgjigje pozitive dhe fakt është se nxënësit vazhdojnë të ecin në këmbë.


Tashmë do të fillojnë edhe shirat dhe mendoni sa e vështirë do të jetë për këta nxënës. Unë nuk mund të shpejtoj procedurat, pasi nuk janë në dorën time, por ndërkohë banorët presin një zgjidhje",- shprehet Kllogjeri.


Në fakt, këshilltarët janë treguar të gatshëm për të miratuar një linjë private deri në fshatin e largët. Sipas kreut të këshillit të qarkut, Blendi Himçi, në ditët në vazhdim do të zhvillohet një takim me drejtues të drejtorisë arsimore për të parë me përparësi këtë rast dhe do të gjendet një zgjidhje e pranueshme.


Drejtoria Arsimore ka gjetur një zgjidhje të ngjashme për disa fshatra të largët duke vendosur një mjet transporti që paguhet me një vlerë të caktuar për transportin falas të nxënësve në shkolla që ndodhen larg qendrave të fshatrave si në këtë rast.


Shpresohet që edhe për nxënësit e fshatit Toskollarë të veprohet e njëjta gjë në mënyrë që 30 nxënësve të mos iu duhet të udhëtojnë 11 kilometra në këmbë për të arritur dëshirën e tyre të arsimimit, i cili, për më tepër, është i detyruar me ligj. B.Nergjoni

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›